TIRANË -Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, gjatë qëndrimit të tij në Baku, u prit në Milli Mejlis nga Kryetari i Parlamentit të Azerbajxhanit, Ogtay Asadov.
Kryetari i Kuvendit shoqërohej nga Kryetari i Grupit të Miqësisë Shqipëri-Azerbajxhan, z. Luan Rama dhe Anëtarit të Komisionit të Jashtëm, Ben Blushi.
Kryetari i Milli Mejlis, Asadov i uroi mirëseardhjen z. Meta dhe delegacionit parlamentar duke vlerësuar marrëdhëniet miqësore e tradicionale mes dy popujve si një bazë e fortë për zgjerimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.
Kryetari i Kuvendit, Meta duke e falënderuar homologun e tij për ftesën në Azerbajxhan, shprehu mirënjohjen për mikpritjen e ngrohtë azere gjatë qëndrimit në Baku dhe vlerësoi qartësinë e vizionit të perspektivës së marrëdhënieve dypalëshe që të dy vendet ndajnë së bashku.
"Marrëdhëniet tona kanë hyrë në një fazë të re dinamike me miratimin e projektit TAP, i cili ka një rëndësi gjeostrategjike për gjithë Evropën, dhe në këtë drejtim ne mbetemi të përkushtuar për suksesin e këtij projekti madhor që do të hapë rrugën edhe për gazifikimin e plotë të Shqipërisë dhe për përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve tanë", u shpreh  Meta.
Duke nënvizuar rëndësinë e zgjerimit dhe intensifikimit të bashkëpunimit dypalësh në të gjitha fushat me interes të ndërsjelltë, z. Meta dhe z. Asadov ndanë bindjen se bashkëpunimi ndërparlamentar duhet përqendruar në mbështetjen e forcimit konkret të bashkëpunimit mes dy qeverive dhe vendeve. Në këtë drejtim u ra dakord për rritjen e shkëmbimeve parlamentare mes dy grupeve reciproke të miqësisë dhe bashkëpunimit në platformat ndërkombëtare.
Kryetari i Kuvendit Meta dhe Kryetari i Parlamentit të Azerbajxhanit Asadov biseduan në përfundim mbi konkretizimin e projekteve dypalëshe dhe rritjes së shkëmbimeve ekonomike e tregtare, duke vënë theksin në thithjen e ekspertizës azere në industrinë e naftës dhe gazit, trajnimin e specialistëve shqiptarë, tek investimet në turizëm dhe tek bashkëpunimi në fushën e agro-përpunimit ku Shqipëria ofron potenciale të mëdha./ATSH/