Presidenti Ilir Meta, pas deklaratës së tij ku falënderoi shqiptarët për shmangien e dhunës në votimet e 30 qershorit ka publikuar një foto nga plazhi në rrjetet sociale.

I ndodhur në Gjirin e Lalëzit, Meta tregon se ka takuar aty dy vëzhgues ndërkombëtare të votimeve të djeshme, Zhoaon nga Holanda dhe Katerinën nga Gjermania. 

Ndërkaq, për faktin se është në plazh edhe për ditë të hënë, Meta ironizon kryeministrin rama, duke thënë se i ka humbur shumë ditë pushimi duke e pritur për dialog.

“E di që disa komentues do më kritikojnë pse sot jam buzë detit si e hënë që është, por dua t'ju them se kam humbur shumë ditë pushimi duke pritur dialogun dhe reflektimin, përfshirë dhe të shtunën e fundit.”- shkruan Meta bashkangjitur fotos.

Komenti i plotë:

Kënaqësi të takoja sot në Lalëz dy vëzhgues ndërkombëtarë të votimeve të djeshme, Zhoaon nga Holanda dhe Katerinën nga Gjermania. 

Ata kërkuan një kujtim me mua dhe unë jam i lumtur ta ndaj këtë foto me ju. Po kështu jam i gëzuar që u ka pëlqyer shumë Shqipëria. 

E di që disa komentues do më kritikojnë pse sot jam buzë detit si e hënë që është, por dua t'ju them se kam humbur shumë ditë pushimi duke pritur dialogun dhe reflektimin, përfshirë dhe të shtunën e fundit.