VORË - Koalicioni “Aleanca për Shqipërinë Evropiane” ka zhvilluar sot mitingun përmbyllës në Bashkinë Vorë, ku i pranishëm ishte kreu i LSI-së, Ilir Meta. Në emër të Partisë Socialiste foli ministri i Mirëqenies Sociale, Blendi Klosi, i cili u shpreh se çdo banor i Vorës pas 21 qershorit do të ketë mundësi punësimi. “Do të rrisim fondin për nxitjen e punësimit. Jemi sot në një aleancë që nuk mund të njohë humbje dhe Vora do t’i bashkohet listës së fitoreve”, tha ai.

Ndërsa, Ilir Meta gjatë fjalës së mbajtur u bëri thirrje medieve dhe vëzhguesve ndërkombëtarë që të jenë prezent gjatë ditës së votimit. “Ftojmë e mediet dhe vëzhguesit të jenë prezent sesi në Vorë do të arrihet fitorja më e thellë në nivel kombëtar më 21 qershor. Votat tona do të jenë bio, jo si mielli i Fiqos. Qytetarët e Vorës nuk mund të jetojnë me një thes mielli njëherë në katër vjet, ata duan punësim dhe atë do t’ia sigurojnë”, u shpreh kreu i LSI-së.

Meta sulmoi liderin e opozitës, Lulzim Basha duke thënë se partia e tij përfitoi nga përçarja e së majtës dhe për këtë arsye qëndroi për tetë vjet në pushtet. “Lulushi u mësua keq tetë vjet në pushet qyl nga përçarja e së majtës. E majta progresiste është mazhorancë e jashtëzakonshme jo vetëm në Vorë por në të gjithë Shqipërinë”, tha Meta.

Ndërsa për akuzat e PD-së se LSI po përpiqet të manipulojë zgjedhjet në Bashkinë Vorë, lideri i LSI-së tha se, “i themi Lulushit të “Portokallisë” të mos e marrë në nëpër gojë popullin e Vorës, boll e ka nëpërkëmbur për 12 vjet”.  “Vora e ka marrë vendimin e saj, kjo bashki do të jetë model ii shërbimit dhe punësimit në nivel kombëtar. Na akuzojnë pse vijmë dhe ndalojmë në Vorë, jo vetëm unë por edhe shumë të tjerë do të ndalojmë në Vorë. Na thonë se Ilir Meta paska sjellë këtu banditë, se Lulushit edhe nënat i duken banditë ndërsa si engjëll i duket vetëm Fiqoja i miellit dhe zarfeve”, përfundoi fjalën Meta.

Redaksia Online
(f.s/shqiptarja.com)