Ish-ministrja e Jashtme, anëtarja e kryesisë dhe deputete e Partisë Socialiste Arta Dade ka deklaruar se gjithsecili ka të drejtë të garojë për postin e presidentit të Republikës nëse përmbush kriteret kushtetuese dhe ligjore.
Duke komentuar deklaratën e Sekretarit të Përgjithshëm të LSI, Luan Rama se nuk përjashtohet mundësia që kreu i kësaj partie të jetë kandidat për President, Dade nuk ka munguar të shprehet se tashmë nuk flitet për emra, duke iu referuar qëndrimit të kreut të PS, Edi Rama për këtë proces.
"Pse jo mund të themi të gjithë. Ne nuk jemi ende te emrat për President të Republikës. Me sa e kam kuptuar nga letra dhe bisdeda e Ramës me Metën, kjo ka të bëjë më shumë me procesin, i cili edhe nga dokumenti i fundit i KE, Presidenti kërkohet të jetë gjithëpërfshirës në konsultim me të gjithë grupet e shoqërisë që janë të interesuar për këtë proces. Jam e prirur të besoj atë që thotë kryetari i PS që me askënd nuk është biseduar për të përcaktuar emra specifikë sepse jemi ende në fazën kur procesi nuk ka nisur ende", ka qënë deklarata e deputetes socialiste Arta Dade të botuar sot në gazetën "Shqiptarja.com".
Por këmbënguljes sonë në lidhje me emrat dhe mundësinë e kandidimit të këtyre emrave për postin e kryetarit të shtetit, mes të cilëve dhe ai i Ilir Metës kreu i LSI-së, zyrtarja e lartë socialiste është shprehur se gjithkush ka të drejtën e aspirimit për një post të tillë të lartë, por duhet të jetë konform kritereve të Kushtetutës dhe në orientimin e duhur të sfidës së integrimit të Shqipërisë në BE. "Përsa i përket emrave që janë hedhur në media është e përcaktuar qartë dhe sipas Kushtetutës, që cilido ka të drejtë të aspirojë për të kandiduar ose jo dhe për kreun e shtetit nëse plotësohen të gjitha kriteret. Pra sipas aktit themeltar të shtetit dhe sipas vizionit që një forcë e caktuar politike ka për rolin, detyrat e kriteret që duhet të përmbushë personi që do zgjidhet si kryetar shteti. Kjo merr rëndësinë më të veçantë në momentet e tanishme edhe për shkak të sfidave që vendi ka përpara në axhendën evropiane", tha Dade dje për gazetën. Njëherësh anëtarja e kryesisë së Partisë Socialiste është shprehur e shqetësuar dhe për reformën zgjedhore e cila sipas saj duhet të realizohet përpara se të nisë sfida presidenciale, në mënyrë që qytetarët shqiptarë për herë të parë të kenë një ligj zgjedhor një vit para zgjedhjeve dhe jo të bërë në momentet e fundit. "Unë jam e mendimit, ashtu sikurse sikurse shumë politikanë të tjerë duke iu referuar dhe kërkesave të Bashkimit Evropian, që të ketë një angazhim të fortë për reformën zgjedhore e atë parlamentare. Këto dy reforma të rëndësishme duhet të përfundojnë brenda afateve të përcaktuara nga Kuvendi, që do të thotë para fillimit të procesit dhe konsultimeve për zgjedhjen e kreun te shtetit", ka qënë deklarata e Dades. Deklaratë kjo në të njejtën linjë me atë çka është biseduar në takimin Rama-Meta në "Sheraton". Në të cilën është kërkuar me insistim që këto dy reforma të rëndësishme e të vendosura në 12 prioritetet e BE dhe heqja e imunitetit për deputetët, gjyqtarët e zyrtarët e lartë, të përfundojnë përpara 22 majit, kur fillon gara presidenciale.
(Shkrimi u botua sot ne gazetën Shqiptarja.com)
(sg/shqiptarja.com)