TIRANE- Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta ka pritur ditën e sotme një delegacion të Grupit të Miqësisë Poloni-Shqipëri nga Parlamenti i Polonisë, të kryesuar nga Kryetari i këtij grupi Tomasz Glogowski. Sipas këtij të fundit, Polonia është një vend gjithnjë i gatshëm t’a ndihmojë Shqipërinë në rrugëtimin e saj europian.

Nga ana e tij  Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta vuri në dukje marrëdhëniet e shkëlqyera politike dhe miqësinë tradicionale që ekziston mes Shqipërisë dhe Polonisë.

“Polonia nuk është vetëm një vend mik, por edhe një vend i rëndësishëm aleat për Shqipërinë, dhe në këtë drejtim duhet të thellojmë bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve”- deklaroi Meta gjatë takimit.

Kryetari i Kuvendit, Meta shprehu dhe mirënjohjen për mbështetjen e fuqishme të Polonisë për miratimin e statusit të vendit kandidat në BE, duke theksuar gjithashtu se Shqipëria dhe veçanërisht Kuvendi i Shqipërisë e çmojnë asistencën dhe ekspertizën polake në kuadër të hapave të mëtejshëm të procesit të integrimit europian të vendit.

Nga ana e tij, Kryetari i Grupit të Miqësisë Poloni-Shqipëri, Tomasz Glogowski pasi shprehu mirënjohjen për ftesën si dhe kënaqësinë për këtë vizitë të delegacionit polak në Shqipëri nënvizoi gjithashtu se të dy grupet reciproke të miqësisë do të punojnë për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërparlamentare.

Glogowski theksoi se Polonia është një vend gjithnjë i gatshëm t’a ndihmojë Shqipërinë në rrugëtimin e saj europian. Gjithashtu pasi shprehu urimet për miratimin e statusit kandidat për Shqipërinë, Glogowski deklaroi se Polonia mbetet gjithnjë në favor të politikës së zgjerimit dhe dyerve të hapura të Bashkimit Europian.

Gjatë takimit dypalësh u bisedua edhe mbi zhvillimet e fundit ndërkombëtare duke konfirmuar bindjen se forcimi i bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Polonisë i shërben forcimit të stabilitetit dhe sigurisë në Europë.

Redaksia Online
(e.n/Shqiptarja.com)