Meta promovon librin e sopranos
Jorgjia Truja, ka qënë 6 herë deputete

Meta promovon librin e sopranos<br />Jorgjia Truja, ka qënë 6 herë deputete
TIRANË – Kryetari i Kuvendit Ilir Meta ka mbështetur edhe personalisht, botimin e një autobiografie për sopranon lirike Jorgjia Truja, e cila ka qënë deputete e Kuvendit Popullor jo pak, por për 6 legjislatura. Libri “Muza e parë” u mirëprit nga akademikë, muzikologë, figura të njohura të muzikës dhe të letërsisë, miq dhe të afërm të artistes së madhe znj. Jorgjia Truja.

Meta shprehu  kënaqësinë për zhvillimin e këtij aktiviteti në mjediset e Kuvendit për këtë pioniere të artit dhe të muzikës operistike shqiptare.
Ai tha: “Jeta e saj vjen përmes një libri të kuruar me kujdes dhe me dashuri  nga familjarë të saj dhe ekspertë të muzikës, vjen si një kujtim i një kohe së shkuar, që nisi në vigjiljen e shekullit të shkuar dhe që hyn në duet edhe me kohën tonë.

Nga Korça e lindjes, në Tiranën e artit të saj, në Romën e studimeve e sërish në Tiranë dhe në shumë kryeqytete të Europës si stacione të ndërmjetëm. Jorgjia meritoi epitetin e një tjetër kolosi të lirikës shqiptare, Lasgush Poradeci. Për poetin ajo ishte “këngëtarja grykargjendë” . E tillë ishte kjo pioniere e artë e muzikës operistike shqiptare. Pioniere në art dhe mësuese e sa e sa brezave të muzikës lirike në Shqipëri”, tha z.Meta.

Kryetari i Kuvendit nënvizoi dy momente në jetëshkrimin e saj. “I pari udhëtimi jetik i një 20 vjeçare nga Korça që nisej për studime në konservatorin e Romës, Santa Sesilia, një rrugëtim mes dy botësh, i ngjashëm me rrugëtimin tonë drejt botës së madhe të perëndimit, me plot befasi, por dhe me shumë pasion dhe dashuri. I dyti, letërkëmbimi i saj i jashtëzakonshëm me njeriun e saj të jetës, inxhinierin Tom Truja, një roman i mrekullueshëm shpirti dhe dashurie në kohë të egra. Një monument dashurie dhe përkushtimi, një lirikë njerëzore e mrekullueshme, që flet edhe sot për madhështinë e përkryer të së thjeshtës”, tha z.Meta.
 
BOTUESJA PETRO: MUZIKA KA QËNË UDHËRRËFYESJA E SAJ

Botuesja e librit, znj. Rita Petro u shpreh se muzika për artisten znj. Jorgjia Truja ka qenë udhërrëfyesja e çdo kohe që nga fëmijëria deri në fund të jetës.  “Ndihem shumë e nderuar sot  që sapo hymë dëgjuam zërin e ngrohtë të saj,”- tha ajo.
AKADEMIKU TOLE: AJO PRAKTOI NË TERREN, ËNDRRËN E RILINDASVE
Akademiku z.Vasil Tole që u përkujdes për botimin këtij libri tha se “atë ç’ka e bën të rëndësishme për të gjithë, është që përmes jetës së Jorgjie Trujës, ne mund të kuptojmë historinë e Shqipërisë të këtyre 80 viteve të fundit, pasi Jorgjie Truja, Tefta Tashko,Marie Kraja, janë zbatues në terren të ëndrrës së rilindasve shqiptarë.

MUZIKOLOGIA SHUTERIQI: 6 HERË DEPUTETE, MESAZHERE E EMANCIPIMIT

Muzikologia e njohur, znj. Suzana Shuteriqi e vlerësoi artisten znj.Jorgjia Truja si një mesazhere e emancipimit të gruas shqiptare.
“Kam nderin të flas këtu, në këtë tempull ku ajo ishte deputete për 6 legjislatura, por sepse flas mbi të gjitha për një grua të rrallë, e cila nga leximi i librit del e tillë. Një grua që të bëhet e admirueshme, për kurajën, për optimizmin, për forcën e karakterit , përkushtimin me të cilat iu dha profesionit të saj. Por edhe roli që luajti si një mesazhere e emancipimit të gruas shqiptare”, tha znj. Shuteriqi.

E BIJA: NJË FALENDERIM PËR TË GJITHË

Në emër të familjes, vajza e artistes  saj, znj. Takuina Truja Adami, falënderoi Kryetarin e Kuvendit dhe të gjithë ata që kanë kontribuar për botimin këtij libri në nder të artistes së madhe, znj. Jorgjia Truja.
meta tek truja 
(Promovimi i organizuar sot në Kryesinë e Kuvendit)

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Paris 2024/ Notoi në lumin Sena për garën e Lojërave Olimpike, atletja ndan eksperiencën: Pashë gjëra që as dua t’i mendoj

Paris 2024/ Notoi në lumin Sena për garën e Lojërave Olimpike, atletja ndan eksperiencën: Pashë gjëra që as dua t’i mendoj