TIRANË, 17 Dhjetor/ATSH/.- Një konferencë mbi 'të drejtën e informimit' u organizua sot nga Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale me mbështetjen e shoqërisë civile. Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, i ftuar në konferencë, tha se e drejta e informimit është një e drejtë njerëzore, e cila duhet të jetë e balancuar në disa aspekte, me qëllim që të garantohet mbrojtja e të drejtave të tjera dhe të shmangen konfliktet në rastet e aksesit të informacionit.
"Çdo qytetar duhet të jetë i vetëdijshëm për të drejtën e informimit, si një e drejtë universale. Ai duhet të ndihet i vetëdijshëm për këtë të drejtë, por dhe të drejtën për mbrojtjen e të dhënave personale", tha Meta.
Kryeparlamentari shprehu bindjen se Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, si institucion i pavarur do të përmbushë sfidat e rëndësishme. "Jam i bindur se Komisionieri si institucion i pavarur me ligj, do të përmbushë sfida të rëndësishme. Do të garantojë nga njëra anë, mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarit dhe nga ana tjetër informimin e tij, transparencën e institucioneve etj", u shpreh kreu i Kuvendit.
Meta vlerësoi ligjin për të drejtën e informimit, i miratuar një muaj më parë në parlament, si një dokument që përmbush standardet më të mira evropiane./a.s//m.m/