Meta për Teatrin: Bashkia dhe qeveria të reflektojnë, në të kundërt padi tjetër në Kushtetuese! Veliaj: Mos u bëj brigadier, ‘graj gamorin tat’!

Meta për Teatrin: Bashkia dhe qeveria të reflektojnë, në të kundërt padi tjetër në Kushtetuese! Veliaj: Mos u bëj brigadier, ‘graj gamorin tat’!

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka reaguar në faqen zyrtare për çështjen e Teatrit Kombëtar. Meta thotë se Këshilli i Ministrave dhe Bashkia e Tiranës nuk duhet të ndërmarrin asnjë veprim të mëtejshëm që cenojnë kompleksin e godinave të Teatrit Kombëtar, në një kohë kur objekti i Teatrit Kombëtar në datën 24 mars 2020 është listuar në objektet e trashëgimisë europiane.

Sipas Metës nëse ndodh e kundërta do të bëjë padi në Gjykatën Kushtetuese.

"Pasi u njoha me përmbajtjen e vendimit të Këshillit të Ministrave nr.377, datë 8 maj 2020, botuar me urgjencë në Fletoren Zyrtare nr.83, datë 8 maj 2020, përcjell me forcë këtë mesazh drejtuar autoriteteve shqiptare.

Çdo veprim apo vendim për të cenuar godinat e Teatrit Kombëtar është jashtë çdo llogjike të funksionimit të shtetit të së drejtës dhe sundimit të ligjit në Shqipëri dhe do të dhunonte në mënyrë kriminale rendin kushtetues, në kundërshtim të plotë edhe me interesin publik dhe kombëtar.

Këshilli i Ministrave dhe Bashkia e Tiranës, duhet të mos ndërmarrin asnjë veprim të mëtejshëm që cenojnë kompleksin e godinave të Teatrit Kombëtar.

Vijimi i kësaj veprimtarie shtetërore për prishjen e godinave të Teatrit Kombëtar në këtë moment, do të dëmtonte rëndë imazhin dhe kredencialet e vendit tonë në arenën ndërkombëtare dhe familjen europiane, sidomos në kushtet kur objekti i Teatrit Kombëtar në datën 24 mars 2020 është listuar në objektet e trashëgimisë europiane, duke shënuar kështu udhëtimin europian të kësaj qendre të kulturës shqiptare dhe identitetit tonë kombëtar.

Organizata Europa Nostra e mbështetur nga Këshilli i Europës dhe Parlamenti Europian e ka vlerësuar këtë godinë, duke kërkuar ndërprerjen e çdo veprimi mbi të nga institucionet shqiptare.

Ti kundërvihesh një mbështetje të Bashkimit Europian në Ditën e Europës, është sinjali më i keq i bashkëpunimit dhe mbështetjes së vlerave për të cilat kemi 30 vjet që përpiqemi të përqafojmë.

Çdo veprim i mëtejshëm dhe mungesa e reflektimit mbi këtë çështje e detyron Presidentin e Republikës që në ditët në vijim të paraqesë një kërkesë të re pranë Gjykatës Kushtetuese, për shpalljen antikushtetues jo vetëm të ligjit special nr. 37/2018, por tanimë edhe të Vendimit nr. 377, datë 8 maj 2020 të Këshillit të Ministrave, apo të çdo akti tjetër të lidhur me të.

Mbetem shpresëplotë në një reflektim që na bashkon në këto kohë të vështira që po kalon vendi,"-shkruan Meta në 'facebook'.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:12
Veliaj i përgjigjet sërish Metës për Teatrin: ‘Graj gamorin tat’! (VIDEO)

Qëndrimi i Presidentit të Republikës pas vendimit të Qeverisë për kalimin e pronësisë të godinës së Teatrit Kombëtar te Bashkia e Tiranës, ka sjellë sërish reagimin e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Në një postim në rrjetin social Twitter, Kryebashkiaku Veliaj ka preferuar që të japë reagimin e tij përmes një shprehje tironse. “Kanë një shprehje epike tironcit për gjithë ata që sistematikisht fusin hundët në gjëra që as i kuptojnë, as u takojnë: Graj gamorin tat!”, shkruan Veliaj.

Ora 14:32
'Meta nuk ka pse të bëhet brigadier komunaleje', Veliaj për Teatrin: Do bëhet ashtu si stadiumi, Pazari Ri dhe shumë projekte të kontestuara

Kryetari i Bashkisë së Tiranës i ktheu përgjigje presidentit Meta për Teatrin gjatë një inspektimi në Bovillë për zgjerimin e ujësjellësit. Veliaj këmbënguli se ashti si të gjithë projektet e tjera të kontestuara në Tiranë edhe Teatri do të bëhet. Sipas Veliajt, Meta nuk ka përse bëhet brigadier komunaleje, por duhet të zgjedhë ose mes Robert Ndrenikës ose mes Lulzim Bashës.

"Tirana do të ketë Teatër të ri. Nuk mund të jenë më të zgjuar sportistët, turistët që shohin Kalanë dhe të jetë artistët që duhet të rrinë në një kolibe tallashi. Për projektin do të flasim në vjeshtë. Le të rrinë te kasollja prej kashte,m te kolibja e fashizmit, por kostumet nuk kanë pse i mbajnë peng aty. Nuk ka arsye përse miu të ushqehet me zërin e artistëve. Minimalisht edhe nëse presidenti është realisht i interesuar mos ti lërë të gjitha sendet me vlerë ti halë miu dhe mola. Teatri është institucion, kështu që arkiva, sendet me vlerë, duhet të shkojnë atje ku vlejnë.

Bobinat, filmimet, skenografitë të largohen. Kur të vijë koha le të flasim për projektin. Mbreti është lakuriq, por thirrja ime është që siç kemi ujësjellës të ri, stadium të ri, pazar të ri, duhet të kemi edhe teatër të ri.

Kultura e zaptimit nuk është për ne. Tetarin e tentuam ta bëjmë me lekët e tjetrit, por meqenëse kërkuan mjete shtese, lam privatin dhe u bëmë me artistët. Tetarin do ta paguajmë me këste, ashtu si ujësjellësi. Ka ngelur një pakicë e vogël, të gjithë ushtarë të një partie të vogël, që s'kanë alibi, por s'duan asnjë punë në Tiranë. E urrejnë faktin që Shqipëria po bën përpara. Këta çfarë bënë kur e kishin bashkinë?! Dhe presidenti ka mbetur pa alibi. E bëmë ligjin si e donte komisioni europian. I them presidentit rri me kushtetutën, nuk ke asnjë arsye të meresh edhe me Astirin, por mos të përfundo si atje, bëni si them unë. Mungesa e Gjykatës Kushtetuese është aq pa lidhje me Teatrin sa ç'ka Partia Demokratike me demokracinë. Presidenti të mos bëhet brigadier komuneleje. O të bëhet me Robert Ndrenikën që ka lozur në atë skenë, ose me Luzmi Bashën që ka lozur në një tjetër skenë,"-tha ndër të tjera Erion Veliaj.

Ora 10:24
Qeveria ia kaloi bashkisë, Meta: 'Teatri' ndodhet në Kushtetuese! Mos e prekni, po përdoret procedurë 'ekstra ligjore'

TIRANE-Presidenti Ilir Meta kundërshton vendimin e qeverisë për t'i kaluar bashkisë së Tiranës Teatrin Kombëtar me qëllim ndërtimin e një godine të re. Kreu i shtetit shprehet se ka ndjekur me shumë shqetësim veprimtarinë më të fundit të organeve shtetërore në lidhje me vullnetin për prishjen e objekteve të  “Teatrit Kombëtar”. "Kompleksi i Teatrit Kombëtar mishëron vlerat e identitetit dhe trashëgimisë tonë kombëtare, vlera këto që gëzojnë mbrojtje të veçantë dhe të drejtëpërdrejtë nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë.

Këshilli i Ministrave ditën e djeshme në datë 8 maj, ka vendosur që këtë pasuri kombëtare t’ia kalojë në pronësi Bashkisë Tiranë, me qëllim ndërtimin e një godinë të re të Teatrit Kombëtar. Kjo vendimmarrje në praktikë do të thotë se aktualisht po përdoret një procedurë tjetër “ekstra ligjore” tashmë në përgjegjësinë vetëm të Bashkisë Tiranë, për të prishur godinat e Teatrit Kombëtar. Ky vendim i Këshillit të Ministrave dhe vullneti i shprehur i Bashkisë Tiranë, nuk është në përputhje me funksionimin e shtetit të së drejtës dhe sundimit të ligjit, si dhe nuk përkon me vlerat e Bashkimit Europian, institucionet kulturore të të cilit kanë shprehur vullnetin për mbrojtjen e këtij objekti dhe restaurimin e tij" shkruan ai.

Presidenti mbështet reagimin e PD-së dhe Aleancës për Teatrin, kur shprehet se Teatri nuk duhet të preket, pasi kjo cështje ndodhet në Kushtetuese dhe pret shqyrtimin. Presidenti Meta, thekson se në muajin korrik 2019, ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë e cila do të duhet ta shqyrtojë në themel këtë çështje. "Ky vendim i djeshëm i qeverisë me të drejtë ka krijuar një reagim të fortë qytetar, pasi veç të tjerash merret në një kohë kur vendi po i nënshtrohet gjendjes së fatkeqësisë natyrore dhe masave kufizuese të lirisë së qarkullimit, si dhe në një moment kur pikërisht kjo çështje ndodhet për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, që prej 3 vitesh nuk është funksionale. Në këtë proces gjyqësor që duhet të shqyrtohet është palë si Këshilli i Ministrave, Bashkia Tiranë dhe Ministria e Kulturës, etj, ndaj marrja e një vendimi të tillë në këtë moment, rëndon pozitën antikushtetuese të veprimtarisë shtetërore ndaj këtij objekti me rëndësi kombëtare.

Një prej çështjeve kryesore që pritet të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese, nuk kanë të bëjë vetëm me faktin nëse ligji special nr. 37/2018 është antikushtetues, por më kryesorja lidhet me detyrimin ligjor që çdo veprim apo vendim shtetëror që synon apo ndërmerret për prishjen e Teatrit Kombëtar, cënon drejtëpëdrejt parimet themelore kushtetuese të identitetit kombëtar dhe trashëgimisë kombëtare mbi të cilat qytetarët e Republikës së Shqipërisë kanë vendosur të ngrenë dhe zhvillojnë shtetin e tyre, parime këto të parashikuara nga nenet neni 3, të Kushtetutës.

Gjithashtu një tjetër çështje që do shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese ka të bëjë me edhe faktin se veprimtaria administrative shtetërore e pushtetit qendror apo lokal që synon apo ndërmerr veprime për prishjen e Teatrit Kombëtar, bie ndesh me të drejtën ndërkombëtare të detyrueshme për zbatim, të mishëruara edhe në Konventën Europiane të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale dhe Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit".

Në këto kushte, vijon më tej Presidenti i Republikës, "në këtë Ditë të  Europës, i bëj thirrje autoriteteve shtetërore, se çdo veprim apo vendim për të cenuar godinat e Teatrit Kombëtar është jashtë çdo llogjike të funksionimit të shtetit të së drejtës dhe sundimit të ligjit në Shqipëri dhe do të dhunonte në mënyrë kriminale rendin kushtetues, në kundërshtim të plotë edhe me interesin publik dhe kombëtar. Për këtë çështje Këshilli i Ministrave dhe Bashkia e Tiranës, duhet të mos ndërmarrin asnjë veprim të mëtejshëm që cenon Teatrin Kombëtar.

Këto institucione duhet të tregojnë vullnet dhe përkushtim për krijimin e mjediseve në dobi të aktorëve dhe të publikut, duke synuar ndërtimin e godinave të reja funksionale bashkëkohore, por njëkohësisht pa prekur dhe cenuar aspak trashëgiminë e krijuar ndër vite në kompleksin e godinave ekzistuese të Teatrit Kombëtar, pasi një humbje e tillë do të ishte përfundimisht e parikuperueshme në të ardhmen" mbyllet deklarata e Presidentit.

Qeveria me vendim të Këshillit të Ministrave i kaloi Bashkisë Tiranë truallin e Teatrit Kombëtar, për të ndërtuar një godinë të re me standarde moderne dhe bashkëkohore. Sot kundërshtimit të Partisë Demokratike dhe Aleancës për Teatrin iu bashkua edhe Ilir Meta. Pas 2 vjetësh protestë, Bashkia e Tiranës vendosi për të ndërtuar me fonde të buxhetit të shtetit, Teatrin e ri Kombëtar në truallin ekzistues duke prishur marrëveshjen koncensionare me firmën "Fusha.sh.p.k", duke bërë që Teatri i ri Kombëtar të ndërtohet nga buxheti i shtetit dhe jo më nja një investitor privat. Këtë vendim vetë Bashkia Tiranë tha se erdhi për të plotësuar kërkesat e artistëve.

Ne.k.//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • PRESIDENT PAÇAVURE: 09/05/2020 18:27

    O ilir floriri o iliri me bllok në dor ti je buri më i flliqur i kombit Shqiptar. Ti je pa dinjitet pa moral e pa burrni. Ti të ishe burr kishe dhën dorheqje mor pis burr. Mjer kombi Shqiptar se çfar po heq me të till jashqitje.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Të shtëna me armë zjarri në Durrës, nuk raportohet për të lënduar! Shkak sherri mes dy personave në lokal, dyshohet se u përdor 'Shotgun'

Të shtëna me armë zjarri në Durrës, nuk raportohet për të lënduar! Shkak sherri mes dy personave në lokal, dyshohet se u përdor 'Shotgun'