Meta sulmoi hapur ndërkombëtarët: Qesharakë, ngatërrestar, intrigantë, lojë ambasadash, u tallën... (E plotë)

Meta sulmoi hapur ndërkombëtarët: Qesharakë, ngatërrestar, intrigantë, lojë ambasadash, u tallën... (E plotë)


Presidenti Meta ishte shumë i ashpër me ndërkombëtarët në konferencën e sotme për shtyp. 'Qesharakë, ngatërrestar, lojë ambasadash. Këto ishin disa nga fjalët me të cilat kreu i shtetit shqiptar sulmoi diplomatët e huaj në Shqipëri. Gjatë fjalës së tij, ai tregoi edhe disa prapaskena nga korridoret e politikës shqiptare në vite. Duke iu referuar Ramës, Meta tha se 'Në qoftë se do prapë takim me prindër me Presidentin e Republikës, le t’i marrë ata amerikanët, europianët që nuk e lënë, të bëjnë një zgjidhje, të bëjnë një marrëveshje, t’i japin drejtim krizës'.

"Ftoj edhe përfaqësuesit e huaj të mos bëhen qesharakë, sepse ne kemi dhjetë vite që jemi vend i NATO-s! Të mos tallen me Kushtetutën tonë! U tallën njëherë në vitin 2008 me Kushtetutën tonë apo e keni harruar? Kur i mbanin ison Edit dhe Doktorit që përmbysën Kushtetutën tonë apo e keni harruar? Një nga ata ambasador, i cili i mbante ison atëhere është prapë ambasador këtu. Ai diskuton për dekretin e Presidentit të Republikës! Ai diskuton për hallin e Idajetit! Ai diskuton edhe për Opozitën e Re të Unazës së Re e kështu me radhë.

Duhet të bëhemi popull dhe komb serioz! Duhet të jemi partnerë të denjë, konstruktivë me të huajt dhe duhet t’i zgjidhim çështjet vetë këtu, si burra shteti! Të heqim dorë nga “loja ambasadash”! Se kështu bënte “lojë ambasadash” edhe me reformën në drejtësi. A e mbani mend? Deri në fund! Dhe çdo përpjekje që bëja si kryetar i Parlamentit për konsensus, sepse konsensusi ishte aty, por ky nuk donte. Ishin bërë një tufë intrigantësh, vendas dhe ndërkombëtarë, ngatërruam edhe dynjanë, ngatërronte edhe Lulin, siç e mbani mend – e zgjidha! Për një minutë e zgjidha. E mbani mend? Apo e keni harruar? I thirra: – Hajdeni pak në zyrë këtu! U zgjidh! Kush nuk erdhi në takim? Vetëm Edi.

Ai në qoftë se do prapë takim me prindër me Presidentin e Republikës, le t’i marrë ata amerikanët, europianët që nuk e lënë, të bëjnë një zgjidhje, të bëjnë një marrëveshje, t’i japin drejtim krizës. Në qoftë se ata nuk vinë dot se unë nuk jam këtu, por janë diku tjetër, le të më thotë: ‘Të ikim në Amerikë’! Se mua vizën amerikane ma jep Edi s’kam nevojë nga ambasada. Ai ua jep, ai ua heq të gjithëve! Edhe atyre të Kolegjit Zgjedhor, edhe atyre që kanë këto hallet e vetting-ut, që duhet të marrin vendime në emër të shtetit të së drejtës, etj., etj.

Kur të dojë! Në Europë! Ku të dojë! Unë kam bërë çdo përpjekje, ta dinë shqiptarët që Shqipëria të mos bëhet një vend qesharak! As para se të bëhej reforma në drejtësi, – se nuk kishin farë arsye pse të bëheshin qesharakë, – edhe për zbatimin e reformës në drejtësi, e cila është një “Rama-formë”, sepse po të ishte zbatuar si reformë kushtetuese, që u miratua me konsensusin e të gjithëve, ne nuk do të ishim në këtë situatë. Cilët janë këtë ambasadorë, që kujtohen ditën e shtunë, një ditë para zgjedhjeve e thonë: Pas kësaj do ta bëjë Gjykata Kushtetuese…??!! Kush e prishi KED-në dhe shortin që u hodh në mënyrën më transparente kur unë isha Kryetar i Kuvendit?

A e mbani mend apo jo? Edi, sepse nuk i pëlqyen emrat që dolën nga kutia transparente, atje, përpara gjithë të tjerëve. Përdori një ambasador shumë të mirë, shumë të nderuar që nuk është më këtu, i cili për një javë pastaj i lutej Arta Dades – se e dinte që Artën unë e kisha pikë të dobët, – që ta prisja se e kishte gënjyer Edi dhe ia kishte futur fort. Mirëpo na iku një vit KED-ja në, sepse KED-ja është institucioni që bën rankimin e kandidatëve për në Gjykatën Kushtetuese.

Kush bëri lojë përsëri me KED-në kur Ilir Meta ishte President i Republikës dhe thirri drejtuesin e Delegacionit Europian këtu pikërisht për t’ia bërë të qartë që të mos përsëriteshin problemet që u përsëritën me KED-në edhe në dhjetor të vitit 2016 bashkë me EURALIUSI-n e të gjenin një zgjidhje bashkë me të gjitha institucionet e pavarura? Në mënyrë që ne të unifikonim kriteret, mbi të cilat propozoheshin anëtarët e KED-së e të mos kishim kontestime. Dhe interesante, pasi ramë dakord për çdo gjë, një ditë para, EURALIUS-i thotë: “Ne nuk vimë dot në takim, sepse kemi porosi politike.” Ta hetojë Bashkimi Europian nga ishte kjo porosi politike!

Unë letrat këtu i kam. Edhe me partnerët tanë të dashur amerikanë. Edhe me partnerët europianë. Dhe të shikojnë përse u kthye reforma në ‘Rama-formë’! ‘Rama-forma’ është një koloni e tiranisë personale të një regjenti të një fondacioni botëror. Shqiptarët nuk mund ta pranojnë këtë gjë, sepse Mujo Ulqinaku vërtet ishte një oficer i thjeshtë dhe i doli Italisë fashiste vetëm. Pse kujtoni se Mujo do të mundte Italinë?! Jo? Mujo Ulqinaku nderonte Lartmadhërinë. Prandaj shqiptarët çdo 7 prill nderojnë Mujon, nuk nderojnë Mbretin, pavarësisht nga punët e mira që Mbreti ka bërë për Shqipërinë, sepse historia nuk është ashtu siç u shkrua gjatë regjimit komunist" tha Meta.


Lajmi kryesor:

Meta jep propozimin e tij për zgjidhjen e krizës: Më 13 tetor zgjedhje vendore, të përgjithshme dhe për Presidentin /Video


  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë