TIRANE-Presidenti Ilir Meta përmes zëdhënësit, Tedi Blushi ka sulmuar ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, por edhe ambasadorët e SHBA-së, BE-së dhe OSBE-së.

Tedi Blushi thotë se teksa të gjithë prisnin që Prokuroria të vepronte kundër ministres Gjonaj pas kallëzimit të Ilir Metës në SPAK për 4 vepra penale, ajo shfaqet 'si pjesë të frontit të Ramaformës në konferencën e Prokurorisë', ku në fakt ishin edhe ambasadorët Yuri Kim, Luigi Soreca dhe i OSBE-së.

Zëdhënësi i Presidentit e cilëson si tallje me Reformën në Drejtësi, "pandëshkueshmëria, padrejtësia dhe pafytyrësia kanë arritur majat" thotë ai.

"Tallja dhe bërja e ligjeve puçiste anti-kushtetuese pati meritë të madhe për të mbledhur kaq shumë shqiptarë kundër grushtit të shtetit, ku Ministrja e Drejtësisë, siç është provuar nga shkresat zyrtare, akuzohet për 4 vepra penale.

Ndërsa të gjithë prisnin që Prokuroria të vepronte ndaj saj, sot e shohin si pjesë të frontit të Ramaformës në konferencën e Prokurorisë duke qenë edhe krenare! Pandëshkueshmëria, Padrejtësia dhe Pafytyrësia! Herën tjetër do mblidhen shumë herë më shumë se dje, shqiptarë të ndershëm dhe me dinjitet, që s'mund të pranojnë këtë Kryemaskaradë! Turp! Shame on you!" shkruan ai.

Reagimi i Blushit duket se është edhe një 'hakmarrje' kundër ambasadores së SHBA-së, që mbrëmë u distancua nga Presidenti shqiptar Ilir Meta, që përdori flamurin amerikan në tubim.