Gjonaj: Integrimi në BE, jo vetëm detyrë e qeverisë, por edhe përgjegjësi e prokurorisë (VIDEO)

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj u  shpreh në konferencë se rezultatet e punës së prokurorisë me drejtësinë e re, do të ndikojnë në ecurinë e vendit drejt BE-së. "Jam e nderuar të jem sot mes Jush, drejtues, prokurorë e anëtarë të institucioneve të reja të drejtësisë. Më vjen mirë që ky takim koincidon me lajmin tejet pozitiv të Komisionit Europian i cili përmes raportit të tij ka rekomanduar hapjen e negociatave për Shqipërinë me Bashkimin Europian, duke nënvizuar ndër të tjera rezultatet e frytshme konkrete që ka dhënë zbatimi i reformës në drejtësi. Si Ministre e Drejtësisë dhe njëherësh Kordinatore kombëtare për luftën kundër korrupsionit, dëshiroj të nënvizoj rolin tuaj thelbësor në përmbushjen e detyrave tona në kuadër të procesit te integrimit të vendit. Integrimi europian i vendit është një aspiratë e shqiptarëve, një ëndërr ende e pa përmbushur. Realizimi i saj është detyrë jo thjesht dhe vetëm e qeverisë, por e të gjithë institucioneve të shtetit shqiptar. Institucionet e drejtësisë dhe posacërisht prokuroria shqiptare kanë një përgjegjësi të vëcantë në këtë aspekt. Është sfida jonë e përbashkët për të bashkëpunuar dhe koordinuar përpjekjet tona, brenda përgjegjësive dhe funksioneve tona kushtetuese, për të siguruar rezultate të prekshme dhe të qëndrueshme në luftën kundë kriminalitetit në përgjithësi dhe krimit të organizuar në vecanti.

Reforma në drejtësi ka sjellë një kontribut thelbësor vecanërisht në reformimin e sistemit të drejtësisë penale, në aspektin kushtetuese, institucional, strukturor dhe procedurial. Ndryshimet kushtetuese dhe ligjore i dhanë një rol krejt të ri prokurorit në procesin penal, duke i garantuar çdo prokurori pavarësi të plotë në ushtrimin e ndjekjes penale. Kjo do të thotë më shumë liri, pavarësi dhe autoritet vendimmarrje për cdo prokuror në ushtrimin e detyrës së tij. Besoj fort se një gjë e tillë duhet shoqëruar me forcimin e mekanizmave monitorues, kontrollues dhe disiplinues që forcojnë përgjegjësinë individuale dhe llogaridhënien e cdo prokurori në ushtrimin e detyrës.

Forcimi i pavarësisë dhe përgjegjshmërisë, transparencës dhe llogaridhënies së prokurorëve duhet të shoqërohet domosdoshmërisht me konsolidimin e mekanizmave institucional që identifikojnë dhe ndëshkojnë cdo lloj lidhjeje të mundshme të tyre me krimin e organizuar, korrupsionit, konfliktin e interesave, frymës korporatiste dhe krahinore dhe vecanërisht ndikimeve politike në ushtrimin e detyrës nga ana e prokurorëve. Reforma në drejtësi nuk është thjesht ndryshim ligjesh e institucionesh, por para së gjithash është ndryshim i qasjes dhe sjelljes së prokurorëve dhe gjyqtarëve, dhe i gjithë profesionistëve që veprojnë në sistemin e drejtësisë, për të afirmuar vlerat e drejtësisë së re.

Vetting-u nëpërmjet të cilit po kalojnë prokurorët dhe gjyqtarët është një proces i vështirë por jetik për besueshmërinë e qytetarëve te organi i akuzës. Tashmë një numër i lartë i prokurorëve kanë kaluar këtë test të rëndësishëm. Kemi më shumë prokuorë se gjyqtar të konfirmuar në detyrë. Ky është një tregues pozitiv për ju. Integriteti është thelbësor për autoritetin e organit të akuzës dhe faktor kyc për besueshmërinë e qytetarëve te sistemi. Ndaj është me rëndësi ta konsolidojmë këtë vlerë që reforma po synon ta evidentojë e konsolidojë. Dëshiroj të vlerësoj vecanërisht rolin e grave dhe vajzave që shërbejnë në rradhët e prokurorisë, të cilat bëjnë çdo ditë një punë shumë të vështirë, me shumë sakrifica përfshi edhe përballjen me mentalitetin e vjetër të shoqërisë shqiptare ndaj tyre. Kam qënë dhe mbetem një avokate e fortë e promovimit të tyre në funksionet drejtuese brenda sistemit si një mundësi për më shumë përgjegjësi, akses dhe ndjeshmëri njerëzore në sistem.

Me parashikimet e reja ligjore është krijuar hapësira e nevojshme që pranë Ministrisë së Drejtësisë të atashohen prokurorë për të kontribuar me eksperiencën dhe përvojën e tyre profesionale. Besoj shumë që kjo do të jetë një vlerë e shtuar në cilësinë e procesit ligjbërës dhe në përfaqësimin e zërit tuaj në këtë proces si dhe në përgjithësi në politikat mbështetëse të qeverisë ndaj institucionit tuaj. Në fund, dëshiroj tju siguroj për mbështetjen e pakursyer të qeverisë dhe timen si ministre në misionin tuaj të vështirë, por jetik për të ardhmen e vendit. Kam qënë dhe mbetem një avokate e palëkundur e përpjekjeve të përbashkëta për tu koordinuar më mirë së bashku në luftën kundër krimit, forcimin e aksesit në drejtësi dhe mbështetjes për një funksionim më eficent të institucioneve tuaja" tha ajo.


Lajmi kryesor:

Olsian Çela: Puna jonë do të përmirësojë cilësinë e jetës së qytetarëve! Yuri Kim: Mos lini fajtorët të shpëtojnë! (VIDEO)


/b.ha./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Momente tmerri! Dalin pamjet brenda avionit para rrëzimit në Kazakistan të filmuar nga një prej pasagjerëve

VIDEO/ Momente tmerri! Dalin pamjet brenda avionit para rrëzimit në Kazakistan të filmuar nga një prej pasagjerëve