Olsian Çela: Puna jonë do të përmirësojë cilësinë e jetës së qytetarëve! Yuri Kim: Mos lini fajtorët të shpëtojnë! (VIDEO)

TIRANE-Pas miratimit të reformës në drejtësi, Kryeprokurori Olsian Çela u shpreh sot se organi që drejton ndodhet përpara disa sfidave. Në një konferencë ku ishin të pranishëm edhe ambasadorët e BE-së, SHBA-së, OSBE-së, drejtuesi i SPAK-ut, KLP-së dhe ministrja e Drejtësisë, Çela u shpreh se me ndryshimet që pësoi në 2016 ligji për prokurorinë raportet e reja kanë krijuar paqartësi brenda zyrave, ndërsa ekziston rreziku i fragmentarizimit të aktivitetit hetimor si rrjedhojë e praktikave të ndryshme në mungesë të një autoriteti centralizues.

Për këtë shkak, sipas Prokurorit të Përgjithshëm masat që duhet të ndërmerren shtrihen në disa plane, "duke nisur që nga organizimi i brendshëm i zyrave, infrastruktura operacionale e deri tek strukturimi i bashkëveprimit ndërinstitucional". Për shkak të ndryshimeve ligjore, por edhe mangësive si pasojë e përjashtimit nga drejtësia të shumë gjyqtarëve e prokurorëve dhe faktit që ende nuk janë ngritur të gjitha institucionet e reja, Olsian Çela deklaroi se nuk ka një perspektivë të qartë, të kohës se kur sistemi do të funksionojë me kapacitet të plotë.

Shtimi i ngarkesës së punës në çdo prokurori, vijoi më tej ai, ka krijuar një situatë emergjence. Ambasadorja e SHBA-së Yuri Kim kërkoi nga Shqipëria që të luftojë krimin dhe korrupsionin me drejtësinë e re që është ngritur në mënyrë që të kthehet në magnet për investimet e huaja. 2020-ën, shefja e diplomacisë amerikane në Tiranë e cilësoi si vit madh për Shqipërinë, por porositë ishin të qarta për të luftuar korrupsionin.

Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca u shpreh sot se Shqipëria meriton hapjen e negociatave. Përfaqësuesi i Brukselit në Tiranë tha se tashmë presin rezultatet nga drejtësia e re. Kreu i KLP-së, Gent Ibrahimi u shpreh se suksesi i shoqërisë varet nga drejtësia. Ai tha se miqtë ndërkombëtarë presin rezultate konkrete nga reforma në drejtësi. Megjithatë, tha Ibrahimi, sistemi i prokurorisë tek ne mbetet i nënfinacuar, nuk ka mjaftueshëm para për ta mbështetur.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:23
Gjonaj: Integrimi në BE, jo vetëm detyrë e qeverisë, por edhe përgjegjësi e prokurorisë (VIDEO)

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj u  shpreh në konferencë se rezultatet e punës së prokurorisë me drejtësinë e re, do të ndikojnë në ecurinë e vendit drejt BE-së. "Jam e nderuar të jem sot mes Jush, drejtues, prokurorë e anëtarë të institucioneve të reja të drejtësisë. Më vjen mirë që ky takim koincidon me lajmin tejet pozitiv të Komisionit Europian i cili përmes raportit të tij ka rekomanduar hapjen e negociatave për Shqipërinë me Bashkimin Europian, duke nënvizuar ndër të tjera rezultatet e frytshme konkrete që ka dhënë zbatimi i reformës në drejtësi. Si Ministre e Drejtësisë dhe njëherësh Kordinatore kombëtare për luftën kundër korrupsionit, dëshiroj të nënvizoj rolin tuaj thelbësor në përmbushjen e detyrave tona në kuadër të procesit te integrimit të vendit. Integrimi europian i vendit është një aspiratë e shqiptarëve, një ëndërr ende e pa përmbushur. Realizimi i saj është detyrë jo thjesht dhe vetëm e qeverisë, por e të gjithë institucioneve të shtetit shqiptar. Institucionet e drejtësisë dhe posacërisht prokuroria shqiptare kanë një përgjegjësi të vëcantë në këtë aspekt. Është sfida jonë e përbashkët për të bashkëpunuar dhe koordinuar përpjekjet tona, brenda përgjegjësive dhe funksioneve tona kushtetuese, për të siguruar rezultate të prekshme dhe të qëndrueshme në luftën kundë kriminalitetit në përgjithësi dhe krimit të organizuar në vecanti.

Reforma në drejtësi ka sjellë një kontribut thelbësor vecanërisht në reformimin e sistemit të drejtësisë penale, në aspektin kushtetuese, institucional, strukturor dhe procedurial. Ndryshimet kushtetuese dhe ligjore i dhanë një rol krejt të ri prokurorit në procesin penal, duke i garantuar çdo prokurori pavarësi të plotë në ushtrimin e ndjekjes penale. Kjo do të thotë më shumë liri, pavarësi dhe autoritet vendimmarrje për cdo prokuror në ushtrimin e detyrës së tij. Besoj fort se një gjë e tillë duhet shoqëruar me forcimin e mekanizmave monitorues, kontrollues dhe disiplinues që forcojnë përgjegjësinë individuale dhe llogaridhënien e cdo prokurori në ushtrimin e detyrës.

Forcimi i pavarësisë dhe përgjegjshmërisë, transparencës dhe llogaridhënies së prokurorëve duhet të shoqërohet domosdoshmërisht me konsolidimin e mekanizmave institucional që identifikojnë dhe ndëshkojnë cdo lloj lidhjeje të mundshme të tyre me krimin e organizuar, korrupsionit, konfliktin e interesave, frymës korporatiste dhe krahinore dhe vecanërisht ndikimeve politike në ushtrimin e detyrës nga ana e prokurorëve. Reforma në drejtësi nuk është thjesht ndryshim ligjesh e institucionesh, por para së gjithash është ndryshim i qasjes dhe sjelljes së prokurorëve dhe gjyqtarëve, dhe i gjithë profesionistëve që veprojnë në sistemin e drejtësisë, për të afirmuar vlerat e drejtësisë së re.

Vetting-u nëpërmjet të cilit po kalojnë prokurorët dhe gjyqtarët është një proces i vështirë por jetik për besueshmërinë e qytetarëve te organi i akuzës. Tashmë një numër i lartë i prokurorëve kanë kaluar këtë test të rëndësishëm. Kemi më shumë prokuorë se gjyqtar të konfirmuar në detyrë. Ky është një tregues pozitiv për ju. Integriteti është thelbësor për autoritetin e organit të akuzës dhe faktor kyc për besueshmërinë e qytetarëve te sistemi. Ndaj është me rëndësi ta konsolidojmë këtë vlerë që reforma po synon ta evidentojë e konsolidojë. Dëshiroj të vlerësoj vecanërisht rolin e grave dhe vajzave që shërbejnë në rradhët e prokurorisë, të cilat bëjnë çdo ditë një punë shumë të vështirë, me shumë sakrifica përfshi edhe përballjen me mentalitetin e vjetër të shoqërisë shqiptare ndaj tyre. Kam qënë dhe mbetem një avokate e fortë e promovimit të tyre në funksionet drejtuese brenda sistemit si një mundësi për më shumë përgjegjësi, akses dhe ndjeshmëri njerëzore në sistem.

Me parashikimet e reja ligjore është krijuar hapësira e nevojshme që pranë Ministrisë së Drejtësisë të atashohen prokurorë për të kontribuar me eksperiencën dhe përvojën e tyre profesionale. Besoj shumë që kjo do të jetë një vlerë e shtuar në cilësinë e procesit ligjbërës dhe në përfaqësimin e zërit tuaj në këtë proces si dhe në përgjithësi në politikat mbështetëse të qeverisë ndaj institucionit tuaj. Në fund, dëshiroj tju siguroj për mbështetjen e pakursyer të qeverisë dhe timen si ministre në misionin tuaj të vështirë, por jetik për të ardhmen e vendit. Kam qënë dhe mbetem një avokate e palëkundur e përpjekjeve të përbashkëta për tu koordinuar më mirë së bashku në luftën kundër krimit, forcimin e aksesit në drejtësi dhe mbështetjes për një funksionim më eficent të institucioneve tuaja" tha ajo.

Ora 10:32
Arben Kraja: E di që prisni SPAK-un, ju garantoj, do të jemi konkret në kohën e duhur (VIDEO)

Drejtuesi i SPAK-ut, Arben Kraja u shpreh se është i ndërgjegjshëm se njerëzit presin rezultate nga kjo strukturë që do të luftojë krimin dhe korrupsionin në nivele të larta, por kërkoi kohë, pasi çdo gjë do të bazohet në prova.

"Pastrimi i parave, krimi financiar dhe asetet kriminale janë disa nga sfidat. Pavarësisht se jemi të pavarur si SPAK, por nuk jemi kështu në qëllime, metodika dhe objektiva. Duhet të kemi bashkëpunim. Jo vetëm në këtë aspekt, por edhe menaxhimit, administrativ, prokuroria e përgjithshme ka eksperiencë që kemi nevoja të shfrytëzojmë.  Sfidat e SPAK, që është krijuar para dy muajsh. Struktura akoma nuk është ku duhet nga formimi, fillimi është i mirë, ka shumë sfida, që kanë të bëjnë me strukturën nga ana administrative, por edhe rezultatet në hetim.

Ne jemi në fazën e krijimit të BKH-së, që do të realizojë hetimin. Procedura është publike, shumë transparente. Kemi katër kandidat, vettingu do të jetë shumë transparent, që e organizon vetë SPAK me një komision me short. Kam besim se shumë shpejt do të jetë efikase. Të gjithë njerëzit presin rezultate. Prokurorët e SPAK janë të përgjegjshëm do të jenë të matur dhe bazuar në prova, që nuk do të diskutohet. Kjo kërkon kohën e duhur. Do të jemi konkret në kohën e duhur, jua garantoj këtë. Ajo që duhet të bëjmë është tu garantojmë kushtet" tha kreu i SPAK, Arben Kraja.

Ora 10:11
Bernd Borchardt: Sfidat janë të mëdha për drejtësinë e re në Shqipëri (VIDEO)

Ambasadori i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri Bernd Borchardt u shpreh se SPAK-u është një arritje e madhe, por sfidat për drejtësinë e re shqiptare janë të mëdha. "Shqipëria po ecën përpara drejt sundimit të ligjit dhe BE-së.  Duke parë largimet që janë bërë deri tani për të hequr të këqijat e sistemit të vjetër, ku është sistem për Shqipërinë dhe kjo tregon që krijimi i institucioneve të reja, prokurori i përgjithshëm do të vijojë të luajë një rol të rëndësishëm, SPAK është një arritje e madhe. Disa procedura janë në përgjegjësi të prokurorisë së përgjithshme. Sfidat janë të shumta, do të vijojë mbështetja jonë. Ne do të jemi gati të bashkëpunojmë" tha ambasadori i OSBE-së.

Ora 10:11
Kreu i KLP-së: Miqtë presin rezultate nga drejtësia, këtu varet suksesi i vendit, por prokuroria s'ka lekë (VIDEO)

Kreu i KLP-së, Gent Ibrahimi u shpreh se suksesi i shoqërisë varet nga drejtësia. Ai tha se miqtë ndërkombëtarë presin rezultate konkrete nga reforma në drejtësi. Megjithatë, tha Ibrahimi, sistemi i prokurorisë tek ne mbetet i nënfinacuar, nuk ka mjaftueshëm para për ta mbështetur.

"Sfida që e pret prokurorin e përgjithshëm është udhëheqja e sistemit. Duke pasur parasysh që tradita nga 1998 e këtej nuk vlen asnjë groshë. Prokurori i përgjithshëm është më pak i pushtetshëm sesa ka qenë, por i mandatuar për të udhëhequr sistemin. Të ashtuquajturat "rrufe të Zeusit" sikur njiheshin transferimet e prokurorëve apo kapërcimet, për fatin e mirë nuk janë më në repertorin e prokurorit të përgjithshëm dhe askujt tjetër.

Mungesa e këtyre e 'rrufeve' e forcon nuk e dobëson. Prokurorët e kaluar guvernator fuqiplotë të politikës. Sot roli udhëheqës kërkon finesë, moderim dhe aftësi për të krijuar konsensus dhe ndërveprim. Çela duke qenë i pari prokurori i përgjithshëm sipas kushtetutës së 2016 ka detyrë për  krijimin e identikitit. Zoti Çela është njeriu më i ditur mbi rolin e ri të institucionit, hapësirat që lejon ligji. Platforma e tij e prezantuar para KLP-së është përmbledhja më e mirë e ideve dhe mjeteve.

Zbatimi praktik i atyre ideve të mençura nuk do të jetë i lehtë.Pas një viti në krye të KLP-së mund të them që ligji që veprojnë prokuroritë është kompleks, nevoja për interpretim dhe ndërveprim është konstante. Miqtë tanë ndërkombëtarë me të drejtë presin rezultate nga hetimet, në përgjithësi suksesi ynë do të varet në një pjesë të madhe nga kjo.

Ka fatorë të tjerë, si politikat ekonomike shoqërore, që natyrisht që ndikojnë në suksesin apo dështimin si shoqëri, por në këtë listë do të fusja suksesin në ushtrimin e ndjekjes penale. Shoqëria nuk mund të jetë e suksesshme nëse nuk vendos drejtësi. Sistemi i prokurorisë tek ne mbetet i nënfinacuar, nuk ka mjaft para për të mbështetur sistemin. Besoj se Çela do të bëjë një revolucion, pasi rezultatet nuk kanë për të ardhur kurrë nëse sistemi i prokurorisë nuk financohet si duhet" tha ai. 

Ora 09:58
Soreca: BE dha 34 mln euro, tani presim zbatimin e drejtësisë! Meritoni negociatat (VIDEO)

Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca u shpreh sot se Shqipëria meriton hapjen e negociatave. Përfaqësuesi i Brukselit në Tiranë tha se tashmë presin rezultatet nga drejtësia e re.
"Duhen më shumë burime njerëzore për sistemin e drejtësisë, efikasitetin. Patjetër që duhet luftuar krimi. Duhet bërë më shumë me hetimet proaktive. E di që është më e lehtë të flasësh sesa të veprosh dhe këto kërkojnë kohë dhe ndihmë nga ndërkombëtarët, që duhet të bashkëpunojnë me ju. BE ka dhënë 34 milionë euro në lidhje me këto reforma për ta bërë sistemin më efikas. Kjo është një shumë tepër e rëndësishme, fokusi duhet të jetë që ta bëjmë këtë sistem më efikas dhe ti shërbejë popullit për transparencë. Ne besojmë se Shqipëria meriton të ecë përpara dhe shpresojmë që vendet e anëtarë të BE-së të marrin vendim pozitiv në javët në vijim për negociatat" tha Soreca.

Ora 09:57
Ambasadorja e SHBA: Fajtori nuk duhet të shpëtojë! Luftoni korrupsionin, të ktheheni në magnet për investimet (VIDEO)

Ambasadorja e SHBA-së Yuri Kim kërkoi nga Shqipëria që të luftojë krimin dhe korrupsionin me drejtësinë e re që është ngritur në mënyrë që të kthehet në magnet për investimet e huaja. 2020-ën, shefja e diplomacisë amerikane në Tiranë e cilësoi si vit madh për Shqipërinë, por porositë ishin të qarta për të luftuar korrupsionin. 

"Është një kënaqësi të jem këtu, i vlerësoj shumë komentet. Dua të them se Luigi ka të drejtë, 2020 është një vit i madh për rrugën e Shqipërisë drejt BE-së, jemi të emocionuar dhe është nder për ne që qëndrojmë pranë Shqipërisë. Reforma që po bën Shqipëria janë shumë të rëndësishme, por edhe shumë të vështira dhe në kohë të tilla është nevojë për miqtë që të jenë më prezentë.

Reforma në drejtësi ka sjellë ndryshime dhe është koha të fitohet besimi i publikut, duhet të sigurojmë suksesin. Muajt e kaluar kanë treguar se ka disa individë që kanë qenë gati ti bashkohen punës në funksion të sistemit të drejtësisë. Jemi mirënjohës për dedikimin dhe kurajon që keni marrë për këto detyra. Zyra e prokurorisë do të përmend SPAK-un që do të ketë një rol të rëndësishëm për të luftuar krimin dhe korrupsionin.

Shqipëria duhet të ecë përpara në sundimin e ligjit, kjo nuk është zgjedhje, por kërkesë, duhet ti jepet fund korrupsionit, kjo po e ndalon Shqipërinë të jetë magnet për investimet. Në 2019 zyra e prokurorit të përgjithshëm punësoi një numër koordinatorësh, fakti që shumë individë kanë pranuar që të bëhen pjesë e kësaj është vërtetim i reformës në drejtësi. Kjo do të sjellë ndryshim në Shqipëri.

Dua të vendos në dukje edhe rëndësinë e koordinimit, është i rëndësishëm për zbatimin e reformës në drejtësi. Drejtësia duhet të cohet përpara nga kjo skuadër, që është e gatshme për të ndihmuar Shqipërinë  për të ecur përpara për të luftuar krimin. Dua tu them dicka, prokurori është shërbëtor i ligjit, fajtori nuk duhet të shpëtojë dhe i pafajshmi nuk duhet të vuajë. Përdorni cdo metodë të ligjshme për të sjellë drejtësi. Duhet të përmbushen nevojat e popullit që i shërbeni, mos i lejoni fajtorët të shpëtojnë" tha Kim.

Ora 09:44
Kryeprokurori: Jemi në situatë emergjence nga ngarkesa! S'ka perspektivë kur do të funksionojë sistemi

Sfidat e Prokurorisë së Përgjithshme në dritën e Reformës në Drejtësi ishin shqetësimi i Kryeprokurorit të ri Olsian Çela që organizoi një takim me ambasadorët e SHBA-së, BE-së, OSBE-së, ministres së Drejtësisë, kreut të KLP-së dhe SPAK-ut. Olsian Çela u shpreh se me ndryshimet që pësoi në 2016 ligji për prokurorinë raportet e reja kanë krijuar paqartësi brenda zyrave, ndërsa ekziston rreziku i fragmentarizimit të aktivitetit hetimor si rrjedhojë e praktikave të ndryshme në mungesë të një autoriteti centralizues. "Konfigurimi i ri kushtetues dhe ligjor e ka futur prokurorinë në një proces jo të lehtë të ripërcaktimit të tipareve identitare" tha ai. 

Për këtë shkak, sipas Prokurorit të Përgjithshëm masat që duhet të ndërmerren shtrihen në disa plane, "duke nisur që nga organizimi i brendshëm i zyrave, infrastruktura operacionale e deri tek strukturimi i bashkëveprimit ndërinstitucional". Çela ishte edhe më i qartë kur tha se "Ne do të propozojmë sot ndërmarrjen e disa hapave konkretë për përmirësimin e kapaciteteve tona në hetimet që lidhen me pastrimin e produkteve të veprës penale dhe krimin financiar, duke synuar krijimin e  një ambienti mbytës ndaj gangrenës së informalitetit që ka gërryer për 30 vjet sistemin ekonomik në vend dhe është kthyer në pengesë për zhvillimin e qëndrueshëm social-ekonomik. Përtej këtyre, ne do të synojmë të vëmë në lëvizje një projekt për një qasje të re të institucioneve tona në raport me mënyrën e hartimit të politikave penale, përmes një këndvështrimi shkencor që bazohet mbi studime të mirëfillta kriminologjike, ku organet ligjvënëse, ato ligjzbatuese dhe bota akademike bashkëveprojnë për krijimin e modeleve realiste mbi instrumentet dhe mënyrat se si shoqëria jonë duhet të përballet me fenomenet kriminale".

Për shkak të ndryshimeve ligjore, por edhe magnësive si pasojë e përjashtimit nga drejtësia të shumë gjyqtarëve e prokurorëve dhe faktit që ende nuk janë ngritur të gjitha institucionet e reja, Olsian Çela deklaroi se nuk ka një perspektivë të qartë, të kohës se kur sistemi do të funksionojë me kapacitet të plotë. Shtimi i ngarkesës së punës në çdo prokurori, vijoi më tej ai, ka krijuar një situatë emergjence. "Ndërkohë që reforma në drejtësi ka sjellë ndryshime rrënjësore nga pikëpamja strukturore në ngrehinën e drejtësisë, suksesi i shumëpritur do të mbetej i skicuar vetëm në imagjinatën e krijuesve dhe promovuesve të saj nëse njerëzit që do të mbeteshin apo do  të hynin brenda kësaj ngrehine do të vazhdonin të gëlonin në moçalin e apatisë dhe mediokritetit, duke pritur që ndryshimet të vinin sërish nga një botë tjetër, e huaj dhe e pakuptueshme për ta, por që kishte zgjidhjet magjike dhe për problemet më të thjeshta për të cilat mjafton vetëm forca e vullnetit të mirë për t’u dhënë zgjidhje.

Reformat nuk janë qëllim në vetvete dhe as zgjidhja finale e problemeve. Ato janë instrumenti që duhet të krijojë kushtet e favorshme për zhvillimin e një realiteti të ri, me synim progresin shoqëror. Reforma në drejtësi është ende në proces, pasi ndërkohë që është miratuar një infrastrukturë e tërë ligjore për funksionimin e sistemit të drejtësisë, institucionet e reja janë ngritur vetëm pjesërisht. Edhe pse procesi i vetingut nuk ka arritur ende në mesin e rrugëtimit të tij nga pikëpamja sasiore, organet e drejtësisë po ballafaqohen me mungesa të theksuara në burime njerëzore për shkak të largimeve të magjistratëve nga procesi i rivlerësimit kalimtar, ndërkohë që një pjesë e madhe e magjistratëve janë ende në proces apo nuk e kanë nisur procesin. Shtimi i ngarkesës së punës në çdo prokurori ka krijuar një situatë emergjence, pasi ndërsa jemi në vitin e katërt të reformës, ende nuk ka një perspektivë të qartë se kur sistemi do të funksionojë me kapacitete të plota' deklaroi Çela.

Fjala e plotë e prokurorit të përgjithshëm Olsian Çela
Tryeza e sotme e ka pikënisjen nga një bisedë e zakonshme pune mes meje dhe zotit Carmine Pirozzoli, gjatë së cilës e njoha me idenë e organizimit të një takimi me partnerët tanë të misioneve ndërkombëtare të asistencës ligjore, për paraqitjen e një grupi propozimesh të Prokurorisë së Përgjithshme, me qëllim nisjen e disa projekteve me mbështetjen e tyre. Aty u kristalizua edhe ideja e organizimit të një takimi më tepër se teknik, me mbështetjen e misionit Pameca, me qëllimin e përfshirjes në këtë proces jo vetëm të të gjithë kontribuesve potencialë, por edhe për të sjellë një risi në mënyrën e komunikimit të ideve dhe ndërtimit të partneritetit të prokurorisë me institucionet vendase dhe ndërkombëtare.

Formalizimi i kësaj ndërmarrje ditën e sotme është pika fundore e një sërë takimesh që kam pasur me disa nga partnerët tanë që na kanë asistuar për një periudhë të gjatë në përpjekjet tona për konsolidimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri, të cilëve u kam prezantuar disa prej ideve që janë dhe tema kryesore e këtij takimi të sotëm, por njëkohësisht është dhe inaugurimi i një qasje të re proaktive me tipare strategjike të Prokurorisë së Përgjithshme, si në drejtim të promovimit të ideve për përmirësimin dhe modernizmin e kapaciteteve të organit të akuzës, ashtu dhe të formave të ndërveprimit dhe bashkëpunimit me organet e tjera ligjzbatuese në vend.

Ndërkohë që reforma në drejtësi ka sjellë ndryshime rrënjësore nga pikëpamja strukturore në ngrehinën e drejtësisë, suksesi i shumëpritur do të mbetej i skicuar vetëm në imagjinatën e krijuesve dhe promovuesve të saj nëse njerëzit që do të mbeteshin apo do  të hynin brenda kësaj ngrehine do të vazhdonin të gëlonin në moçalin e apatisë dhe mediokritetit, duke pritur që ndryshimet të vinin sërish nga një botë tjetër, e huaj dhe e pakuptueshme për ta, por që kishte zgjidhjet magjike dhe për problemet më të thjeshta për të cilat mjafton vetëm forca e vullnetit të mirë për t’u dhënë zgjidhje.

Reformat nuk janë qëllim në vetvete dhe as zgjidhja finale e problemeve. Ato janë instrumenti që duhet të krijojë kushtet e favorshme për zhvillimin e një realiteti të ri, me synim progresin shoqëror. Reforma në drejtësi është ende në proces, pasi ndërkohë që është miratuar një infrastrukturë e tërë ligjore për funksionimin e sistemit të drejtësisë, institucionet e reja janë ngritur vetëm pjesërisht. Edhe pse procesi i vetingut nuk ka arritur ende në mesin e rrugëtimit të tij nga pikëpamja sasiore, organet e drejtësisë po ballafaqohen me mungesa të theksuara në burime njerëzore për shkak të largimeve të magjistratëvve nga procesi i rivlerësimit kalimtar, ndërkohë që një pjesë e madhe e magjistratëve janë ende në proces apo nuk e kanë nisur procesin. Shtimi i ngarkesës së punës në çdo prokurori ka krijuar një situatë emergjence, pasi ndërsa jemi në vitin e katërt të reformës, ende nuk ka një perspektivë të qartë se kur sistemi do të funksionojë me kapacitete të plota.

Prokuroria është organi që ka pësuar ndryshimet më drastike nga reforma. Decentralizimi dhe pavarësia e prokurorëve u vlerësuan si zgjidhjet më të mira për ta bërë prokurorinë efikase, ndërkohë që gjykatës i është dhënë një pushtet edhe më i madh në fazën e hetimit, për të garantuar interesin publik dhe të drejtat e subjekteve. Ndryshimi i kulturës së funksionimit brenda një organizate është faza më e vështirë e çdo reforme që synon t’a ndryshojë rrënjësisht atë. Kështu dhe për prokurorinë zbatimi i konceptit të pavarësisë është  sfida më e vështirë për t’u kapërcyer. Raportet e reja që ligji ka krijuar mes drejtuesve dhe prokurorëve kanë krijuar paqartësi brenda zyrave, ndërsa ekziston rreziku i fragmentarizimit të aktivitetit hetimor si rrjedhojë e praktikave të ndryshme në mungesë të një autoriteti centralizues. Konfigurimi i ri kushtetues dhe ligjor e ka futur prokurorinë në një proces jo të lehtë të ripërcaktimit të tipareve identitare, ndërkohë që dinamikat në jetën e vendit zhvillohen me një ritëm të atillë që nuk tolerojnë dobësi strukturore apo organizative. Për rrjedhojë gjetja e zgjidhjeve efikase që përmirësojnë funksionimin e brendshëm të organit dhe bashkëveprimin e tij në rrafshin institucional me agjensitë e tjera ligjzbatuese mbetet i vetmi opsion i vlefshëm ndaj rrezikut që paraqesin aktivitetet kriminale.

Nisur dhe nga sa më sipër, qëllimi kryesor i takimit të sotëm është prezantimi i një vizioni që ne kemi për atë çfarë mund të bëhet më mirë, dhënia e ideve tona mbi zgjidhjen e sfidave që lidhen me mirëfunksionimin e zyrave të prokurorisë. Masat që ne vlerësojmë se duhet të ndërmerrren shtrihen në disa plane, duke nisur që nga organizimi i brendshëm i zyrave, infrastruktura operacionale  e deri tek strukturimi i bashkëveprimit ndërinstitucional.

Në këtë kuadër, objektiv primar mbetet forcimi i pavarësisë dhe rritja e përgjegjshmërisë së prokurorëve përmes ndërtimit të një sistemi efikas monitorimi të aktivitetit të tyre në ushtrimin e funksioneve.

Pjesë thelbësore e vizionit tonë është hartimi dhe zbatimi i një projekti madhor në funksion të mirëadministrimit të procesit të hetimit përmes modernizmit të tij ndërsa kemi hyrë në epokën dixhitale, duke perfeksionuar mënyrat e komunikimit dhe administrimit të të dhënave.

Rregullimi i ndërveprimit mes policisë gjyqësore dhe prokurorit që në fazën parahetimore është prioritet i rëndësishëm, pasi përmes ndërhyrjeve të natyrës administrative do të ulet ndjeshëm ngarkesa e panevojshme në punën e prokurorëve, duke rritur kështu produktivitetin.

Ne do të propozojmë sot ndërmarrjen e disa hapave konkretë për përmirësimin e kapaciteteve tona në hetimet që lidhen me pastrimin e produkteve të veprës penale dhe krimin financiar, duke synuar krijimin e  një ambienti mbytës ndaj gangrenës së informalitetit që ka gërryer për 30 vjet sistemin ekonomik në vend dhe është kthyer në pengesë për zhvillimin e qëndrueshëm social-ekonomik.

Përtej këtyre, ne do të synojmë të vëmë në lëvizje një projekt për një qasje të re të institucioneve tona në raport me mënyrën e hartimit të politikave penale, përmes një këndvështrimi shkencor që bazohet mbi studime të mirëfillta kriminologjike, ku organet ligjvënëse, ato ligjzbatuese dhe bota akademike bashkëveprojnë për krijimin e modeleve realiste mbi instrumentet dhe mënyrat se si shoqëria jonë duhet të përballet me fenomenet kriminale.

E ndërsa përmirësojmë kapacitetet tona institucionale, objektiv duhet të jetë aftësimi i tyre për t’u përshtatur në një botë që është në ndryshim të vazhdueshëm, përherë e më shumë të hapur e të ndërlidhur.  Ne duhet të jemi largpamës e kreativë, duke rritur aftësitë tona analitike dhe duke i dhënë prioritet një qasjeje strategjike konstante.

Ne nuk kemi mundësinë t’i materializojmë të vetëm këto ide, pa mbështetjen e partnerëve tanë ndërkombëtarë dhe bashkëpunimin e kontributin e institucioneve shqiptare. Ne sot presim nga të gjithë ju një vështrim kritik mbi këto ide, presim t’i përpunojmë ato më tej, t’i plotësojmë me ide të reja të sjella prej jush, të cilat të jenë më pas në bazë të projekteve të mirëmenduara e që përfshijnë këdo që mundet të japë një kontribut të vlefshëm. Përmes kësaj inciative ne synojmë që të japim një ndihmesë reale në mirëmenaxhimin e energjive njerëzore dhe burimeve financiare që çdo vit investohen për forcimin e kapaciteteve të institucioneve të drejtësisë në Shqipëri. Koordinimi i përdorimit të këtyre burimeve të çmuara dhe eleminimi i fenomenit të mbivendosjes së projekteve, duke iu përgjigjur njëkohësisht kërkesave reale që vijnë nga përfituesit e tyre, është hapi i duhur drejt optimizimit të performancës për të gjithë ne.

Duke ju falënderuar për pjesëmarrjen, shpreh besimin e thellë se vijimi i kësaj iniciative të sotme me hapa të tjerë në drejtim të konvergimit të ideve dhe kontributeve do të krijojë dinamika të reja në bashkëveprimin ndërinstitucional, me rezultate konkrete në zbatimin e legjislacionit penal, të cilat do të shërbejnë si indikatorë të rëndësishëm në procesin e integrimit të vendit, përmes arritjeve konkrete që nuk synojnë përmbushjen e kritereve formaleve për hir të procesit, por të tilla që ndryshojnë në pikëpamje cilësore jetën e qytetarëve shqiptarë.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Orli: 03/03/2020 11:22

    Ju po te njejtit keni 30 vjet ne sistemin e kalbur te drejtesise! E cfare keni bere? Nje vrime ne uje,cfare do beni?! Asgje,pse? Sepse jeni te tredhur me kohe! Kush ishte zyrtari i larte i drejtesise qe eshte takuar me cilin?!

    Përgjigju
  • Populli: 03/03/2020 11:07

    Drejtesia e re po nuk filloi me Ilir Meten,Sali Berishen e Lul Bashen per te gjitha sa kane bere vrare e vjedhur nuk ka bere asgje,populli kete pret.

    Përgjigju
  • LIGJI: 03/03/2020 10:19

    po pse more ka vdek ky shtet, kjo diaspore?! Nuk ka 2000 te shkolluar ky popull qe te behen gjyqtare dhe prokurore? ca eshte ky turp mo...o qeveri leshi diaspora plot me njerez me fakultete prestigjoze, ju mbaheni ke shkolla hale e magjistratures qe me 100 000 euro kalon prv. TURP, TURP, TURP !!!

    Përgjigju
    • olsiani: 04/03/2020 10:07

      fiks ! shkolle me e degjeneruar s behet. eshte si shkolla partise n vaktit !

  • Sefi: 03/03/2020 09:28

    Aman na lini te qete me "ambasadoret". Ca kane qe dalin vend e pa vend. Pa pike turpi. Po ambasadore jane, asgje me shume. Te rrine ne shpine e tyre. Kemi qe nga 1912 qe nje e dy "ambasadoret". Shtet pa dinjitet, shtetare zagare.

    Përgjigju
  • ana: 03/03/2020 08:48

    kurre te hyp gomari ne fik

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kosovë/ Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa urdhëron KQZ-në të certifikojë Listën Serbe për zgjedhje

Kosovë/ Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa urdhëron KQZ-në të certifikojë Listën Serbe për zgjedhje