Bashkëpunimi ndërparlamentarë mes Shqipërisë dhe Lituanisë tashmë do të ketë një tjetër dimension, pasi Lituania është një nga vendet që mbështet fuqishëm integrimin e vendit tonë në Bashkimin Europian.

Kjo është bërë e ditur sot, kur Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta ka pritur Ambasadorin e Lituanisë në Shqipëri, Rezident në Athinë, Alfonsas Eidintas me të cilin biseduan mbi forcimin e bashkëpunimit dypalësh.

Kryetari i Kuvendit Ilir Meta vlerësoi marrëdhëniet miqësore mes Shqipërisë dhe Lituanisë duke vënë në dukje se Shqipëria mund të përfitojë edhe më tepër nga eksperienca e Lituanisë dhe vendeve të tjera baltike.

Në këtë kuadër u vlerësua mbështetja e Lituanisë ndaj integrimit evropian të Shqipërisë dhe u ra dakord për intensifikimin e kontakteve dhe bashkëpunimit ndërparlamentar, si përmes grupeve reciproke të miqësisë, ashtu edhe përmes komisioneve parlamentare.

Ambasadori i Lituanisë Alfonsas Eidintas vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve dhe nënvizoi se Lituania mbështet avancimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Në përfundim Kryetari i Kuvendit Meta dhe Ambasadori Eidintas biseduan mbi mundësitë e përmirësimit të bilancit të shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve, duke vënë në dukje veçanërisht potencialet në fushat e bujqësisë dhe turizmit.

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)