TIRANË - Kryetari i Kuvendit,  Ilir Meta priti sot Zëdhënësin për Politikën e Jashtme të Grupit Parlamentar CDU/CSU në Bundestagun Gjerman, njëkohësisht anëtar i Komisionit për Politikën e Jashtme z. Philipp Missfelder.

Gjatë takimit që Meta dhe Missfelder kanë zhvilluar sot, kanë ndarë bindjen se forcimi i shkëmbimeve dhe bashkëpunimit mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Bundestagut Gjerman i shërben forcimit të marrëdhënieve politike, ekonomike dhe kulturore mes dy vendeve. Në këtë kontekst të dy vendet inkurajojnë intensifikimin e kontakteve mes dy institucioneve homologe.

Meta gjithashtu shprehu mirënjohjen për mbështetjen dhe miratimin nga Gjermania të statusit të vendit kandidat për BE për Shqipërinë, dhe theksoi se Shqipëria e vlerëson përkrahjen dhe asistencën gjermane për avancimin në fazat e ardhshme të integrimit evropian.

 Zëdhënësi për Politikën e Jashtme të CDU, Missfelder u shpreh se statusi kandidat për Shqipërinë ishte i merituar dhe një lajm i mirë për rajonin, duke bërë një vlerësim të veçantë për politikën konstruktive rajonale të Shqipërisë.

Në përfundim Kryetari i Kuvendit Meta dhe Deputeti Missfelder biseduan rreth zhvillimeve të fundit ndërkombëtare dhe rajonale, duke nënvizuar se përqasja konstruktive në rajon i shërben perspektivës evropiane të të gjithë vendeve të Ballkanit.


Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)