Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta ka vizituar qendrën ditore për fëmijë “Shtëpia e Ngjyrave”. Ai ka premtuar se për fëmijët do të merret njëtjetër iniciativë në grupin parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, për të mbrojtur të drejtat e tyre.

Ai shoqërohej në këtë vizitë nga Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë Blendi dhe deputetet Vasilika Hysi dhe Olta Xhaçka, ku u njoh me punën, aktivitetet dhe rezultatet e kësaj qendre, që punon për promovimin e të drejtave të fëmijëve dhe mbrojtjen e tyre nga dhuna, abuzimi, shfrytëzimi dhe neglizhimi. 

Duke folur për mediat gjatë kësaj vizite, Kryetari i Kuvendit tha se një nga meritat e kësaj qendre është se i ka shkëputur fëmijët nga rruga dhe i ka ndërgjegjësuar edhe prindërit e tyre dhe ata vetë për të gjetur shpresë dhe shërbime të kjo shtëpi. 

“Ishte kënaqësi që në këtë prag feste të ndërrimit të viteve të vinim dhe të vizitonim bashkë me Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, z. Klosi, por edhe bashkë me dy koleget e nderuara deputete znj. Vasilika Hysi dhe znj. Olta Xhaçka, pikërisht ‘Shtëpinë e Ngjyrave’. Një shtëpi shumë e veçantë, emrin të cilës ia kanë vënë vetë ata fëmijë, të cilët ëndërrojnë një të ardhme më të mirë larg rrugës. Dhe një nga meritat e kësaj shtëpie është se i ka shkëputur fëmijët nga rruga dhe i ka ndërgjegjësuar edhe prindërit e tyre, dhe ata vetë, për të gjetur shpresë dhe shërbime te kjo shtëpi”, - deklaroi z. Meta. 
Sipas Kryetarit të Kuvendit, kjo qendër është një shembull se si duhet të angazhohen të gjithë, në mënyrë që shtëpi të tilla, që sjellin shpresë dhe integrojnë fëmijët dhe i përgatisin ata për të ardhmen, të ketë edhe të tjera teksa premtoi nisma të tjera parlamentare në mbrojtje të fëmijëve.

meta

“Dua të falënderoj stafin për këtë punë të jashtëzakonshme dhe jam i bindur se do të ndërmarrim edhe nisma të tjera edhe si grupi parlamentar për të drejtat e fëmijëve edhe si Kuvend edhe si qeveri, përgëzoj angazhimin e veçantë të ministrit Klosi i cili ka zgjedhur në mënyrë krejtësisht të veçantë që këtë fundviti ta kalojë në qendra të tilla, duke treguar se rritja e përgjegjësisë sociale është një prioritet për të gjitha institucionet tona, por do të jetë për të gjithë shoqërinë tonë”, - tha Meta. 

Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi përgëzoi punën e stafit dhe bëri një apel sensibilizues për të gjithë qytetarët. 

“Dua të përgëzoj vetëmohimin, me të cilin drejtuesit e mbajnë këtë qendër me shumë sakrifica, por dua t’i bëj thirrje edhe një herë ndërgjegjes qytetare prindërore të gjithsecilit nga ne që të drejtojmë çdo rast që vëmë re pranë institucioneve të përkujdesjes sociale dhe qendrave që ofrojnë këtë shërbim”, - tha Klosi. 

Edhe Vasilika Hysi iu bashkua apelit të Ministrit Klosi duke uruar që në të ardhmen të ketë sa më pak fëmijë në pozita të tilla. 

Ndërkaq, kryetari i Kuvendit vizitoi gjithashtu edhe zyrat e Linjës Kombëtare të Telefonit të Ndihmës për Fëmijët “ALO 116”, një shërbim publik kombëtar informimi, këshillimi dhe referimi për fëmijët në Shqipëri, ku u njoh nga afër me rezultatet dhe punën e bërë nga ky shërbim.