TIRANË - Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, gjatë një takimi të enjten me Presidentin e Rotary International, Gary Huang, vlerësoi aktivitetin global dhe sidomos kontributin që Klubet e kësaj organizate japin prej vitesh në Shqipëri, kryesisht në fushat e shëndetësisë dhe arsimit.

Kryeparlamentari Meta theksoi gjithashtu se Kuvendi mirëpret zgjerimin e projekteve komunitare dhe misionit fisnik të Rotary International, duke vënë në dukje se me ndarjen e re administrative, duhen identifikuar prioritete konkrete që reflektojnë ndjeshmëri dhe nevoja lokale të shoqërisë sonë.

Presidenti i Rotary International, Gary Huang, shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të autoriteteve shqiptare ndaj projekteve të kësaj organizate, ndërsa nënvizoi zgjerimin e rrjetit të saj në të gjithë vendin, si një kontribut për mirëqenien dhe cilësinë e jetesës së shtresave në nevojë në Shqipëri.

Meta shprehu gatishmërinë e Kuvendit për të mbështetur rritjen e bashkëpunimit mes Rotary International dhe autoriteteve lokale, me qëllim rritjen e efikasitetit të projekteve të nisura dhe përmirësimin e shërbimit ndaj komuniteteve dhe shtresave më në nevojë në vendin tonë. /ATSH/

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)