Apeli i GJKKO-së s'e nxorri nga burgu, i sekuestruan vilat, Meta udhëzon nga qelia Partinë e Lirisë: Nisni protesta periodike kundër SPAK

Tirane- Një ditë pasi Apeli i GJKKO-së la në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg”, Ilir Meta i është drejtuar me një thirrje anëtarëve të Partisë së Lirisë dhe simpatizantëve, që të nisin protestat para godinës së SPAK.

Në një letër të hapur, të lexuar nga Sekretari i Përgjithshëm Tedi Blushi, në mbledhjen e kryesisë, kreu i Partisë së Lirisë i shkruan mbështetësve të tij se protesta duhet të jenë periodike, kundër arrestimit të tij dhe për të denoncuar aferat, që sipas Metës, SPAK i amniston.

“Organizoni protesta periodike paqësore kundër SPAK, denonconi aferat korruptive që SPAK po i amniston. Çmontoni këtë organizatë që i shërben narkoregjimit”, shkruhet ndër të tjera në letrën e tij, që e lexoi sot (20 Nëntor) në mbledhjen e Kryesisë, Sekretari i Përgjithshëm, Tedi Blushi.

Pasi lexoi letrën, Blushi u shpreh se "sot do marrim vendimin për të organizuar protestën e radhës para organizatës së SPAK", si dhe "luftës ballore me këtë narkoshtet dhe narkoregjim".

Qëndrimi i Metës në letër është tërësisht i ndryshëm nga ai i dy ditëve më parë kur po përmes një postimi nga burgu kërkoi që askush të mos protestonte para Apelit të GJKKO-së. Në postim ai thoshte se persona të paautorizuar prej tij do të protestonin përpara dyerve të Gjykatës së Posaçme të Apelit, më 19 nëntor, kur do të shqyrtohej ankimi i tij për ndryshimin e masës së sigurisë, por sic duket Meta ka ndryshuar mendje pasi u la në fuqi masa "arrest me burg".  

Kështu Ilir Meta i cili ndodhet në burg prej 21 tetorit 2024, ditën kur u arrestua do të vazhdojë të qëndrojë në paraburgimin e 313-s.. Apeli i GJKKO-së nuk ndryshoi as masën e sigurisë 'detyrim paraqitjeje",për Monika Kryemadhin me të cilën është në proces divorci. Ish presidenti i Republikës Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi po hetohen nga SPAK për 3 akuza: korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie në lidhje me dosjen e lobimit të LSI-së në ShBA dhe dosjen CEZ DIA. Në kuadër të këtyre hetimeve SPAK njoftoi edhe sekuestrimin e 2 vilave që janë në emër të Monika Kryemadhit dhe mamasë së saj, Fatime Kryemadhi në rezidencën VIP te "Kodra e Diellit" në Tiranë.

Letra e plotë e Presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta:

Dje Narkodrejtësia e Narkoregjimit afërmendsh vendosi të vazhdojë me masën ekstreme të arrestit me burg ndaj Presidentit të Partisë së Lirisë, forcës së dytë opozitare në vend dhe forca e tretë politike prej 20 vitesh në Shqipëri, vetëm për shkak të dyshimeve të pretenduara nga një treshe prokurorësh kamikazë të tipit të kohës së Sigurimit të Shtetit, siç është edhe prokurori i pafytyrë Arben Kraja, që dënonte të rinjtë në prag të viteve ’90 vetëm pse ishin kundër regjimit komunist, i cili është rikthyer përmes organizatës tashmë të provuar kriminale SPAK, e cila është dhunuesja më e spikatur ndaj Kushtetutës, Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, të ligjeve në fuqi dhe sidomos të pavarësisë së gjykatave, të cilat edhe dje afërmendsh vendosën nën diktatin e SPAK-ut, siç kryespakisti Dumani e ka deklaruar publikisht me krenari hapur.

Në respekt të një procesi të rregullt ligjor me përgjegjësi të plotë politike, ligjore dhe qytetare dje parashtrova para gjykatëses të gjitha argumentat dhe faktet që çmontojnë të gjitha dyshimet e (pa)arsyeshme të tre kamikazëve të Narkodrejtësisë dhe ju lutem të gjithëve që këtë fjalë ta lexojnë me vëmendje dhe ta shpërndajnë kudo. Por muret nuk dëgjojnë dhe po kështu edhe gjykatësit dhe gjykatëset që janë në diktatin e SPAK-ut dhe Edi Ramës, sepse procesi i sorosifikimit të drejtësisë është një fakt i kryer.

Duke theksuar gatishmërinë time për t’iu përgjigjur procesit të hetimit, por edhe gjykimit duke respektuar parimin e prezumimit të pafajësisë, madje theksova edhe gatishmërinë time për të m’u bllokuar pasaporta për të hequr çdo lloj pretendimi absurd të spakistëve se unë mund të tentoja të arratisesha gjë që mund ta kisha bërë me dhjetëra herë gjatë këtyre 5 viteve, që kur Altin Dumani mori përsipër të rihapë për herë të tretë çështjen CEZ-DIA, që ishte gjykuar disa herë, në dhjetor 2019 në kulmin e përplasjeve të mia si President me McGonigalët dhe Edi Ramën për të mos lejuar kapjen e Gjykatës Kushtetuese me betime si ato te noterja te Lana.

Unë thjesht kërkova që në bazë të përvojave europiane dhe asaj të fundit amerikane të lejohesha të ushtroja detyrimet e mia politike dhe publike ndaj jush që më keni zgjedhur për t’ju drejtuar dhe përfaqësuar pa iu shmangur hetimit si deri tani apo edhe gjykimit në të ardhmen. Por kamikazët spakistë ngritën shqetësimin që unë mund të prishja provat, të cilat nuk ekzistojnë asgjëkundi, ndërkohë që është e vërtetuar se janë ata që nuk kanë pasqyruar të gjitha provat që unë kam referuar në SPAK, që rrëzojnë dyshimet e tyre.

Edhe një ndër fansat më të mëdhenj të SPAK-ut dikur, Z. Baton Haxhiu, u shpreh publikisht se ishte i shokuar nga keqpërdorimi skandaloz që spakistët kishin bërë në këtë dosje nga marrja e tij në pyetje dhe mediokriteti i tyre profesional. E tillë është e gjithë fletërrufeja e tre spakistëve kundër Ilir Metës sepse sorosifikimi i drejtësisë mbështetet në krijimin e narrativave tendecioze dhe manipuluese dhe jo në respektimin e fakteve dhe provave.

E vërteta është se unë s’kam asnjë pozitë të prish provat, sepse s’jam as Kryeministër, as qeveritar, as Kryeparlamentar dhe as mund të ndërhyj në arkivat e institucioneve në Shqipëri apo edhe në SHBA.

Përkundrazi, e vërteta është se SPAK-u jo vetëm që fsheh fakte dhe prova që rrëzojnë dyshimet e tij tendencioze në bashkëpunim me Kryeministrinë, Ministrinë e Ekonomisë, Kuvendin, Prokurorinë, por edhe intimidon dëshimtarët dhe një pjesë të tyre i ka marrë peng përmes problemeve që ata kanë patur me drejtësinë në të kaluarën.

Pra përfundimisht tani që po caktohet data e zgjedhjeve të ardhshme, SPAK ka marrë detyrën të izolojë në burg Presidentin e Partisë së Lirisë pa asnjë akuzë dhe provë penale për t’i shërbyer verbërisht padronit të tij të vërtetë, Edi Ramës, në dëm të zgjedhjeve të lira e konkurruese.

Sepse Ilir Meta në gjendje lirie jo vetëm që do të kishtë mundësinë të çmontonte shpifjet dhe shpikjet e spakistëve në çdo studio e përpara opinionit publik, por edhe do të ushtronte plotësisht të gjitha aftësitë e tij politikëbërëse dhe organizative për fuqizimin e veprimit politik të Partisë së Lirisë, por edhe të gjithë opozitës.

Ndaj është detyra e të gjithë ju që besoni te Liria, Drejtësia, Demokracia, Sovraniteti dhe interesat kombëtare të shumëfishoni angazhimin tuaj publik dhe në terren për t’iu kundërvënë në mënyrë ballore dhe pakompromis Narkoregjimit, që synon shkatërrimin e opozitës përmes Narkodrejtësisë dhe spakistëve të kapur prej fyti nga regjimi.

Kërkoj nga ju që në përgjigje të kësaj sjellje armiqësore ndaj Partisë së Lirisë dhe Presidentit të saj, të organizoni protesta paqësore periodike përpara SPAK-ut për të denoncuar të gjitha manipulimet skandaloze të tyre me dosjen kundër meje si kryetar i partisë së Lirisë, por edhe të denonconi të gjitha aferat skandaloze të Edi Ramës, që SPAK-u jo vetëm nuk i heton, por që përpiqet t’i amnistojë thjesht duke dënuar disa bedela që nuk i duhet më Ramës.

Ndërkohë kërkoj nga të gjithë ju intensifikimin e punës tonë për afirmimin e 5 Prioriteteve  për 4 milion shqiptarë plus. Kjo është një betejë e vështirë dhe e pabarabartë, por kjo është prova më e madhe për secilin prej nesh për të treguar vlerat tona, atdhedashurinë tonë dhe patriotizmin e vërtetë. Ne do ta fitojmë këtë betejë për hir të ekzistencës së kombit tonë dhe do të jemi krenarë për sakrificat që po bëjmë e duhet të bëjmë. 

A.Q/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Iris: 21/11/2024 04:07

    Kur do te vendosej per fatin tend ne paraburgim,ti nuk doje protesta,tani qe te sekuestruan vilat,per te cilat ke thene qe jane prone e pergjegjesi e Monikes,kerkon te protestojne cdo dite per ty?! E cuditshme!

    Përgjigju
  • Po mër po: 21/11/2024 00:54

    Ti nuk bëje dot protesta kur kishe pasuri, jo të bësh tani që t'i kanë sekuestruar. Si do i paguash protestuesit? Se kot s'del njeri.

    Përgjigju
  • populli: 20/11/2024 21:09

    po.po.pirdh,pirdh,,se lirohesh....merrjani te gjitha,,edhe breket,,,se mjaft na kane vjedhur keta horra...

    Përgjigju
  • fiks-usta: 20/11/2024 20:26

    O ditezi, me ty e ka nje popull i tere perfshi dhe ata non-ekzistentet qe gjoja jane ne partine tende, se dhe ata i ke vjedhur indirekt. Per hir te ekzistences se kombit, ti duhesh te zhdukesh fare nga skena politike dhe me gjere bashke me ate kokelopen qe e kishe grua dhe partnere ne te gjitha keto pislleqe qe ja ke hedhur deri me tashti.

    Përgjigju
  • nari: 20/11/2024 18:43

    thuj metes hap gojen per qeverine dhe nderkombetaret ai di shume gjera mos bej burg dhe te tjeret jasht

    Përgjigju
  • Monaka: 20/11/2024 17:54

    Vetem po te jesh budalla ,idiot, te dalesh te protestosh kunder spak per te mbrojtur nje hajdut.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë