Presidenti Ilir Meta iu është bashkuar urimeve të shumta për festën e Krishtlindjes. Meta ka uruar besimtarët në mbarë vendin në emër të tij dhe të familjes, ndërsa ka zgjedhur të njëjtën foto si bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi, për të përcjellë urimet.

Në ‘Facebook’, Presidenti i Republikës uron që kjo festë e bukur e Krishtërimit të sjellë më shumë shpresë, lumturi e qetësi, dashuri e besim, harmoni e mirëkuptim dhe të forcojë më tej paqen në familje e në shoqëri.

“Të dashur miq, Në këtë Ditë të Bekuar, unë dhe familja ime duam t'ju shprehim urimet më të mira e të përzemërta, të gjithë besimtarëve të krishterë shqiptarë: Gëzuar Krishtlindjen! Kjo festë e bukur e Krishtërimit, që mishëron vlera hyjnore dhe njerëzore, uroj të sjellë më shumë shpresë, lumturi e qetësi, dashuri e besim, harmoni e mirëkuptim dhe të forcojë më tej paqen në familje e në shoqëri, mes njerëzve e mes popujve, të sjellë begati sociale dhe përparim të njerëzimit. Të përpiqemi në këtë ditë të shenjtë të mos harrojmë të vetmuarit, njerëzit në nevojë dhe të sëmurët për t’u dhënë shpresë dhe besim. Gëzuar nga mot Krishtlindjen!”, shkruan Meta.

d.c./shqiptarja.com