Metafora të dhimbjes në librin e Dritan Mesulit

Metafora të dhimbjes në librin e Dritan Mesulit

Dritan Mesuli

Është një libër i veçantë ky i poetit Dritan Mesuli me titullin simbolik “Mesha e Gurit”,që u promovua ne Ambasadën Shqiptare në Athinë dhe që  paralelizon bukur me qëndresën e gurit dhe të nje meshe përreth tij.

Mesha e Gurit “ është e tëra si një metaforë mistike e qënies, që lidhet me jetën dhe vdekjen, me shpresat e besimin, me ropatjet ne dhe të huaj dhe me qëndresën, me zhgënjimet e pendesën, me hijet dhe dritën. Guri shndërrohet në një objekt e subjekt shpirtëror në një terren real të qënies së poetit. I ndarë në gjashtë cikle, kapituj e libra më vete, ka të njëjtin strumbullar të tematikës e të frymëzimit poetik: brengën e shpirtit që krahasohet me plasaritjen e gurit. 

Mesha për të cilën aludon se bëhet është një shqetësim për shpirtin e tij të munduar rrugëve të jetës. Dhe prej këndej burojnë edhe nje mori metaforash për filozofinë e egzistencës vetiake por dhe me tokën, qiellin dhe detet që kapërcen ai në udhëtimin e pafund. Flet për “metafora të mbrujtura në nxitim e sipër” e përherë nxiton ky poet i mbingarkuar nga dhimbja e vuajtje të përhershme, derisa të “pëlcas siç pëlcet guri” nga “plagët” e tij. Se edhe “guri na quan gur” , - shprehet ai.

Në ciklin e parë, ku konceptohet fëmijëria e rinia e tij ndodhet një grupim i madh poezish të vitit 1999 që mesa duket janë vargëzimet e fillimit si edhe ato te rrugënisjes, përmes të cilave ai flet për nënën e vet me dhembshuri, për të dashurën e zemrës, për udhët e pafundme nëpër botë, pasi e djeshmja i duket “si rreze e mbetur në copa xhamash”. Ai ka një pështjellim shpirtëror që e vret gradualisht dhe sikundër shprehet, :”Barres rrugëve/Me një ndjenjë patriotizmi të përdhunuar!/ Si në një jetë qeni, duke pluguar muzën” e tij.

 

“Mos më pyet nëse ka mbetur gjësend brënda nesh nga krishti”, shprehet poeti në një çast, duke shtuar se “Mirëpres vdekjen, ndërsa numëroj kështjellat e rëna të shpresës”. Në një realitet të ashpër, ku poetit i duhet të kthehet në një “bregpritës dallgësh” nga  coprat e shpërndara të Posedonit, si copa jete, copa qiejsh.  “Pa asnjë shpresë/.. Do ti brejë kockat padurimi,” – thotë ai.

 Në ciklin e dytë “ Ungjilli Modern” poeti gjendet i ulur mbi “plagë të gurit”, sepse sipas tij do të ndodhë “mrekullia e pritjes” ku dëshiron “ta shqyej zemrën/..përtej në brigje,/ku ëndrrat janë përsëri ëndrra”. Metafora poetike bëhet kësisoj në përmasat e një dhimbjeje kozmike. Dhe është përsëri në mëdyshje e përsëri do të “ndeshë gurë që vërtet flasin, pemë që këndojnë”. Metafora që përdor poeti duket sikur është e njëllojtë, por vështrimi i shpirtit e tejkalon këtë gjëndje kaotike. Kujtimet e vendlindjes i sjellin në mendje poezitë e hershme të Migjenit të cilat janë ngjitur në vetëdijen e tij. “Gjurma jote” - i thotë ai Migjenit, / Altar gjigant zoti/ Dhe përsëri guxoj / unë biri i mijëvjeçarit të ri/...Me ty më mjafton dhe dhimbja”,- i thotë poeti poetit! Në këtë pozicionim, poetit të ri i lind në vetvete njëfarë dritësimi në “kërkim të diellit”!

Qoftë edhe kur i kujtohet e dashura e nis të këndojë ndryshe. “ Ka vetëm një rast / kur nis dhe mendoj për ty/...dhe ribëhem!“. Ndërsa me tutje hedh në letër disa vargje brilante që rrokin hapësirën dhe shpirtin e lexuesit. “Në vargje kam mbijetuar/ si historia e mërgimtarit që “s’u kthye kurrë/. Dhe shtrati bashkëshortor/ u dogj nga malli i pritjes”. Si të ishte malli i përvëluar i Ulisit për Penelopën qe endëte të puthurën e pritjes së gjatë e të ëmbël. Kjo ripërsëritje momentale e poetit të mërguar është yshtni nga malli i një dashurie të përjetuar thellësisht, kur hyjnore ështe jeta dhe vdekja me një “trandje të vetvetes”. Dhe vjen po aty ku ka qënë trishtimi i tij i njëhershëm. “ Në ç’varrezë fjalësh prehet mbreti im i këmbëngrihjes?”

 Në ciklin e tretë “ Fjalët e Rruzares”, në kompleksitetin e ndjesive njerëzore të poetit, posa “çelin dertet e kujtimeve që i përvëlojnë shpirtin në largësi. Dhe kërkon tek vetja që ti zgjohet “Ninulla e pavdekësisë”, duke përmëndur vashën, nënën, vendlindjen dhe gjithë rrënjët e tij. (” Më janë ngatërruar rrënjet!). Mirëpo nuk di pse flijohet në rrugë të tjera, në pllaka trotuarësh me neonë!. Po edhe këtu gjen e thotë një metaforë të dhimbshme: “ Në ecjen teme të heshtur / zogjtë mbyllin sytë!/”. Dhe atij, poetit “shkëlqimi i rremë/ i vret sytë!”. E këtu ai do të bëhet nje fjalëpunues që gdhend edhe gurin, sikundër shprehet dhe në metaforën pasuese. Në poezinë e gjatë “ Monologu i statujës” që poeti e ka qëndisur me motive të vetvetishme, që flet për djepin e vetvetes në dhe të huaj, është kthyer në një statujë që flet, po që është brënda një kafazi famkeq që ndrydh instikte dhe liri e ku mjerisht mjeroj vetveten/ ku hap varrin tim çdo ditë (!) dhe shoh në ëndrrat e natës se si  ringjallen statujat ne vendin e poetit që shkruan. Rrënqethëse edhe kjo pamje e vetvetes në zgrip.. 

Në këtë kapitull të librit ai flet shumë herë për fundin e vdekjen e tij edhe pse thotë:”spo mundem me vdek! Ashtu , me shpirt tue u ropotë me dhanë shpirt. Ky pesimizëm me përmasat e një fataliteti e shoqëron atë e pulson vazhdimisht! Por do të ndjeje  e “shkruajtun gojëdhanën e vet/  vetë  guri/ një ditë.” “Dhe guri qesh” përfundon poeti në do vargje pa emër me metaforën e shkelqyer të gurit që qesh, si të ishte një njeri me shpirt. E përsëri do të kemi një paralele Migjeniane me “ malin që s’bëzan” kur shkon me nje imitacion direkt me të, se : “me mujtë/ me ia shky me dhamb fytin/ trishtimit !”. Ja se si ndërthuren vegimet poetike kur dhimbjet afrohen tinëz! Duke e përfunduar këtë paragraf të ciklit që është realisht si një libër më vete, sikur të vjen në mendje e në shpirt njëfarë kthjellimi në botën e tij te dyzuar.

Në ciklin e katërt “Ngjyra”,  shprehet edhe më mirë, si në pasqyre, gjendja e këtij kompleksiteti të autorit i cili e quan veten si “armikun qe nuk mujta me urrye kurrë: ! Ai e pranon veten ashtu siç është, “me vrullin pushtues të stuhisë dhe ujëvarë ngjyrash” Mirëpo ndodhet larg tani e shkruan nje poezi të “zezë”, një tjeter për çmendinë e nje tjetër akoma për utopinë, për eklipsin e Hënës, pa harruar të shkruaj për “këpucët” që i shtrëngojnë këmbët dhe që e shpien nëpër brigjet e “askundit” E i duhet të kujtojë e të vajtojë përsëri për Odise Elitin : “Krisht/ në kërkim të kryqit / tu e ndjell vdekën/. S’lashë vënd pa t’kërkue / .. Ky pesimizëm i thelle poetik zapton gjithkund faqet e këtij libri e do ta shpjerë autorin në “ shembjen e dëshirave” dhe te “andrrave të mbetuna”: Kjo atmosferë gri e shtyn autorin të shkruajë poezinë “Gri” ku zë vend edhe titulli qe nxorra për shkrimin tim: “ Metafora të mbrujtura në nxitim e sipër”, që bën fjalë për këtë “Ranie dhe për  këmbanat që kumbojnë “

Në ciklin e pestë ka më tepër  “Poezi e fjalë ....Fillesë e Rrjedhë”, sikundër i quan ai,ku përfshin dëshira të mëdha në “rrokullimë andrrash”. Këtu ndërron stili i autorit, bëhet me konciz, më fjalëpakë, e hera herës radhit në letër edhe vargje vertikale por edhe hajkë, vargje me tre katër radhë por edhe togfjalësha që ngjajnë si trille të poetit e prirje nga poezia moderne. Por le te themi se poeti është dhe mbetet realist, i thjeshtë dhe i vërtetë. Ja psh një poezi e tillë: “ Shpëtim e Rrënim?/ Nuk të thashë kurrë fjalët që prisje”. Kështu, me tre rreshta e ka kryer misionin e tij poetik. E kjo tingëllon si “këmbana e zgjimit” të tij.I kujtohet rishtazi vendlindja e tij, Lezha, i faniten në kujtesë gurët e udhës, kalldrëmete fshatit, bile dhe veten e quan “gur i latuem i urtësisë! Vetëm poeti është mbërthyer tani edhe nga makthi i qytetit metropolitan e i rrethuar nga “bij kurvash” që deshifrojnë labirinthe vorbullash e kurthesh e përsëri e përsëri do të vajtojë për poetin e madh të këtij vendi fqinj, Odise Elitin që nuk vjen më, duke i thënë atij se “ E gdhena edhe ma kryqin” !

Në ciklin e gjashtë “Mesha e Gurit” prej të cilit ka marrë titullin gjithë libri i tij, poeti shfaqet përsëri i pashpresë dhe kujton sizifin që i merr rrokullimën guri duke ngjitur malin e lartë. Ai thotë se po “ Theqafem / me besim të shtuem/ Krisht i flijuem”. Ajo dritë që donte e që kërkonte të shihte poeti i ardhur në metropolet e mëdha i ngjan si “ Farë i shuem/ në mes askundit”!” E pas pak do të shprehë në vargje konçize gjithë filozofinë e tij të rënies përsëri e pësëri : “Ti u shembe / si kisha/ që nuk u bujt kurrë/ prej shejtit!”E këtu mbaron dhe universi i dhimbjes së poetit Dritan Mesuli, që për mua përbën një vlerë letrare të qenësishme, që të imponon respekt për tu renditur në letrat shqipe.

Duke përfunduar dua të nënvizoj se në këtë vëllim voluminoz e gjithëpërfshirës të jetës së poetit e që bëhet pazgjidhshmërisht edhe e jona, e realitetit tonë shoqëror, duket se ngërthehen shumë mirë, jo gjashte cikle por gjashtë libra njëherësh.. Sepse ato i lidh i njëjti zinxhir i mendimeve dhe i nocioneve të ndjera e të forta të jetës së një emigranti me shpirtin e tij të dyzuar. Aty është vetvetja por edhe një realitet i ashpër. Është dhe një përpjekje e tij, siç thotë , “në ecje e sipër”. Në këtë rrugëtim pafund rropatet, vepron, endet, guxon, por edhe e humbet “pusullën”, bëhet pesimist, mistik, e shpesh i fanitet vdekja. Vetëm se ka nje metaforë të gjetur bukur, duke e krahasuar veten me gurin, që është po aq frymor sa edhe njeriu, me gurin e plasaritur  që nganjëherë çahet sikundër “çahet” edhe zemra e tij , por edhe guximi. Ai është një shkëmb i ngulitur në mal, që nuk shembet lehte. Me atë gur që simbolizon njeriun e fortë. Pra poeti bën këtu një paralelizëm metaforik. Po edhe nje meshë, “Meshën e Gurit” .Natyrisht që nuk mund të ketë një funksionim të tillë. E kjo nuk është mistikë e teologjisë, por një besim , si të ishte një fanitje e shpirtiti të pastër njerëzor që e kapërcen sferën e teologjisë kristiane. Është një gjetje poetike, një metaforë e rrallë dhe e bukur. I tërë libri i Dritan Mesulit është i tejmbushur edhe me matafora të tjera që shprehin dije e talent nga ana e tij . Ja disa prej tyre: “Gure që flasin” , “Plaga e gurit”,  “Statuja uji”,”Mozaik yjesh”.etj. Kështu, metafora si simbol poetik i shprehjes estetike, e bën edhe me te bukur poezinë në nje përsiatje të stilit të poetit.

E prej këndej duhet të dalim me disa vërejtje e kritika ndaj autorit i cili. është treguar i nxituar e i pakujdesshëm në botimin e këtij libri me vlerë fort të pasur me meditacione letrare. Aty gjen një mori gabimesh ortografike e drejtshkrimore të cilat ulin vlerat e librit. Se libri i tij nuk ka as redaktor dhe as korrektor letrar.

Po kështu dhe shtypshkronja e papërgjegjshme që e ka marrë dhe botuar këtë libër në atë gjendje. Një punë kaq e madhe krijuese e nje frymëzim poetik kaq i begatë të krijon një ndjesi keqardhjeje për te mos thënë një revoltë për të mos thënë një sakrilegj ndaj artit e letërsisë së vërtetë ku duhej të kishim një Altar të së bukurës. Gjithsesi e mira, e bukura ia kalon se keqes dhe së shëmtuarës.

Urime Dritan! Fort bukur e radhit veten ne ate plejade poetesh Lezhjan, sikundër jane: Ndoc Gjetja,  Ndoc Papleka,  Rudolf Marku, Prec Zogaj, Agim Isaku etj, duke vendosur edhe ti nje “gur qe flet!”

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Sulm me thikë në zemër të Londrës, por të gjithë presin hetimet

Sulm me thikë në zemër të Londrës, por të gjithë presin hetimet