UKRAINE- Ekipi i Kukësit ka udhëtuar për në Ukrainë për t’u ndeshur në një tjetër ndeshje tejet të rëndësishme në kompeticionin e Europa League.

Pas aktit të parë në Tiranë përballë ekipit të Metalurgut, sot në orën 18:15 ekipi i Kukësit do të zbresë në fushën kundërshtare për të provuar se e meriton kalimin në turin tjetër që është edhe ‘play – off’ përpara fazës së grupeve. Grupi për këtë ndeshje është i plotë dhe gati për të dhuruar shou-in e radhës sikur deklarojnë në grup të gjithë futbollistët.

Trajneri Armando Cungu para ndeshjes, e cila pa frikë mund të konsiderohet më e rëndësishmja në historinë e këtij klubi, pasi për herë të parë shkel në këtë terren të panjohur, shprehet optimist për një rezultat pozitiv që do ti kalonte automatikisht në turin tjetër.

“Zbresim të qetë në fushë, pasi kemi marrë një fitore të merituar në ndeshjen e parë 2-0 në Tiranë. Por, kjo nuk do të thotë që do të kthehemi në mbrojtje të këtij rezultati, përkundrazi do të luajmë për fitore, grupi është në gjendje shumë të mirë dhe i super motivuar për të marrë maksimumin në cdo ndeshje. E vlerësojmë kundërshtarin, pavarësisht humbjes në Tiranë dhe shkarkimit të trajnerit, nuk duhet të besojmë te kriza. Uroj që në fund të marrim një rezultat pozitiv që do të ishte një tjetër faqe e ndritur në historinë e këtij ekipi” deklaron ai.

Ndërsa Presidenti Gjici u ka rikujtuar edhe njëherë djemve të tij presion 200 mijë euro dhe mbështetjen maksimale nga ana e drejtuesve. Pas thirrjes Gjicit në ‘A1REPORT’ për mbështetje nga ana e Federatës Shqiptare të Futbollit, institucioni me në krye Dukën ka reaguar duke vendosur një premio 100 mijë euro në rast të kalimit të turit, pra nëse mundin Metalurgun dhe kalojnë në ‘play- off’.

Nëse ekipi i Kukësit do të kalonte këtë fazë do të merrte një shpërblim nga UEFA që kap shifrën e 1.2 milionë euro, përvec të drejtës televizive, pasi ka shumë gjasa që shorti ti rezervojë ekipe si Totenhemi apo Fiorentina, por më parë duhet kaluar Metalurgu.

Shkrimi u botua sot në gazetën “Shqiptarja.com” (print) 08.08.2013
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)