Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta sulmuar sërish kryeministrin Edi Rama duke e cilësuar si ‘i pafytyrë i Rilindjes’ që ka shkaktuar shpopullimin e Shqipërisë por përpiqet të fajësojë BE. Sipas Metës, qeveria nuk po bën asnjë përpjekje për të rritur pagat e tyre e për të përmirësuar kushtet e punës por vidhen përmes aferave.

Me fotografinë nga protesta e 2 marsit, Ilir Meta shkruan se ka ardhur koha për ta ndëshkuar këtë sekt të papërgjegjshëm, shpopullues e antikombëtar.

"I pafytyri i “Rilindjes” kërkon të fajësojë Bashkimin Europian dhe vendet e zhvilluara për shpopullimin e qëllimshëm që ai me sektin e “Rilindjes” i kanë bërë vendit tonë duke goditur shtresën e mesme, intelektualët dhe profesionistët në radhë të parë, me demotivimin financiar dhe moral.

 Ndaj Shqipëria është e fundit në rajon për nivelin e pagës të arsimtarëve, pedagogëve, mjekëve, infermierëve dhe intelektualëve.

Sepse të ardhurat që duhet të shkojnë për të rritur pagat e tyre dhe përmirësuar kushtet e punës vidhen nga Edvin Rama përmes aferave si inceneratorët, koncesionet, PPP, tenderat sekretë dhe çmimet më të larta në Europë të karburanteve.

Koha për ta ndëshkuar këtë sekt të papërgjegjshëm, shpopullues dhe antikombëtar!" - shkroi Meta.

Shpopullimi ka qenë një ndër akuzat e artikuluara shpesh nga opozita, sidomos nga ish kryeministri Sali Berisha, tashmë aleat me Ilir Metën. Të dy pretendojnë se do të arrijnë të rrëzojnë qeverisjen e Edi Ramës dhe do të sjellin transformimin e Shqipërisë.