TIRANE- 150 kilometra larg Tiranës, në një ditë të butë vjeshte, A1 Report dhe Shqiptarja.com udhëtojnë drejt Vlorës. Për të zbuluar jetë njerëzish. Dhe për ta sjellë syrin magjik të kameras mes vreshtave me ullinj dhe me rrush, në perlën e lashtë, që dikur mbante emrin Aulona. Dhe që, për koincidencë, e takojmë edhe tek personazhi i reportazhit tonë, që mban gjithashtu emrin e bukur Aulona. Ajo është drejtoreshë në Qendrën e Transferimit të Teknologjive Bujqësore në Vlorë dhe, prej 15 vjetësh, si specialiste e këtij institucioni, i ka dhënë frymën dhe energjitë e saj pozitive këtij instituti.

Një e dhënë e shkurtër gjeografike. Qendra e transferimit të teknologjive bujqësore ndodhet në një kodër të lartë, ballpërballë detit dhe kriporeve të lashta. Ndërsa nga ana e majtë, ballpërballë edhe me fshatin e bardhë Novoselë. Aulona Veizi Beqiri nuk ka shumë kohë në rolin e drejtueses, vetëm një vit. Por suksesi i punës së saj është i prekshëm, i dukshëm. Ajo thotë se QTTB është shëndrruar në një organizëm të fuqishëm në mbështetje të fermerëve të vegjël dhe të mëdhenj në Vlorë dhe në të gjithë vendin.

Se Instituti, që ajo drejton, ka nën administrim një sipërfaqe prej 33 ha tokë dhe, në ndihmë të prodhimit të këtij Instituti shërben një serë fidanash, serë që drejtohet dhe ku punon një staf i përgatitur menaxherësh, agronomësh, inxhinjerësh, bujqish dhe specialistësh të zot. Në ndihmë të Qendrës së Transferimit të Teknologjive Bujqësore funksionon prej vitesh edhe një laborator modern, i vetmi i këtij lloji në Shqipëri, i cili garanton suksesin e farërave dhe bimëve autoktone kryesisht, qysh në embrion e deri në marjen e prodhimit, bimë foragjere, fruta dhe bimë të tjera arash dhe vreshtash. Aulona shton se QTTB mban marëdhënie partneriteti me disa qendra të tjera të tilla në Europë, në Itali kryesisht, por edhe në SHBA dhe Kanada dhe, sa i takon partnerëve brenda vendit, ajo citon qendrat e Shkodrës, të Sarandës e Tiranës.

Elektra dhe sera e fidaneve
Në laboratorin e qendrës është laborantia Elektra Papakosta, me një stazh të gjatë pune, ajo që bën më të mirën për fermerët e vegjël të zonës, për bujqit dhe të gjithë ata, që kërkojnë të dhëna laboratorike për bimët e vreshtave dhe frutikulturën. Përmes një gjuhe bashkëpunuese me drejtoren e qendrës, Elektra është gjithmonë aty, me syrin mbi mikroskop dhe në epruvetat dhe gotat e qelqta në frigoriferin e madh, për të eksperimentuar dhe sjellë varietete nga më të mirat, në bazë të porosive që vijnë nga klientët e shumtë.

Këtu, nuk është vetëm ulliri autokton bima dhe fruti, që studiohet dhe shumfishohet përmes ekzaminimit dhe shartimit, por edhe mjaft bimë dhe fruta të tjera, që banorët vendas mbjellin në kopshtet dhe vreshtat e tyre. Kështu, dardha, shega, kumbullat, rrushi, portokalli,  mandrina dhe limoni, janë gjithashtu në skedarët dhe raftet e shumtë brenda laboratorit, si një provë e madhe e suksesit të QTTB, laboratorit dhe serës së prodhimit. Lemë pas Elektrën dhe laboratorin e saj dhe ulemi pak më poshtë, tek sera. Një zhurmë makinash gumëzhin brenda mjediseve gjigande të serës. Ndërsa, kur hyjmë brenda, syri lëviz në një sipërfaqe të sheshtë dhe të gjelbërt, ku fëshfërijnë gjethet emijra fidanëve ullinjsh.

Disa puntorë shkojnë e vijnë brenda serës me fidanë në duar. Është brigade e bimëve të ullirit autokton, ajo që ngarkon mbi një kamionçinë mbi 1500 rrënjë ullinj. Kamioni mban targa të Elbasanit. Një fermer i mesëm ka bërë porosi prej disa javësh dhe sot është dita e furnizimit, ose e blerjes së fidanëve.

“Përse keni zgjedhur ullirin e Vlorës dhe jo një tjetër? Ate të Beratit, psh…” - e pyes. “Sepse ky është një ulli i fortë dhe jetgjatë, që jep shumë prodhim, që nxjer vaj shumë të mirë dhe që natyrisht të garanton sukses. Ulliri i Vlorës është me nam, plus ofertave shumë të mira që bën QTTB, si një mbështetëse jona.”

Në Novoselë   
Kur thua Novoselë, ke thënë vreshta me ullinj, me rrush, me dardha, fiq dhe shegë. Këtu, jo vetëm shtëpitë në disa fshatra të kësaj komune, por edhe ato të qendrës së Novoselës, janë “përmbytur” nga gjelbërimi i drurëve frutorë dhe nga vreshtat, të mëdha e të vogla. Kanan Shakaj, kryetari i komunës, na mirëpret në oborrin e institucionit që ai drejton dhe, ku sheh që jemi edhe me Aulonën, atëhere biseda nis menjëherë mbi mardhëniet e partneritetit mes QTTB dhe komunës Novoselë.

Kanani, një njeri energjik dhe i saktë në ato që thotë, kujton se sivjet, për fat të keq, vreshtat e ullinjve nuk dhanë shumë prodhim dhe kjo, i ka bërë të mendojnë që në të ardhmen të gjejnë “ilaçin” e zgjidhjes së këtij problem; ate të prodhimit një vit jo e një vit po të kësaj bime, pa të cilat jeta e vlonjatëve nuk ka kuptim, thotë ai duke buzëqeshur. Ulliri është aleati ynë më i mirë, në të mirë e në të keq dhe atij i falemi, si vetë tokës. Më tej, duke ju drejtuar Dianës, ai thotë se QTTB mund të bëjë më shumë për bujqit dhe fermerët e vegjël sidomos, në drejtim të ndihmave me varietete të përzgjedhura të mirë të frutave që rriten në fshatrat e Novoselës.

Sivjet ka rënë shumë edhe miza në gjethet dhe lulet e drurëve frutorë dhe bujqit kërkojnë asistencë teknike, por edhe asistencë financiare, për t’ja dalë mbanë me punët e vreshtarisë. Aulona pohon me kokë dhe i kujton mikut të saj, Kananit, se QTTB është e hapur dhe pranon çdo propozim, shto këtu edhe plotësimin shpesh herë edhe falas të nevojave të bujqve të varfër sidomos, me varietete ullinjsh autoktonë dhe të drurëve frutorë, që kultivon qendra, që ajo drejton.

Familja Hysa
Aty, shumë pranë godinës së komunës Novoselë, në një rrugicë të vogël ndanë rrugës kryesore, gjendet shtëpia e çiftit Trëndelina dhe Kozma Hysa. Trëndelina është me origjinë muslimane, ndërsa Kozmai i krishterë ortodoks. Janë mbi 50 vjeç të dy dhe sillen, sikur të jenë martuar dje; buzagaz dhe qafë më qafë me njeri tjetrin. Të dy njerëz shumë të mirë, mikpritës dhe mbi gjithçka, shumë puntorë. Oborri duket i vogël në pjesën e përparme të shtëpisë dhe është i mbushur me portokallë, mandarina dhe limona.

Ndërsa në pjesën e pasme të shtëpisë, ne “zbulojmë” një minifermë të familjes Hysa. Një lopë, disa dhi racë franceze, dhe kopshti mbushur me gjela deti, me rosa, pata dhe lepuj. Ah, çfarë i duhet më shumë një familjeje në një fshat, që vështirë ta dallosh nga një qytezë e vogël?! Unë hyj në dialog me Trëndelinën. Ajo më thotë se zgjohet shumë herët, qysh në 5 të mëngjesit, për t’i shërbyer lopes, dhive dhe shpendëve që ka në shtëpi. Më pas, thotë ajo, së bashku me Kozmain shkojmë në tokat tona, tek vreshti i ullinjve.

Atje mbjellim gjatë vitit edhe jonxhën, misrin dhe bimë të tjera, me të cilat ushqehemi. Sivjet, thotë ajo, bëri thatësirë dhe e kemi pasur problem me vaditjen e ullinjve dhe të fushës. Por, merakun më të madh, thotë Trëndelina, e kam me prodhimin. Ne nuk kemi një pikë grumbullimi të prodhimit dhe produktet, portokallet, mandarinat, limonin, i nxjerrim në treg pothujse falas. 140 lekë të reja kushtion në Tiranë 1 kg. mandarina. Me 40 lekë na e mer ne shoferi i një furgoni, që e mer pastaj dhe e shet në tregjet e qyteteve. Pak, shumë pak.

Ndërsa një pikë e mirë grumbullimi do të ishte më e mirë për ne, sepse ato punojnë me të tjera standarte dhe me kontrata. Po vjen fundi i vitit. Fëmijët nëpër rrugët e Novoselës kanë nisur të ngrenë tollumbacet shumëngjyrëshe të krishtlindjeve. Mirëse të vini festa të gëzuara dhe të bukura! Për Aulonën, si drejtuese të QTTB dhe për të gjithë vreshtarët e Vlorës!

aulona beqiri
























Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 23 Nëntor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)