Sheshi “Skënderbeu” në Prishtinë është mbushur me mijëra qytetarë që i janë bashkuar marshit “Drejtësi, jo politikë”. Turma ka zënë hapësirën qendrore të kryeqytetit, ndërsa pjesëmarrësit mbajnë flamuj dhe pankarta në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Pamje nga tubimi 

Marshi organizohet në solidaritet me Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, të cilët po gjykohen në Hagë për akuza që lidhen me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Ish-drejtuesit e shtabit të përgjithshëm të UÇK-së i kanë mohuar të gjitha akuzat.

Atmosfera në shesh është e zjarrtë pavarësisht motit të keq, ndërsa organizatorët pritet të mbajnë fjalimet e tyre para turmës së mbledhur në qendër të Prishtinës.