ITALI - Me kohën 1 minutë 20 sekonda e 57 të qindtat, Denni Xhepa ia ka dalë të mbyllë lëshimin e parë në Skitë Alpine për disiplinën e Slalomit Gjigant dhe të kualifikohet për lëshimin e dytë që fillon në orën 13:00, për Olimpiadën Dimërore 'Milano Cortina 2026'.

Koha e skiatorit shqiptar nuk ishte më e mira, kjo edhe falë pistës që me kalimin e minutave e humbi shpejtësinë. Xhepa është 6.65 sekonda pas liderit nga Brazili, Pinheiro Braathen Lucas, i cili u nis i pari dhe vendosi një kohë që nuk u kap nga askush, 1 minutë 13 sekonda e 92 të qindtat.

Në këtë garë marrin pjesë 81 skiatorët më të mirë të botës dhe Xhepa ia ka dalë të mbyllë lëshimin e parë, duke marrë të drejtën për të qenë pjesë e lëshimit të dytë që nis në orën 13:00 të kësaj të shtune.

Kjo e sotmja është gara e dytë e Denni Xhepës në këtë Olimpiadë, pasi më 11 shkurt ai konkurroi në disiplinën e Super Gjigantit duke u renditur në vendin e 34-t nga 42 garues.

Të dielën më 15 shkurt do të debutojnë në 'Milano Cortina' edhe Lara Colturi e Semire Dauti në Slalom Gjigant për femra.

Kujtojmë se kjo është hera e parë që vendi ynë përfaqësohet nga katër sportistë në një Olimpiadë Dimërore. Skiatorët Lara Colturi, Denni Xhepa, Lisa Brunga dhe Semire Dauti janë sportistët e Shqipërisë në 'Milano Cortina 2026'.

Kalendari i plotë i garave të sportistëve shqiptarë në 'Milano Cortina 2026':

Më 11 shkurt: Denni Xhepa mori pjesë në garën e Super Gjigantit që filloi në orën 11:30 në Bormio.

Më 14 shkurt: Denni Xhepa merr pjesë në disiplinën e Slalomit Gjigant që starton në orën 10:00 në Bormio.

Më 15 shkurt: Lara Colturi dhe Semire Dauti do të marrin pjesë në disiplinën e Slalomit Gjigand në orën 10:00 dhe lëshimi i dytë në 13:30 (nëse kualifikohen) në Cortina D’Ampezzo.

Më 16 shkurt: Denni Xhepa merr pjesë në disiplinën e Slalomit në orën 10:00 në Bormio.

Më 18 shkurt: Lara Colturi, Lisa Brunga dhe Semire Dauti do të marrin pjesë në disiplinën Slalomit në orën 10:00 dhe 13:30 lëshimi i dytë (nëse kualifikohen) në Cortina D’Ampezzo.