BORMIO, Itali - 96 skiatorët më të mirë në botë do garojnë sot në disiplinën e Slalomit në Olimpiadën Dimërore 'Milano Cortina 2026'. Pjesë e garës është edhe Denni Xhepa, skiatori i Shqipërisë.

Për 22-vjeçarin kjo do jetë gara e fundit në këto Lojëra, pasi u rendit në vendin e 34-t në disiplinat e Super Gjigantit dhe Slalomit Gjigant. Lëshimi i parë i sotëm nis në orën 10:00, ndërsa Denni është i 50-ti në listën e garimit. Shqiptari do duhet të mbyllë garën për t'u kualifikuar më pas në lëshimin e dytë që nis në orën 13:30 të mesditës së sotme. Pjesë e kësaj gare do jetë edhe Drin Kokaj, skiatori i Kosovës.

Dje në Cortina d'Ampezzo Shqipëria u përfaqësua me dy skiatore në garën e vajzave për disiplinën e Slalomit Gjigant. Lara Colturi u rendit e 16-ta në finale, paçka se iu afrua podiumit pasi në lëshimin e parë u pozicionua në vendin e katërt. Ndërkohë Semire Dauti debutoi me fanellën kuqezi në vendin e 44-t.

Shqipëria do e mbyllë konkurrimin dhe ëndrrën për një medalje olimpike dimërore më 18 shkurt, kur Lara Colturi, Lisa Brunga dhe Semire Dauti do konkurrojnë në disiplinën e Slalomit.

Kujtojmë se kjo është hera e parë që vendi ynë përfaqësohet nga katër sportistë në një Olimpiadë Dimërore. Skiatorët Lara Colturi, Denni Xhepa, Lisa Brunga dhe Semire Dauti janë sportistët e Shqipërisë në 'Milano Cortina 2026'.