Lojërat Olimpike Dimërore 'Milano Cortina 2026' vazhdojnë të prodhojnë rezultate spektakolare dhe rekorde historike, me protagonistë që kanë shkruar emrin e tyre me shkronja të arta në sportet e akullit dhe borës. Kështu ishte edhe dita e dielë, teksa holandezja Femke Kok vendosi një rekord të ri olimpik në patinazhin e shpejtësisë.
Norvegjezi Johannes Høsflot Klaebo fitoi medaljen e nëntë olimpike, ose të katërtën në këto Lojëra për skitë e distancës. Në Biathlon, suedezi Martin Ponsiluoma u shpall kampion olimpik.
Femke Kok e artë me rekord olimpik në 500 m
Holandezja Femke Kok ka fituar medaljen e artë në patinazhin e shpejtësisë në 500 metra për femra, duke zhvilluar një garë perfekte dhe duke ndalur kronometrin në 36.49 sekonda, kohë që përbën rekord të ri olimpik. Pas saj u rendit bashkëkombësja Jutta Leerdam me 37.15, që mori argjendin, ndërsa japonezja Miho Takagi siguroi bronzin me kohën 37.27.
Klaebo “jashtëtokësor”, katër medalje ari dhe rekord historik
Norvegjezi Johannes Høsflot Klaebo vazhdon të dominojë skitë e distancës, duke udhëhequr Norvegjinë drejt medaljes së artë në stafetën 4×7.5 km për meshkuj.
Ky sukses shënon medaljen e tij të katërt të artë në këto Lojëra dhe të 11 olimpike në total, duke u bërë skiatori i parë në historinë e “cross-country” që fiton nëntë medalje ari olimpike.
Franca, me në krye Mathis Desloges, mori medaljen e argjendtë, ndërsa Italia riktheu emocionet para publikut vendas në Val di Fiemme, duke fituar bronzin e parë në këtë disiplinë pas Torino 2006, falë kuartetit Graz - Barp - Carollo - Pellegrino.
Ponsiluoma kampion olimpik në Biathlon
Në Biathlonin për meshkuj, suedezi Martin Ponsiluoma u shpall kampion olimpik, duke lënë pas norvegjezin Sturla Holm Laegreid, që fitoi argjendin dhe francezin Emilien Jacquelin, i cili u ngjit në shkallën e tretë të podiumit.
Deri në këto momente është Norvegjia me 12 medalje të arta dhe 26 në total që kryeson listën e çmimeve. Pas tyre Italia, Holanda dhe më pas SHBA-të dhe Suedia.
Norvegjia kryeson me 12 medalje të arta dhe 26 në total
Komente








