Lojërat Olimpike Dimërore 'Milano Cortina 2026' mbyllën të mërkurën ditën e pestë. Në garën individuale në Biathlon për femra fituese u shpall Julia Simon e Francës, teksa pas saj bashkëkombësja Lou Jeanmonnot. Ndërkohë Italia fitoi në Luge dyshe për femra me Andrea Vötter dhe Marion Oberhofer, duke u dhënë 'të kaltërve' medaljen e katërt të artë në këto Lojëra.
Në garën individuale të 15 kilometrave në Biathlon për femra, Franca konfirmoi dominimin e saj absolut. Julia Simon fitoi medaljen e artë me kohën 41 minuta 15 sekonda e 6 të qindtat, pavarësisht një gabimi në qitje, por falë superioritetit të saj në ski. Pas saj u rendit bashkëkombësja Lou Jeanmonnot, e cila siguroi medaljen e argjendtë me kohën 42:08.7, pavarësisht dy gabimeve në poligon.
Surpriza më e madhe e garës erdhi me vendin e tretë, ku bullgarja Lora Hristova realizoi një paraqitje perfekte në qitje, pa asnjë gabim, duke fituar medaljen e bronztë. Kjo ishte një arritje historike, pasi përfaqëson medaljen e parë olimpike për Bullgarinë në Biathlon që nga Lojërat Olimpike Dimërore të Salt Lake City 2002.
Ndërkohë, Italia festoi një sukses legjendar në Luge dyshe për femra. Andrea Vötter dhe Marion Oberhofer u shpallën kampione olimpike në stadiumin olimpik të Cortinës, duke triumfuar në debutimin olimpik të kësaj disipline për femra.
Dyshja italiane dominoi që në zbritjen e parë dhe konfirmoi epërsinë edhe në garën e dytë, të cilën e mbylli me kohën 53 sekonda e 182 të qindtat, duke i rezistuar presionit të fortë të gjermaneve Dajana Eitberger dhe Saskia Matschina, që u renditën të dytat vetëm 0.012 sekonda pas tyre. Medalja e bronztë shkoi për austriaket Selina Egle dhe Lara Kipp, ndërsa për Italinë ky triumf shënon një moment historik në shtëpi.
Sa i takon situatës së medaljeve pas garave të datës 11 shkurt, Norvegjia vijon të dominojë me 13 medalje, shtatë mes të cilave të arta. Pas tyre SHBA dhe Italia. Olimpiada Dimërore 'Milano Cortina 2026' do vijojë deri më 22 shkurt, teksa në pistë do zbresin edhe katër skiatorët e Shqipërisë, Lara Colturi, Denni Xhepa, Semire Dauti dhe Lisa Brunga.
Situata me medaljet pas garave të datës 11 shkurt
Komente




