ITALI - Sportisti ukrainas i skeletonit, Vladyslav Heraskevych, është ndaluar të garojë në Lojërat Olimpike Dimërore 'Milano Cortina 2026' për shkak se vazhdon të mbajë një helmetë që përmban imazhe të atletëve të vrarë gjatë sulmeve ruse në vendit të tij.

Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (CIO) ka shpjeguar se ndëshkimi ka ardhur “pas refuzimit për t’u sjellë konform linjës së shprehjes vizive të sportistëve”, që ndalon çdo lloj manifestimi apo propagande politike, fetare dhe raciste.

Vendimi është marrë nga juria e Federatës Ndërkombëtare të Bob dhe Skeleton (IBSF), ndërsa Komiteti Olimpik Ndërkombëtar ka vendosur “me keqardhje” t’i heqë akreditimin për 'Milano Cortina 2026'.

CIO e kishte lejuar të mbante një shirit të zi në kaskë, por nuk mjaftoi. Presidenti Kirsty Coventry e priti Heraskevych në majë të pistës, rreth 75 minuta para garës së skeleton. Folën të dy, por Heraskevych nuk ndryshoi mendje.

Kaska në fjalë nuk është thjesht një element mbrojtës për Heraskevych, por një homazh viziv për të gjithë kolegët e familjes olimpike ukrainase që humbën jetën në luftën gjatë pushtimit rus të Ukrainës. Mes imazheve shfaqen figura si patinatori Dmytro Sharpar, i vrarë në luftimet pranë Bakhmut, sportisti 19 vjeçar i biatlonit Yevhen Malyshev, i vrarë në luftimet pranë Kharkiv apo edhe boksieri Pavlo Ishchenko.

Më herët, edhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i doli në mbrojtje sportistit, duke e falenderuar publikisht në 'X' që i kujtoi botës çmimin e sulmeve ruse mbi Ukrainë.