Atleti ukrainas i skeletonit, Vladyslav Heraskevych, ka denoncuar ndalimin nga Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC) të përdorimit nga ana e tij gjatë Lojërave Olimpike 'Milano Cortina 2026' të një helmete që përshkruan imazhet e atletëve të vrarë gjatë sulmeve ruse mbi Ukrainë.

Sportisti që u rendit në vendin e katërt në Botërorin e Skeletonit në vitin 2025, e kishte përdorur fillimisht kaskën gjatë stërvitjeve në pistën olimpike, por mbrëmjen e së hënës, atij iu ndalua zyrtarisht ta mbajë atë.

Kaska në fjalë nuk është thjesht një element mbrojtës, por një homazh viziv për të gjithë kolegët e familjes olimpike ukrainase që humbën jetën në luftën gjatë pushtimit rus të Ukrainës. Mes imazheve shfaqen figura si patinatori Dmytro Sharpar, i vrarë në luftimet pranë Bakhmut, sportisti 19 vjeçar i biatlonit Yevhen Malyshev, i vrarë në luftimet pranë Kharkiv apo edhe boksieri Pavlo Ishchenko.

Arsyeja që IOC ndaloi sportistin të mbajë këtë kaskë është rregulli 50 i Kartës Olimpike që ndalon në mënyrë kategorike çdo lloj manifestimi apo propagandë politike, të besimit fetar apo racial brenda zonave olimpike. Sipas IOC, kaska përbën një thyerje të këtij rregulli edhe pse Heraskevych këmbëngul se ky gjest i tij nuk është një mesazh politik, por një akt nderimi për sportistët që nuk do të mund të vënë kurrë më këmbë në një arenë sportive.

Ukrainasi shprehu hidhërimin e tij të thellë, duke e përkufizuar këtë vendim si të dhimbshëm dhe duke e akuzuar IOC për tradhti ndaj anëtarëve të lëvizjes olimpike duke penguar nderimin e kujtimit të tyre. IOC nga ana e saj pretendon se fillimisht Federata Ukrainase nuk kishte bërë asnjë kërkesë për autorizim duke e komunikuar ndalimin e kaskës vetëm pasi u shfaq në provat zyrtare. Vetë sportisti tha se do ta apelonte vendimin.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i doli në mbrojtje patinatorit, duke e falenderuar publikisht në 'X' që i kujtoi botës çmimin e sulmeve ruse mbi Ukrainë.

"Përkrenarja e tij mban portretet e atletëve tanë të vrarë nga Rusia. Patinatori Dmytro Sharpar, i vrarë në luftime pranë Bakhmutit; Yevhen Malyshev, një biatlonist 19-vjeçar i vrarë nga pushtuesit pranë Kharkiv; dhe atletë të tjerë ukrainas, jeta e të cilëve u shkatërrua nga lufta e Rusisë", shkruan Zelensky.

Vladyslav Heraskevych, sportisti ukrainas i skeletonit