Skiatoret koreano-jugore Han Dasom dhe Lee Eui-jin janë përjashtuar nga Olimpiada Dimërore 'Milano Cortina 2026' për shkak të një substance të gjetur tek skitë e tyre, e ndaluar që nga sezoni 2023-24.
Ato janë skualifikuar për një pomadë të ngjashme me dyllin. Kjo substancë ka shkaktuar largimin menjëherë nga Olimpiada dimërore të dy skiatoreve nga Koreja e Jugut. Han Dasom dhe Lee Eui-jin u skualifikuan nga raundi kualifikues për sprintin klasik të femrave pasi pajisjet e tyre "rezultuan pozitive për fluor", tha Federata Ndërkombëtare e Skive dhe Snowboard-it (FIS).
Fluori ose dylli i skive i fluorizuar, është ndaluar nga FIS që nga sezoni 2023-24. Kjo substancë është rezistente ndaj ujit dhe fillimisht është përdorur në anijet me vela për pjesën e jashtme, për t'i bërë ato të rrëshqisnin më mirë përpara se të futeshin në ski në vitet 1980.
Bie në sy fakti se fronti i ri i kontrolleve është dopingu te materialet, sepse dylli nuk është gjetur në trupat e sportisteve, por në pajisjet e sportit që ato ushtrojnë, te skitë. Konkretisht, është gjetur në skitë që teknikët kishin përgatitur për garat në Lago di Tesero. Kështu ka ardhur menjëherë përjashtimi i dy garueseve që gjithsesi nuk do të luftonin për medalje.
Lajmi ka rindezur debatin mbi rëndësinë e substancave që përdoren te skitë për t’i bërë ato më të shpejta gjatë garës. Ekipi italian, për shembull, ka një kamion me më shumë se 500 lloje pomadash të lejuara, që përzgjidhen pas diskutimit me sportistët garë pas gare.
Komente







