Analisti Mentor Kikia ka komentuar protestën e zhvilluar ditën e djeshme nga Partia Demokratike, një tubim politik që u identifikua nga hedhjet masive të molotovëve drejt godinës së kryeministrisë, Kvuendit, por dhe efektivëve të policisë, mjeteve piroteknike e sendeve të tjera të forta.
Në një intervistë për “Sot, Live në Shqipëri” për Report Tv, Kikia thotë se opozita ka rritur intensitetin e zhvillimit të protestave të mëdha si dhe agresivitetin, ashtu siç dhe vetë lidershipi i PD-së ka paralajmëruar. Por, pavarësisht këtyre, Kikia e vë theksin tek numri i pjesëmarrësve në protestë, duke i evidentuar si faktori kryesor që bën ndryshimin.
“Protesta ishte ajo që ishte paralajmëruar, vijim i një kursi të ri të reagimit të opozitës pas protestës së 24 janarit, të cilët ndryshuan në metodologjinë e më hershme kur protestat ishin paqësore apo elementë modestë të konfrontimit. Më së shumti ishin tubime politike. Në 24 janar u shënua kthesa e parë e këtij aksioni politik që ishte lajmëruar nga lidershipi duke thënë që protestat do jenë ndryshme do jemi më agresivë. Kemi të bëjmë me rritje të intensitetit, të shpeshtimit të protestave, por dhe rritje të agresivitetit.
Mbetet për tu parë sesa këto janë elementë që ndikojnë në rritje e presionit mbi qeverinë, për të çuar në përmbushjen e objektivit që opozita ka vërë për të detyruar qeverinë të tërhiqet dhe kalimin e vendit nën drejtimin e një qeverie tranzitore me mandat 1 vjeçar për të përgatitur vendin për zgjedhje të parakohshme. Diskutimi mbetet tek numri, pasi kur zbritet në rrugë është numri i pjesëmarrësve që bën ndryshimin”, tha Kikia.
Analisti tregon se jo të gjithë pjesëmarrësit në protestë janë të gatshëm të konfrontohen. Në momentin që nisin aktet e dhunës, janë pakica ata që sulmojnë dhe pjesa tjetër marrin rolin e spektatorit. Mentor Kikia thotë se kjo metodë e të protestuarit, mund t’i kushtojë PD-së në numrin e pjesëmarrësve në protestë.
“Në çdo protestë, qoftë të organizuar nga partitë politike, sindikatat, jo vetëm në Shqipëri, nuk janë të gjithë protestuesit agresivë apo të gatshëm të konfrontohen pasi ka kosto. Ai që merr përsipër të konfrontohet duhet të konsiderojë që do të godasë dhe do të goditet. Nëse kjo metodologji, ajo që u pa mbrëmë apo që mund të shkohet më darë 20 shkurt, do çojë në rritjen apo reduktimin e pjesëmarrësve, risku është në të dyja anët. Dhuna i largon njerëzit dhe mund të rrisë numrin e atyre që janë të gatshëm të konfrontohen, por mund të ulë numrin e pjesëmarrësve në përgjithësi”, tha Kikia.
Kikia tha se kryeministri Edi Rama nuk ka asnjë plan të japë dorëheqjen edhe pas çështjeve të rëndësishme që përfshijnë zyrtarë të shtetit, që kanë përfunduar në SPAK. Kjo thotë ai, është arsyeja që ka çuar PD-në për t’iu drejtuar protestave, duke kërkuar një qeveri tranzitore dhe përgatitjen e vendit për zgjedhje të parakohshme.
Komente










