POGRADEC - Kandidatja e Aleancës për Shqipërinë Evropiane për bashkinë e Pogradecit, Diana Mile zhvilloi një takim me banorët e Rodokalit në krahinën e Mokrës, ku bisedoi lidhur me problematikat që ata kanë.

Në fjalën e saj, Mile theksoi se krahina e Mokrës është një zonë që ka një histori të pasur dhe të vyer, por sot ajo ka nevojë për investime dhe për përmirësimin e ekonomisë së banorëve, që koalicioni e majtë mund t’i bëjë realitet pas 21 qershorit.

“Qëllimi kryesor për ne është që të ndihmojmë dhe të nxisim të gjithë komunitetin për të arritur një cilësi jetese më të mirë. Kjo është një zonë që ka një traditë dhe një kulturë shumë të veçantë, për të cilën unë jam shumë krenare dhe dua ta marr në konsideratë, që ne jo vetëm ta zhvillojmë, por njëkohësisht ta promovojmë. Në radhë të parë ne duhet të kemi kushtet e duhura që të jetojmë dhe të zhvillojmë edhe zonën tuaj, edhe fshatin tuaj, dhe tashmë, me reformën administrative-territoriale kjo gjë do të mundësohet shumë mirë. Kjo pasi administrimi do të jetë më i përqendruar, më i rëndësishëm, dhe ato projektet që ka nisur komuna do të jenë më të mirëmenaxhuara, ose më të lehta për t’u realizuar. Për ne e rëndësishme është që të lidhim edhe fshatin tuaj me rrugën e re apo dhe me zonat e tjera sepse mendoj që nëpërmjet infrastrukturës atëherë do të kemi mësues që do të vijnë më shpejt edhe kur bie dëbora, do të kemi edhe shërbime të tjera. Njëkohësisht me sistemimin e rrugëve do të krijojmë edhe kushtet e nevojshme për fëmijët, si edhe do të zhvillojmë bujqësinë dhe blegtorinë”, - theksoi Mile.

Gjithashtu, kandidatja e “Aleancës për Shqipërinë Evropiane” për bashkinë e Pogradecit zhvilloi edhe disa takime në fshatra më të thellë si Vërrie dhe Homezh, ku banorët theksuan si problem mungesën e shërbimeve dhe kërkuan investime në ujësjellës dhe infrastrukturë.
mile
Redaksia Online
(o.b/ Shqiptarja.com)