Millosh Vuçeviç mandatohet për formimin e qeverisë së re serbe

Millosh Vuçeviç mandatohet për formimin e qeverisë së re serbe

Millosh Vuçeviç

Millosh Vuçeviç, ish-ministri serb i Mbrojtjes, njëherësh udhëheqës i Partisë Progresive Serbe (SNS) në pushtet, është mandatuar për formimin e Qeverisë së re të Serbisë.

Kështu njoftoi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, përmes një postimi në Instagram.

Në vendimin, që u nënshkrua nga Vuçiçi, u tha se Millosh Vuçeviq deri më tani ka kryer me përgjegjësi detyrat e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Mbrojtjes “duke treguar se ka dedikim dhe ekspertizën e nevojshme për të kryer funksionin e kryeministrit”.

“Besoj se Millosh Vuçeviqi ka kualitetit profesionale dhe personale për të kryer detyrën e kryeministrit dhe ai më siguroi se mund të zgjedhë një qeveri”, tha Vuçiç.

Vuçiç tha se kryeministri i ri i Serbisë “do të vazhdojë të zbatojë programet që synojnë të rrisin standardin e jetesës të të gjithë qytetarëve, projekte në fushën e shëndetësisë, arsimit, shkencës dhe teknologjisë, zhvillimin e infrastrukturës, ekologjisë, energjisë bujqësisë, turizmit si dhe në fusha të tjera të rëndësishme për të ardhmen e Serbisë dhe përparimit të saj në rrugën evropiane”.

Ndër detyrat e kryeministrit të ardhshëm serb do të jetë organizimi i panairit botëror, EXPO 2027, si dhe ruajtja e paqes, stabilitetit dhe integritetit territorial të Serbisë.

“Ruajtja e paqes dhe stabilitetit, integritetit territorial të Serbisë konsiston në respektimin e ligjit ndërkombëtar, bashkëpunimin rajonal dhe përkujdesje ndaj interesave thelbësore të Serbisë do të vazhdojnë të jenë prioritetet për punën e Qeverisë”, tha Vuçiç.

Afati i fundit për formimin e Qeverisë së Serbisë është 90 ditë nga data e konstituimit të Parlamentit serb.

Vuçeviç ishte zgjedhur në postin e zëvendëskryeministrit të Serbisë dhe ministrit të Mbrojtjes në tetor të vitit 2022.

Para kësaj, ai kishte shërbyer si kryetar i Novi Sadit nga shtatori i vitit 2012 deri në tetor të vitit 2022.

Ai u zgjodh kryetar i SNS-së në maj të vitit 2023, kur presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, u largua nga udhëheqja e partisë.

Ndryshe, zgjedhjet e jashtëzakonshme në Serbi u mbajtën në dhjetor të vitit 2023.

Lista e SNS-së me partnerët e koalicionit “Aleksandar Vuçiç – Serbia nuk duhet të ndalet”, fitoi 46.75 për qind të votave, apo 129 ulëse në Parlamentin prej 250 ulësesh.

E dyta në zgjedhje doli lista opozitare “Serbia kundër dhunës” me 23.66 për qind të votave, apo 65 mandate në Parlament.

Një pjesë e opozitës akuzoi Qeverinë për mashtrime zgjedhore, akuza që janë hedhur poshtë nga udhëheqja shtetërore dhe SNS-ja.

Zyra për Institucione Demokratike dhe të Drejta të Njeriut e OSBE-së në raportin e publikuar më 28 shkurt tha se kushtet nuk ofruan barazi për të gjithë në zgjedhje sepse ato u mbizotëruan nga pjesëmarrja e presidentit të shtetit, Aleksandar Vuçiç.

Në raportin final po ashtu u tha se ka pasur presion ndaj punëtorëve të sektorit publik për të votuar për Qeverinë, ka pasur keqpërdorim të burimeve publike në favor të pushtet dhe Vuçiç po ashtu ka dominuar mediat.

Më 8 shkurt, Parlamenti Evropian miratoi një rezolutë që kërkon hetim ndërkombëtar për parregullsitë e raportuara për zgjedhjet e dhjetorit të mbajtura në Serbi./Rel

B.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë