Milosheviçi dhe Shesheli
kthehen në Serbi

Milosheviçi dhe Shesheli <br />kthehen në Serbi
Për Kosovën, Nikoliçi si president dhe Daçiçi si kryeministër i bie kthim në situatën e qeverisjes së dyshes Sheshel-Milosheviç të viteve ’90. Prishtina duhet të jetë e vendosur që përfundimisht të vërë kushte për bashkëpunim: Perëndimi duhet të përdorë politikën e shkopit dhe karotës, përfshirë këtu kërkesën e qartë për njohjen e pavarësisë së Kosovës
DHE NDODHI. Për hair. Jo për diçka tjetër, por, se na kanë lodhur. Tomislav Nikoliçi fitoi me meritë postin e presidentit të Serbisë. Dhe kur them me meritë, e nënvizoj, pasi që edhe për të tretën herë kundër tij dhe partisë së tij u ngritën të gjithë, që nga SHBA-ja, Bashkimi Evropian e – ironikisht - edhe shumica e partive politike në Kosovë, së paku duke e përkrahur hapur dhe tërthorazi, me konçesione e thuaja pa kushte, kundërshtarin e tij “më pak të keq” Boris Tadiç.

Tash së paku shihet se cila është Serbia edhe në vitin 2012. Fare legjitime. Populli serb ka zgjedhur në mënyrë demokratike ata që ka dashur, pavarësisht implikimeve dhe ndikimeve nga jashtë. Ata zgjodhën për Sheshelin dhe Milosheviçin. Ish-dora e djathtë e Sheshelit, Nikoliç, u votua për president, kurse ish-dora e majtë e Milosheviçit, Daçiç, dyfishoi numrin e votave. Këta janë të vetmit fitues të zgjedhjeve serbe.

Me gjithë brengën e përgjithshme perëndimore për këto fitore, unë vlerësoj se ka ndodhur më e mira që ka mundur të ndodhte në këto rrethana.

Thjesht, ka fituar origjinali kundrejt falsifikuesit.

Tadiçi për gjithë këto vite e ka tërhequr për hunde gjithë bashkësinë ndërkombëtare, duke mos ndërmarrë kurrfarë veprimesh konkrete që do të ndikonin në normalizimin dhe paqtimin e rajonit, sidomos në kontekstin e Kosovës. Kështu, të gjithë të tjerët, përfshirë shpesh edhe politikën kosovare, për shumë vjet kishin vallëzuar sipas tingujve të defeve të Tadiçit. Nën kërcënimet se më mirë ai se “të këqijtë”.

Situata ndryshoi. Serbia e ka vulosur atë që është përsëritur nga shumë prej nesh me vite, fatkeqësisht, jo me shumë sukses – se ajo ende nuk është denazifikuar. Për më tepër, se është duke shkuar në trend të kundërt.

Gjithsesi, u vërtetua se rrobat që i janë qepur Serbisë kanë qenë të matura keq nga rrobaqepësi.

Tash, së paku dihet se cila është Serbia dhe çfarë rrobash i duhen qepur.



MIRËPO, A EKZISTON Plani B? A ka pasur Qeveria e Kosovës, e cila kishte hyrë pa krye edhe në dialogun teknik-(politik) të ndërmjetësuar nga Beogradi, një plan se si do të sillet në rast se do të fitojnë Milosheviçi dhe Shesheli i vogël në zgjedhje? Aq më shumë, a kanë qendrat e vendosjes një Plan B, tash kur i ka dështuar e gjithë përkrahja e verbër ndaj Tadiçit dhe po përballen me Serbinë e vërtetë.

Ka ndodhur - fundi i iluzioneve.

Është e pafalshme gjithë kjo miopi ndërkombëtare ndaj Serbisë me gjithë paralajmërimet.

Tash mund të shohim ndërrim strategjie ndërkombëtare ndaj Nikoliçit dhe Daçiçit, kur do të mendohet se duke i bërë konçesione do të joshen drejt Perëndimit. Gjë që është e parë.

Por kjo politikë joshëse do të mund të kishte shumë më tepër rezultate, në qoftë se vërtet kësaj radhe SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian do të përdorte shkopin dhe karotën.

Shumë shpejt qendrat e vendosjes do të duhej t’ia bënin të qartë presidentit të ri dhe kryeministrit të ri - Nikoliçit, respektivisht Daçiçit – se nuk mund të hanë me dy lugë.

E para nga e cila do të duhej hequr dorë është politika e adoptuar së fundi nga shtetet perëndimore, sipas së cilës është e kuptueshme se Serbia nuk mund ta njohë Kosovën, por vetëm të normalizojë marrëdhëniet me të (siç!). Tash do të duhej kërkuar me vendosmëri direkt njohjen e Kosovës. Pasi që politika e kaluar “për normalizim” ka qenë më e dëmshmja e mundshme për shtetin e ri dhe relaksimin e raporteve në rajon, për shkak së paku disa nga pesë shtetet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën, kanë thënë se nuk do ta bëjnë këtë po nuk e bën së pari njohjen Beogradi. Me këtë qasje është bllokuar çdo mundësi e aderimit të Kosovës në BE, për shkak se në këtë organizatë mund të hyjnë vetëm shtetet dhe duhet votuar nga parlamentet e të gjitha shteteve respektive, përfshirë edhe të atyre parlamenteve që nuk e kanë njohur shtetin e ri.

E dyta, është afati konkret ultimativ deri kur do të duhej që Serbia t’i hiqte strukturat paralele dhe të ndihmonte në luftimin e organizatave kriminale në veri. Këtë nuk e bëri, por edhe nuk u detyrua ta bënte Tadiçi, me gjithë kushtet e qarta të vëna nga kancelarja gjermane Merkel, sërish për shkak të përkëdheljes ndërkombëtare ndaj tij. Sidoqoftë, ndoshta Tadiçi as që do të mund ta bënte, duke pasur parasysh se nga katër kryetarët ilegalë të komunave në veri, vetëm një ishte nga Partia Demokratike, dhe tre të tjerët nga partitë kundërshtare të tij, gjegjësisht të Nikoliçit dhe të Koshtunicës. Tadiçi arsyetohej se ilegalët nuk po e dëgjojnë, gjë që s’mund ta pohojë më Nikoliçi. Në rast të trysnisë së vendosur ndërkombëtare, presidenti i ri serb e ka edhe pushtetin, edhe ndikimin që t’u japë fund strukturave ilegale e kriminale. Ky do të duhej të ishte kusht i panegociuar.

E treta, ka të bëjë me implementimin e konkluzioneve të bisedimeve teknike-(politike) të deritashme në Bruksel, si dhe të japin informacionet për fatin e të pagjeturve nga lufta, në mënyrë që të konfirmojnë përkushtimin e Serbisë ndaj obligimeve të BE-së.



QË TË GJITHA këto që u përmendën më lart do të duhej të ishin pjesë edhe e planit strategjik të Prishtinës zyrtare në rrethanat e reja.

Për Kosovën, Nikoliçi si president dhe Daçiçi si kryeministër i bie kthim në situatën e qeverisjes së dyshes Sheshel-Milosheviç të viteve ’90. Kosova e ka mundësinë që t’i tregojë botës se cila është Serbia sot, duke vënë vija të qarta të kuqe. Situata tash është bukur bardhezi.

Në qoftë se Nikoliçi dhe Daçiçi dëshirojnë të thonë se janë ndarë përfundimisht nga politika e tyre e viteve ’90, do të duhej ta dëshmonin atë konkretisht duke mos u sjellë si Shesheli e Milosheviçi. Nuk mund të ketë një opsion të dytë. Pasi që në atë mënyrë politika e Milosheviçit dhe ajo e Sheshelit jo që do të merrnin dënimin e merituar, por do të stimuloheshin.

Në qoftë se tolerohet nga Perëndimi. Dhe në qoftë se nuk kushtëzohet nga Kosova.


Marrë nga “Kohaditore”
(ak/b.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Ku po i kaloni pushimet e verës?



×

Lajmi i fundit

Patos/ Punonjësi egjiptian bie nga lartësia dhe humb jetën teksa punonte në shtyllën e tensionit në Ruzhdie

Patos/ Punonjësi egjiptian bie nga lartësia dhe humb jetën teksa punonte në shtyllën e tensionit në Ruzhdie