Ngrihet stacioni i ri zjarrfikës në Fier, ministri Hoxha: Ligj të ri dhe riorganizim të Shërbimit Zjarrfikës

Ngrihet stacioni i ri zjarrfikës në Fier, ministri Hoxha: Ligj të ri dhe riorganizim të Shërbimit Zjarrfikës

Ervin Hoxha

Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha mori pjesë në ceremoninë e përurimit të stacionit të ri zjarrfikës të bashkisë Fier, i cili është ndërtuar me mbështetjen financiare të qeverisë së Polonisë.

Në takim ishin të pranishëm zyrtarë të lartë vendas e të huaj, ndër të cilët edhe kreu i grupit parlamentar të miqësisë Poloni-Ballkan.

Ministri Hoxha falënderoi qeverinë e Polonisë për këtë ndihmë bujare dhe siguroi punonjësit e shërbimit zjarrfikës se mbështetja e qeverisë Rama për ta, do të jetë e vazhdueshme.

Sa i përket emergjencës së zjarreve në këtë stinë të nxehtë dhe përballimin e saj, ministri Hoxha theksoi se “të gjithë jemi dëshmitarë të situatës kritike të zjarreve, veçanërisht gjatë dy muajve të fundit, qershor dhe korrik, ku forcat operacionale të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimi, janë përfshirë në më shumë se 1500 ndërhyrje në të gjithë territorin. Dëmet në pyje e kullota padyshim janë të konsiderueshme, por kemi mundur të sigurojmë jetën dhe pronën.”

Ministri nënvizoi gjithashtu se Shërbimi Zjarrfikës ka nevojë për punonjës të devotshëm, që janë gati të sakrifikojnë për të shpëtuar njerëzit në rrezik!

"Nuk mund të shkosh në një operacion për fikjen e zjarrit, nëse nuk ke angazhimin dhe përkushtimin për detyrën, për uniformën dhe atdheun”, nënvizoi Hoxha.

Duke folur rreth nevojave për disa ndryshime strukturore në shërbimin zjarrfikës, Ministri vuri në dukje se “Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi ka sot më shumë se kurrë nevojë për një ristrukturim, për t’iu përgjigjur më shpejt dhe më me cilësi nevojave të qytetarëve. Për këtë arsye, Ministria e Brendshme po rishikon ligjin e këtij shërbimi, duke pasur si synim riorganizimin e shërbimit zjarrfikës, qoftë në bashki, apo bashki qendër qarku, apo në një formë tjetër”.

Stacioni i ri zjarrfikës i Fierit është një strukturë moderne që u realizua në kuadër të projektit “Forcimi i Kapaciteteve të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit të Shqipërisë”, i cili zbatohet nga UNDP Shqipëri në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme dhe pushtetin lokal.

Projekti është financuar nga Qeveria e Polonisë në përgjigje të thirrjes së Shqipërisë për mbështetje dhe rimëkëmbje pas tërmetit të nëntorit 2019.

Më poshtë fjala e plotë e Ministrit Ervin Hoxha:

E nderuar znj. Monika Merino, Përfaqësuese e përhershme e UNDP,

Ambasadore e Polonisë,

I nderuar Kryetar i grupit parlamentar Poloni-Ballkan, z. Tomasz Glogowski,

Të nderuar përfaqësues të pushtetit lokal,

Të dashur zjarrfikës,

Të nderuar pjesëmarrës,

Së pari, Ju falënderoj për ftesën për të marrë pjesë në këtë ceremoni të dorëzimit të stacionit të ri zjarrfikës për Bashkinë Fier. Rastësia e solli që një nga daljet e mia të para publike, pas marrjes së detyrës si Ministër i Brendshëm, të jetë në një stacion zjarrfikës, një nga sektorët mjaft të rëndësishëm të fushës së përgjegjësisë të Ministrisë që kam nderin të drejtoj.

Më lejoni ta nis me një mirënjohje dhe falënderim për Qeverinë e Polonisë dhe punën e palodhur të ambasadës së saj në Tiranë, si dhe UNDP për angazhimin në zbatimin e projektit, për fuqizimin e kapaciteteve të shërbimit të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin.

Të gjithë jemi dëshmitarë të situatës kritike të zjarreve, veçanërisht gjatë dy muajve të fundit, qershor dhe korrik, ku forcat operacionale të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimi, janë përfshirë në më shumë se 1,500 ndërhyrje në të gjithë territorin. Dëmet në pyje e kullota padyshim janë të konsiderueshme, por kemi mundur të sigurojmë jetën dhe pronën.

Intensiteti i lartë i këtyre ndërhyrjeve dëshmon më së miri sa jetik dhe i domosdoshëm është ky shërbim, por në të njëjtën kohë, sa i rëndësishëm është fuqizimi i këtij shërbimi në nivel lokal, për ta ngritur atë në një nivel tjetër, për t’u ardhur më shpejt dhe me cilësi në ndihmë qytetarëve.

Qeveria shqiptare i kushton një rëndësi të veçantë fuqizimit dhe modernizimit të shërbimit të MZSH, duke mundësuar jo vetëm financimin e stacioneve zjarrfikëse, por edhe ngritjen e kapaciteteve dhe përmirësimin e kushteve të shërbimit të MZSH.

Këtij qëllimi i shërben më së miri edhe mbështetja bujare e Qeverisë Polake, me ndihmën e saj prej 2.7 milion euro. Edhe në emrin e 10 bashkive dhe të mbi 350 zjarrfikësve përfitues të këtij projekti shpreh mirënjohjen time për mbështetjen tuaj:

-për ndërtimin e 2 stacioneve zjarrfikëse;

-për 3 automjetet zjarrfikëse për bashkitë Lezhë, Pogradec dhe Fier;

-për kontejnerët me të gjitha pajisjet për kërkim shpëtim për bashkitë Lezhë, Durrës e Fier;

-për pajisjen me uniforma profesionale për mbrojtjen personale gjatë luftimit të zjarrit (PPE) të gjithë zjarrfikësve në 8 bashki;

-për trajnimin bazë të mbi 350 zjarrfikësve në 10 bashki përfituese.

Po pyetjet që i bëjmë vetes sa herë na ndodh një fatkeqësi janë: A e kemi parashikuar? A kemi marrë masat e duhura parandaluese? A kemi bërë inspektimet e nevojshme? A jemi të përgatitur sa duhet, për të reaguar në kohë për nevojat e përditshme, por edhe për rrezikun në rritje, kur mendojmë që vendin tonë e vizitojnë mbi 10 milionë turistë vitin e kaluar, e kur presim 14 milion këtë vit?

Shërbimi Zjarrfikës ka nevojë për punonjës të devotshëm, që janë gati të sakrifikojnë për të shpëtuar njerëzit në rrezik! Nuk mund të shkosh në një operacion për fikjen e zjarrit, nëse nuk ke angazhimin dhe përkushtimin për detyrën, për uniformën dhe atdheun.

Jam informuar për problematikat në funksionimin e shërbimit zjarrfikës në bashki, duke nisur nga:

Mangësitë në gatishmërinë operacionale;

Mangësi në përzgjedhjen së punonjësve;

Kapacitete operacionale jo të mjaftueshme të MZSH-së në disa bashki, për të përballuar zjarre masive;

Në shumë bashki ende ka vështirësi në akordimin e fondit për strukturat e shërbimit zjarrfikës.

Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi ka sot më shumë se kurrë nevojë për një ristrukturim, për t’iu përgjigjur më shpejt dhe më me cilësi nevojave të qytetarëve. Për këtë arsye, Ministria e Brendshme po rishikon ligjin e këtij shërbimi, duke pasur si synim:

Riorganizimin e Shërbimit Zjarrfikës, qoftë në bashki, apo bashki qendër qarku, apo në një formë tjetër;

Kategorizimin e bashkive sipas nevojës reale që ato kanë për shërbim zjarrfikës, duke u nisur nga ngarkesa e punës mbi bazën e statistikave, popullsisë, sipërfaqes territoriale, objekteve të rrezikshme, etj.;

Shtesa organike dhe hapja e stacioneve provizore gjatë sezonit të verës dhe atij turistik;

Ngritjen e Qendrës së Trajnimit Zjarrfikës;

Ngritjen e Qendrave të Koordinimit në bazë dhe në qendër;

Digjitalizimin e shërbimit zjarrfikës.

Nxis ndjekjen me korrektësi të masave konkrete, për të përballuar me sukses këtë verë përvëluese dhe një sezon turistik që rritet dita-ditës.

Së fundmi, më lejoni të shpreh besimin tim të plotë, se duke qenë në lartësinë që kërkon misioni juaj human, do të gëzoni mbështetjen time në vijimësi, dhe padyshim edhe mbështetjen e Qeverisë dhe të Kryeministrit Rama.

Faleminderit.

Xh.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ku po i kaloni pushimet e verës?



×

Lajmi i fundit

Komandanti i KFOR-it bisedon me shefin e ushtrisë serbe për gjendjen e sigurisë në Kosovë

Komandanti i KFOR-it bisedon me shefin e ushtrisë serbe për gjendjen e sigurisë në Kosovë