PDIU ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama sot nga Serbia se mini shengeni Ballkanik do të bëhet realitet në 2021. Për partinë e drejtuar nga Shpëtim Idrizi, Shqipëria nuk duhet shikojë nga lindja, por nga perëndimi.

Deklaratë për media e PDIU
Schengeni Ballkanik Serbi-Mal i Zi-Maqedoni e Veriut, një nismë e panevojshme dhe e dëmshme. Është e papranueshme një nismë Rajonale që lë jashtë Kosovën dhe e pakonsultuar me të. Shqipëria s’duhet ti japë frymëmarrje Serbisë në raport me Kosovën, por të jetë gjithmonë në krah të saj në raport me Serbinë. Një nismë e dëmshme që risjell idenë e ish-Jugosllavisë për një Konfederatë Ballkanike.

Një nismë sjell një çorientim gjeopolitik. Shqiptarët janë të përcaktuar që në kohën e Rilindasve për të qenë pjesë e Europës, jo vetëm gjeografikisht, por dhe për tu bërë pjesë e BE-së. Kemi që nga viti 2014 që Shqipëria ka marrë statusin e vendit kanditat, e presim hapjen e negociatave.

Rilindja e Ramës dështoi për të disatën herë dhe këtë vit për hapjen e negociatave, e na servir një nismë mediokër e pa asnjë impakt për qytetarët. Këto nisma duken si alternativa ndaj integrimit evropian, pra si paradhoma pritje që do zvarrisin hyrjen në BE prandaj është më mirë ti shmangim.

Çorientim gjeopolitik- Ne kemi partner kryesor tregtar BE-në dhe vullneti i 98 përqind i Shqiptarëve është të shohim nga perëndimi, s’kemi asnjë arsye të thellojmë lidhjen me lindjen. Boll më me megallomaninë e liderit rajonal, ne duhet të kryejmë me kokën ulur detyrat e shtëpisë për të arritur standartet e BE-së, demokracinë funksionale, zgjedhje të lira e të ndershme, si dhe betejën kundër kapjes së shtetit nga krimi dhe ekonomisë nga Oligarkët.