Duke hedhur poshtë akuzat për përfshirje në një garë armatimesh të stilit të Luftës së Ftohtë me Moskën, SHBA dhe aleatët e saj të NATO-s miratuan këtë të mërkurën masat për rifreskimin e pajisjeve dhe armatimeve ushtarake për të ndihmuar më shpejt një vend anëtar që do të ndihej i kërcënuar, duke rritur gjithashtu në numër edhe forcën e reagimit.

Një fakt i tillë u bë i ditur nga sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në konferencën për shtyp mbajtur në fund të takimit të ministrave të mbrojtjes të Këshillit të Atlantikut të Veriut.

“Katër vendime të rëndësishme u morën në takimin tonë. Së pari, vendosëm të shtojmë fuqinë dhe kapacitetet e Forcës së Reagimit të NATO-s. Për këtë arsye, nga 13 mijë trupa, personeli i saj do të shkojë në 40 mijë trupa. Së dyti, morëm masa për të përshpejtuar vendimmarrjen tonë politike dhe ushtarake, duke ruajtur edhe kontrollin politik. Së treti përfunduam me projektimin dhe përbërjen e gjashtë bazave të vogla që do të krijohen në Bullgari, Estoni, Letoni, Lituani, Poloni dhe Rumani. Së fundi, vendosëm të krijojmë një bazë të re të përbashkët për logjistikën. Kjo do të na japë mundësi të lëvizim më shpejt në territorin e Aleancës tonë.”  - tha Stoltenberg.

Në lidhje me sjelljen e Rusisë, Stoltenberg hodhi edhe njëherë poshtë hipotezat për konfrontim.

“Më lejoni të jem i qartë. Ne nuk kërkojmë konfrontim. Nuk duam një garë të re armatimesh. Ne duam të garantojmë sigurinë e vendeve tona. Ndërsa përballemi me shumë sfida nga drejtime të ndryshme, duhet të jemi të përgatitur. Trupat tona të gatishmërisë, të udhëhequr nga Gjermania, Holanda dhe Norvegji tani janë operacionale. Vitin e ardhshëm kjo forcë do të drejtohet nga Spanja. Në total, 7 aleate do të marrin drejtimin e kësaj force të re gjatë viteve të ardhshme.”

Ministeriali do të vijojë edhe ditën e enjte me takime të veçanta dhe diskutime për Ukrainë, ndërsa në fund do të mbahet edhe një konferencë përmbyllëse për mediat e sekretarit të përgjithshëm Stoltenberg, parashikuar për në orën 13:15.

Shqipëria përfaqësohet në këtë Ministeral nga zv/ministri i Mbrojtjes Petro Koçi, raporton për A1 Report nga Brukseli gazetarja Joniada Koçi.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)