Forcimi i kontrolleve në kufi, siguria ushqimore dhe përballimi i fluksit të shtuar të udhëtarëve gjatë sezonit veror ishin në qendër të inspektimit që zhvilluan sot në Pikën e Kalimit Kufitar të Bllatës ministri i Brendshëm, Besfort Llamallari, dhe ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andi Salla.
Gjatë vizitës, dy ministrat u njohën me punën e strukturave që operojnë në pikën kufitare dhe me masat e marra për të garantuar njëkohësisht lëvizjen e shpejtë të qytetarëve dhe mjeteve, si edhe kontrollet për sigurinë ushqimore.
Llamallari tha se Bllata është një pikë me rëndësi të veçantë për qarkullimin mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, ndërsa theksoi se institucionet përgjegjëse duhet të rrisin bashkëpunimin dhe të zbatojnë standarde gjithnjë e më të larta.
“Vetëm në pesë muajt e parë të këtij viti, në këtë pikë kufitare kanë kaluar rreth 700 mijë udhëtarë dhe mbi 300 mijë mjete. Kjo është një pikë me rëndësi të veçantë ekonomike për marrëdhëniet mes dy vendeve tona dhe kërkon gjithnjë e më shumë siguri, bashkëpunim institucional dhe koordinim me institucionet e linjës për të lehtësuar qarkullimin, por njëkohësisht për të rritur sigurinë dhe cilësinë e procesit të kalimit”, u shpreh ai.
Ministri i Brendshëm shtoi se Agjencia Kombëtare e Ushqimit dhe Policia e Shtetit kanë përgjegjësi të mos tolerojnë askënd që cenon ligjin, ekonominë e ndershme dhe shëndetin e qytetarëve e turistëve.
“Sa më shumë i afrohemi Bashkimit Evropian, aq më shumë rriten standardet që duhet të zbatojmë në pikat tona kufitare”, deklaroi Llamallari.
Nga ana e tij, ministri Andi Salla tha se bashkëpunimi mes institucioneve është thelbësor për garantimin e kontrolleve në kufi, sidomos gjatë sezonit veror.
“Tre shërbimet inspektuese janë në funksion të plotë. Marrja e mostrave dhe kontrollet laboratorike kanë funksionuar shumë mirë dhe duhet të shtojmë më tej masat e sigurisë në kuadër të sezonit veror, kur fluksi i udhëtarëve dhe mallrave rritet ndjeshëm”, deklaroi Salla.
Dy ministrat nënvizuan rëndësinë e koordinimit të institucioneve përgjegjëse për të garantuar jo vetëm lëvizje të shpejtë në kufi por edhe siguri të shtuar dhe mbrojtje të shëndetit të konsumatorëve, në përputhje me standardet evropiane.
Komente








