Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Ferid Agani, priti sot në takim ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, me të cilin bisedoi për bashkëpunimin në sektorin shëndetësor.

Sipas komunikatës së dërguar nga Ministria e Shëndetësisë e Kosovës, në takim, theks të veçantë iu vu zgjidhjes së situatës rreth tregtimit të produkteve medicinale kosovare në tregun farmaceutik të Republikës së Shqipërisë.

Ambasadori Minxhozi siguroi ministrin Agani se do të ketë zgjidhje të shpejtë të kësaj çështjeje, bazuar në ligjet në fuqi të dy vendeve dhe Marrëveshjes së bashkëpunimit midis dy ministrive respektivë të Shëndetësisë.

Vizita e ambasadorit Minxhozi në Ministrinë e Shëndetësisë u realizua në të njëjtën kohë kur një delegacion i ekspertëve kosovarë të fushës së farmacisë kanë udhëtuar në Shqipëri për të biseduar rreth çështjeve me interes në këtë fushë, përfshirë edhe tregun e lirë farmaceutik midis dy vendeve.

Po për këtë temë, pritet që ministri i Shëndetësisë i Republikës së Shqipërisë, Ilir Beqaj, sot pasdite të takohet me zyrtarë nga Kosova për të gjetur zgjidhjen më të mirë, në mënyrë që produktet medicinale të prodhuara në Kosovë të mund të tregtohen në tregun farmaceutik të Republikës së Shqipërisë./ATSH/