Ministri Ahmetaj te ‘5 Pyetjet’: Largimi i Xhafajt normal, brenda në PS nuk ka luftë politike

Ministri i Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj i ftuar në emisionin ‘5 Pyetjet nga Babaramo’ për të diskutuar për projektbuxhetin 2019 dhe aktualitetin politik e ka cilësuar si normale largimin e Fatmir Xhafajt nga posti i Ministrit të Brendshëm.

Dorëheqja është një akt personal, arsyet i ka ndarë me kryeministrin dhe besoj që dorëheqja është një akt normal i kujtdo që është në një detyrë. Shkarkimi është normal dhe jo i rastësishëm, po ashtu edhe dorëheqja. Tension në marrëdhëniet Rama-Xhafaj? Absolutisht jo! Ky është një kabinet shumë serioz. Këtu ka dy botë, njëra e Babales.... Shumica jonë shkon në punë si në ditën e parë, është i njëjti pasion dhe ndjeshmëri, ku ka edhe debate.

Arben Ahmetaj

Ministri i Financave dhe Ekonomisë mohoi se largimi i Xhafajt erdhi si pasojë e përplasjes së klaneve brenda në PS. Ai theksoi se brenda PS nuk ka luftë politike.

Po çfarë klanesh? Dreqi e mori kush janë? Atje nuk ka plane por një grup të përgjegjshëm politik. Unë kam punuar me të gjithë kryeministrat përveç Saliut dhe kam respekt për të gjithë. Kam qenë në nivele nga më modestet deri ky. Ky është një kryeministër i përgjegjshëm. Debati me kryeministrin për cdo çështje vijon me orë, të gjithë ministrat e kanë mundësinë për të debatuar. Autoriteti i kryeministrit është i padiskutueshëm. Zoti Xhafaj e di shumë mirë çfarë do të thotë autoriteti.

Policia duhet trajtuar me më shumë dashuri dhe ministri i Brendshëm ka një pozicion shumë të vështirë. Në PS nuk ka luftë politike, ky kryeministër është më i fortë se kurrë. Kryeministri i Shqipërisë hynë deri në detaje, në kutitë e Excel për të parë dhe diskutuar. Të shënojë një ministër në CV që unë jam i fortë se kundërshtoj kryeministrin. O pika, o pika! Me këtë kryeministër diskutohet me orë të tëra në detaje.

Arben Ahmetaj

Ai ripërsëriti se të gjitha bastet do të mbyllen në 1 janar të 2019, ndërsa hodhi poshtë akuzat e opozitës se do të favorizohet një kompani e vetme. 

Do të mbyllen bastet sportive, garat në pistë, kazinotë, online dhe sallat e bingove. Do të shpëtojnë shqiptarët nga këto. Për më tej nuk kemi konkluzione, tani jemi fokusuar te fakti që nuk do të ketë më lojëra fati. Do ketë një dorë të vetme?!!! Po cila është, ku është?!!!

Arben Ahmetaj

Duke u ndalur te risitë e projektbuxhetit të 2019, ministri theksoi se investimet parashikohen 1 mld euro, do të ketë rritje pagash dhe ulje të borxhit publik. Për Ahmetajn, vendi ka nevojë për valën e dytë të reformave tani.

Investimet e pritshme janë rreth një miliard euro, që është shifër rekord. Shpenzimet janë 5.2 mld dollarë, ndërsa të ardhurat 4.97 mld të ardhurat. Prioritetet kryesore janë infrastruktura, rrugët marrin 230 mln nga burimet e brendshme pa hyrë te kreditë e BERZH apo të tjera. Arsimi ruan nivel të mirë të PPB 3%, shëndetësia më pak, por ka përfituar nga PPP, mbrojtja ka shkuar në 1.21%. Pagat rriten 7% për arsimin,  për shëndetësinë 7%, po ashtu për mbrojtjen, policinë e burgjeve dhe diplomatët. Borxhi publik aktualisht është 64.9%, objektiv është që të shkojë 67.5%, ndërsa deri në fund të mandatit do të ulet në 61-62%.

Arben Ahmetaj

Ministri u ktheu një përgjigje edhe akuzave të opozitës për Partneritetin Publik Privat.

Kostoja e PPP me gjithë pagesat është 120 milionë dollarë, këtu përfshihen Rapiscan dhe PPP e shërbimeve të tjera. Kritikat e Bankës Botërore? PPP është risk pasi një vend si i joni është i pamësuar. Risku është te bërja e tyre, nuk do ta kalojmë kurrë 5%, prandaj e vendosëm me ligj. Risku tjetër është i ndërtimit dhe negocimit. E bëjnë PPP sikur të jetë një djall.

Arben Ahmetaj

Në fund të intervistës ai u shpreh se shumë shpejt do të vijë në Shqipëri, ish-ministri grek i Financave Yannis Varoufakis, i njohur për përplasjet e tij me liderët e Europës gjatë krizës së vendit fqinj.

Varoufakisin e kam ftuar këtu dhe do të vijë shumë shpejt. Ai është ekstrem i majtë dhe praktikisht nuk besonte te ndihma e FMN, është profesor i zgjuar dhe i mençur, por kishte atë qëndrim, por mos më krahaso me atë.

Arben Ahmetaj

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Ola: 02/11/2018 17:49

    Nuk besoj se ka njeri qe ka punuar me shume se xhafaj ne qeverine e rames.Kte e ka kuptuar gjith populli shqiptar.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen