Në kuadër të 558-vjetorit të amëshimit të Gjergj Kastriotit, heroi ynë Kombëtar, Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” ka sjellë pranë publikut një dëshmi unike të historisë europiane dhe shqiptare: ‘harten portulane te vitit 1455, te Bartolomeo Paretos, hartograf zyrtar i Papa Nikolles V’.

Në këtë dokument të rrallë hartografik, me impakt në gjithë oborret e Europës dhe Azisë, emri “Scandre Beco” – Skanderbeg, shfaqet si referencë gjeografike në zemër të një Ballkani të trazuar nga trysnia osmane në rritje; një rast i jashtëzakonshëm ky që dëshmon jehonën e figurës së Skënderbeut për së gjalli dhe rolin e tij vendimtar si mburojë e qytetërimit Europian në shek. XV.

Ministri i Kulturës, Turizmit dhe Sportit, Blendi Gonxhja, e ka cilësuar këtë dokument si një burim i pazëvendësueshëm për albanologjinë dhe historinë e kontinentit në kapërcyell të Mesjetës me Kohën e Re.

Ekzemplari i certifikuar dhe i dhuruar nga Biblioteca Nazionale Centrale di Roma do të jetë nga sot pjesë e pandarë e eksperiencës së vizitorëve të Muzeut Kombëtar “Gjergj Kastrioti”, në Krujë.