Kontrollet në vijën bregdetare të Vlorës po vijojnë çdo ditë, me inspektorët e Agjencisë Kombëtare të Bregdetit që monitorojnë administrimin e plazheve publike, zbatimin e kontratave dhe respektimin e rregullores në fuqi.
Pamje nga puna në terren janë publikuar nga ministri i Turizmit, Blendi Gonxhja, i cili shkruan se monitorimet shoqërohen edhe me komunikim të vazhdueshëm me operatorët e stacioneve të plazhit. Sipas tij, synimi është më shumë rregull në administrimin e bregdetit dhe më shumë hapësirë publike për qytetarët dhe pushuesit.
"Në Vlorë, vijon çdo ditë puna në terren e inspektorëve të AKB-së për garantimin e administrimit të rregullt të vijës bregdetare dhe mbrojtjen e hapësirave të plazheve publike. Përmes monitorimeve të vazhdueshme dhe komunikimit me operatorët e stacioneve të plazhit, po garantohet zbatimi i kontratave dhe respektimi i rregullores në fuqi. Më shumë rregull. Më shumë hapësirë publike për qytetarët dhe pushuesit. Një bregdet për të gjithë" shkroi Gonxhja në rrjete sociale.
Komente









