Ministri gjerman: Ballkani, atriumi i Evropës, të hapen negociatat për Shqipërinë

Ministri gjerman: Ballkani, atriumi i Evropës, të hapen negociatat për Shqipërinë

Michael Roth

Michael Roth, Ministër Shteti për Evropën pranë Ministrisë së Jashtme Federale në një artikull të gjatë për integrimin e Ballkanit Perëndimor në Union deklaron se duhet të hapen negociatat për Shqipërinë dhe Maqedoninë, pasi do të ishte një sinjal inkurajimi dhe shpresë, sidomos për të rinjtë e dy vendeve. Michael Roth  shprehet se Shqipëria ka ndërmarrë një reformë të thellë e të pashembullt në drejtësi. Ai thotë se Ballkani Perëndimor është guri i provës për suksesin e qëndrueshëm të modelit evropian, prandaj BE sipas tij duhet t’u tregojë, që e ka seriozisht duke hapur negociatat. Në datë 28 qershor do të vendoset për Shqipërinë nëse do të hapen negociatat, ndërsa tre vendet që duhet të binden janë Franca, Gjermania dhe Holanda.

Komisioni i Bashkimit Evropian rekomandoi më 17 prill çeljen e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë. Tani është e rëndësishme të merren vendime të mençura duke mbajtur në konsideratë faktorë gjeopolotikë dhe strategjikë sikurse edhe interesat tona ekonomike dhe ato të sigurisë. Por për se bëhet fjalë? Çfarë është në lojë?

Me këtë rajon nuk na lidh vetëm afërsia gjeografike, por edhe marrëdhënie të larmishme historike, kulturore dhe ekonomike. Ne jemi të interesuar në mënyrë esenciale që Ballkanin Perëndimor ta ankorojmë fort në Evropë e ta bëjmë rezistent - si kundër faktorëve destabilizues brenda vendit ashtu edhe ndaj ndikimeve të dëmshme së jashtmi.

Ballkani ka qenë gjithnjë në fokusin e sferave të ndryshme të interesave. Bashkimi Evropian duhet të bëhet më i dukshëm në rajon si dhe të shfrytëzojë më fort ndikimin dhe mundësitë e tij të formësimit. Të përafrohesh me Bashkimin Evropian nuk do të thotë asfare të jesh i detyruar të ndërpresësh marrëdhëniet politike, ekonomike dhe kuturore me shtetet e tjera. Por çdo vakuum politik që u krijojmë evropianeve dhe evropianëve, do të mbushet pashmangshmërisht nga të tjerë, që janë të interesuar më shumë për instabilitetin dhe që vënë në pikëpyetje modelin tonë të një rendi demokratik të orientuar nga vlerat e të mbështetur në rregulla.

Kina është aktive në rajon dhe po aktivizon investime strategjike para së gjithash në infrastrukturë. Rusia kuron historikisht marrëdhënie të ngushta me vendet e krishtërimit ortodoks dhe krijon varësi përmes furnizimit me energji dhe armatime. Disa shtete arabe kërkojnë një identifikim më të qartë të islamit konservativ, i cili nuk korrespondon me islamin e orientuar kah perëndimit në Ballkan.

Kjo bie ndesh me interesat tona. Sepse Ballkani Perëndimor nuk është aspak oborri i pasmë i Evropës, përkundrazi ai është atrium i shtëpisë evropiane. Ky rajon rrethohet nga një sërë shtetesh anëtare të Unionit - gjeografikisht ai ka qenë gjithherë në zemër të Evropës, vetëm politikisht vazhdon të mbetet jashtë.

Që prej Samitit të Selanikut në vitin 2003 mbarë rajoni gëzon perspektivën e anëtarësimit në BE. Por është e qartë, që në rrugën drejt anëtarësimit ka ende shumë për të bërë: të gjitha vendet, edhe pse në masë të ndryshme, duhet të luftojnë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, mangësitë e qeverisjes dhe konfliktet rajonale të pazgjidhura.

Por krahasuar me gjendjen përpara njëzet, pesëmbëdhjetë apo edhe vetëm pesë viteve shihen hapa gjigandë përpara - dhe këtë e konfirmoi së fundmi edhe Komisioni Evropian me rekomandimin e vet për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit. Por rruga deri në momentin e anëtarësimit është ende e gjatë dhe e lidhur me kushte të qarta. Pra këtu nuk është fjala aspak për një anëtarësim vetvetiu, por  për etapën e parë të një turneje të gjatë.

Në Strategjinë e tij për Ballkanin Perëndimor, publikuar në shkurt, Komisioni i Bashkimit Evropian njoftoi që përmes konsolidimit të mëtejshëm të mekanizmave të kontrollit  dhe një orientimi më të qartë të mbështetjes financiare dhe politike t’i kushtonte edhe më shumë rëndësi çështjeve të demokracisë, shtetit ligjor, qeverisjes së mirë, luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke ndjekur kësisoj dije, që ne i kemi sjellë në vëmendje e i zbatojmë prej kohësh në politikat tona për Ballkanin Perëndimor.

Javët e ardhshme diskutimi rreth perspektivave të anëtarësimit - fillimisht në nivel kombëtar, e më pas në atë evropian - do të sillet rrotull çështjes, se cilat vendime politike do të mbështesnin më mirë stabilitetin dhe demokratizimin e mëtejshëm. E rëndësishme është të gjendet barazpesha mes inkurajimit dhe kushteve të qarta. Dhe po kështu e rëndësishme është se ç’sinjal do duhet t‘i dërgojë BE-ja gjithë rajonit, në mënyrë që proceset e vështira të reformave të vazhdojnë të gjejnë mbështetje në popull. Sepse anëtarësimi në Bashkimin Evropian është detyrë për mbarë shoqërinë, jo vetëm për elitat politike dhe ekspertët ligjorë.

Shqipëria ka ndërmarrë një reformë të thellë e të pashembullt në drejtësi. Nëse rezulton e suksesshme ajo do ta çojë vendin shumë përpara, veçanërisht në luftën kundër krimit të organizuar. Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë ka arritur që, pas vitesh të tëra stanjacioni, pas protestave në rrugë e një ndërrimi - në fund të ditës - të paqtë të pushtetit, të përmirësojë qartësisht marrëdhëniet me fqinjët dhe është duke punuar tanimë me vrull programin e reformave. Por në të dyja vendet, qeveritë reformuese janë vënë në shënjestër të vazhdueshme nga opozita. Për qeverisësit - e me gjasë edhe për ndokënd prej qytetareve e qytetarëve - do të kishte qenë padyshim më e lehtë të pranonin sistemin e patronazhit dhe të korrupsionit, se sa të luftonin për ta kapërcyer atë.

Një destinacion, i cili sa vjen e bëhet më i largët, rrezikon të shndërrohet në një mirazh, duke humbur kështu forcën e tij tërheqëse e në fund edhe atë transformuese. Kjo ka të bëjë jo pak edhe me tema të tilla të rëndësishme sikurse janë pajtimi, marrëdhëniet e ekuilibruara me fqinjët dhe respekti për pakicat: pas luftrave të tmerrshme dhe trazirave të brendshme të viteve ‘90 ka ende shumë plagë që nuk janë shëruar. Ndërkohë ka ende aty-këtu armiqësira shekullore, të kushtëzuara historikisht, mes etnive dhe komuniteteve fetare.

Ndaj edhe më i madh është inkurajimi kur sheh se sa ngushtë bashkëpunojnë ndërkohë gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor - të nxitur prej qëllimit të përbashkët të përafrimit me Bashkimin Evropian - në sektorët e ekonomisë, transportit, digjitalizimit dhe shkëmbimeve rinore.

Balkani Perëndimor është guri i provës për suksesin e qëndrueshëm të modelit evropian, i cili lidh demokracinë, lirinë dhe shtetin ligjor me sigurinë dhe mirëqenien. Këtë të fundit e shpresojnë para së gjithash të rinjtë e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Procesi i transformimit, i cili vijon tanimë prej vitesh, kërkon shumë prej tyre. Çelja e bisedimeve do të ishte një sinjal inkurajues për njerëzit në të dy vendet. Ne duhet t’u tregojmë, që e kemi seriozisht.

Michael Roth

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Shunden-Bunden: 06/06/2018 18:50

    Forca Allemania. Forca Edi . Pushim zemre per Berishen, Moniken Lulqimen.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë