Manipulimi i kompanisë së prodhimit të automjeteve Volkswagen ka ndodhur edhe në Europë.

Këtë lajm e konfirmoi ministri gjerman i transporteve, Alexander Dobrindt i cili nuk bëri me dije sa automjete janë prekur në Europë.  
 
“Jemi informuar se edhe në Evropë, automjetet me motorë dizel 1.6 dhe 2 kubikë, janë prekur nga manipulimet e kompanisë Volksëagen” –u shpreh Dobrindt.
 
Sipas BBC ministri gjerman Dobrindt tha se në Europë testet e radhës do të kryen nga kompani të tjera dhe jo nga Volkswagen.

I pyetur nga gazetarët, nëse nga ky skandal është prekur edhe kompania BMW, Dobrindt tha se nuk ka indormacion dhe se nuk mund të spekulojë pa kryer kontrolle të mirëfillta.
 
Aksionet e  BMW pësuan ulje në bursën e Frankfurtit menjëherë pas lajmit të publikuar nga revista. Ndërkohë një ditë më parë kreu ekzekutiv i Volkswagen dha  dorëheqjen duke marrë kështu përgjegjësi për skandalin e fshehjes së ndotjes atmosferike .
 
Gjiganti gjerman i prodhimit të automjeteve pritet t’i paguajë plot 18 miliardë dollarë Agjencisë Amerikane të Mbrojtjes së Mjedisit, pasi makinat  e hedhura në treg nuk janë në përputhje me ligjin amerikan. 
 
Redaksia Online
(o.m/Shqiptarja.com)