Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla është takuar sot me Gunther Krichbaum, Ministër i Shtetit për Europën në Qeverinë Federale të Gjermanisë dhe një nga politikanët më të rëndësishëm të CDU-së gjermane, i cili ka ardhur në një vizitë zyrtare në Shqipëri.

Në përfundim të takimit, Balla vlerësoi bashkëpunimin historik të dy vendeve dhe falenderoi Gjermaninë për mbështetjen e fuqishme të anëtarësimit të vendit në BE

“Gjithmonë një kënaqësi të takohem me Gunther Krichbaum, i cili në këtë vizitë zyrtare në Shqipëri vjen si Ministër i Shtetit për Europën në Qeverinë Federale të Gjermanisë. Shumë mirënjohës zotit Krichbaum për vëmendjen dhe mbështetjen e vazhdueshme qoftë në Bundestag, qoftë tani si anëtar i Qeverisë gjermane. Gjermania rënditet e para me mbështetjen e drejtpërdrejtë akorduar Shqipërisë. Sot Shqipëria dhe Gjermania kanë nivelin më të lartë historik të marrëdhënieve të shkëlqyera dypalëshe dhe në kuadër të organizatave ku dy vendet tona aderojnë. Gjermania mbështet fuqimisht anëtarësimin e Shqipërisë në BE” shkroi Balla në Facebook.