Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, bëri të ditur se më 30 shtator do të publikohet, së bashku me Këshillin e Europës, paketa më e gjerë e ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale që prej miratimit të tij.
Ndryshimet vijnë pas studimit të Këshillit të Europës mbi paraburgimin në Shqipëri dhe pas 10 vitesh reformë në drejtësi, në një moment kur synohet të vlerësohet funksionimi i garancive procedurale dhe standardeve të konsoliduara nga jurisprudenca.
Rishikimi do të përfshijë masat e sigurimit, të drejtat e palëve gjatë hetimit dhe gjykimit, provat dhe mënyrën e administrimit të tyre, seancën paraprake, prezumimin e pafajësisë, publicitetin e seancave dhe mbrojtjen e të dhënave personale.
Sipas Gogut, synimi është që forcimi i shtetit të së drejtës të ecë paralelisht me fuqizimin e garancive procedurale të individit.
“Në datën 30 shtator ne publikojmë, së bashku me Këshillin e Europës, korpusin më të madh të ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale që kur ai është miratuar. Vjen si pasojë e një studimi që Këshilli i Europës ka bërë për sa i përket paraburgimit në Shqipëri, por edhe pas 10 vitesh reformë të shtetit të së drejtës. Bëhet fjalë për masat e sigurimit. Është e rëndësishme që, në bashkëpunim me Këshillin e Europës, të shikojmë caktimin e masave të sigurimit, të drejtat e palëve në proces, qoftë në hetim, qoftë në gjykim, provat dhe se si ato administrohen, seancën paraprake, prezumimin e pafajësisë, publicitetin që një seancë ka dhe mbrojtjen e të dhënave personale. Duhet që të forcohen edhe garancitë procedurale të individit", tha Gogu.
Më 30 shtator, ndryshimet do të diskutohen në një tryezë me drejtues të institucioneve të drejtësisë, përfaqësues të gjykatave, prokurorëve dhe avokatëve, shoqërinë civile, median dhe partnerët ndërkombëtarë.
Lajmi kryesor:
Kuvendi 3 orë debate për SHISH/ PD rrethon foltoren: U shemb siguria, Rama të dorëhiqet! PS i kujton Berishës SHIK-un e Gazidedes: Vrave e rrëmbeve








