Ministri Halimi: Anëtari i LSI-së
në KQZ duhet t'i kalojë shumicës

Ministri Halimi: Anëtari i LSI-së <br />në KQZ duhet t'i kalojë shumicës
TIRANE - Gazetari Ilir Babaramo ka ftuar në studion e emisionit "5 Pyetjet nga Babaramo", ministrin e Drejtësisë, Eduard Halimi, nisur nga zhvillimet e fundit politike, prishja e koalicionit të LSI-së me qeverinë dhe pasojat e kësaj prishjeje. Babaramo i ka mëshuar më së shumti, mundësisë së prishjes së balancës së Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, meqënëse LSI-ja iu bashkua opozitës. Ministri Halimi theksoi disa herë gjatë fjalës së tij ne "jemi shumica" dhe shumica nuk do të bëhet asnjëherë pakicë, pasi është konsoliduar me votat e qytetarëve dhe garantuar me Kodin Zgjedhor që në vitin 2003. Më poshtë, intervista e z.Halimi. 

 Z. Halimi. Do ta nis bisedën nga ngjarja e ditëve të fundit në politikë, prishja e koalicionit me LSI-së, partinë që ju garantoi katër vitet e fundit një qeverisje, që arriti t’i tejkaloni të gjitha mocionet e mosbesimit. Pse u prish ky koalicion, z.Halimi?

Unë besoj se z.Meta ka dhënë shpejgimet e veta në lidhje me largimin nga koalicioni, po ashtu edhe Kryeministri e ka bërë të qartë se kjo ka qënë një lëvizje e kërkuar nga z.Meta për t’u futur me Partinë Socialiste në zgjedhje. Nuk di të ketë patur ndonjë arsye tjetër veç atyre që z.Meta dhe Kryeministri kanë artikuluar në media.

Nuk ka ndonjë arsye më tej? Çfarë nuk shkonte? Ndonjë mosmarrëveshje programore... Se pas katër vjetësh në qeverisje, s’mund të ndahesh me një njoftim në “Facebook”…

Jo, nuk e thashë këtë, por të dy ata kanë qënë të qartë dhe i kanë artikuluar arsyet pse LSI-ja është larguar nga qeverisja dhe ka vendosur të hyjë në zgjedhje sëbashku me një koalicion tjetër. Është zgjidhje e saj. Ne kemi punuar gjatë këtyre katër vjetëve, kemi kryer shumë reforma duke përfshirë këtu gjithë qeverisjen. Kemi zgjidhur shumë probleme, kemi bërë më të mirën ndaj qytetarëve, kemi arritur të hapim më shumë vende pune, kemi arritur të kryejmë reformat e rëndësishme në sistemin e punësimit, në sistemin e drejtësisë, duke ndihmuar biznesin në uljen e taksave, rritjen e rrogave e pensioneve.

Cilat janë pasojat e prishjes së kësaj koalicioni? LSI-ja kishte 20% të të punësuarve në administratën shtetërore, si me ata në poste politike, edhe në administratën politike, pra, rreth 15 mijë veta.

Nuk e kam këtë informacion në lidhje me numrin e të punësuarve në administratë. Sigurisht që nga gjithë lëvizjet e fundit që kanë ndodhur, nga ministrat e zyrtarët politike etj. mbetet e rëndësishme që shteti ligjor të funksionojë dhe kjo po ndiqet me rigorozitet siç ndodh në çdo shtet ligjor. Unë di që, ata që kanë poste politike, janë larguar. Por ne kemi një ligj për shërbimin civil të 2005-ës dhe sipas tij, të drejtat e çdo personi do të respektohen, por sigurisht nën dritën e zhvillimeve të fundit.

Kjo tingëllon që ata do qëndrojnë apo do të largohen?

Kjo është një çështje që u përket institucioneve përkatëse. Unë në ministrinë e Drejtësisë nuk kam ndonjë shembull konkret, por ata të LSI-së, që kanë pasur poste politike kanë dhënë dorëheqjen.

Ka institucione në varësi të ministrisë së Drejtësisë, ku ka punonjës të LSI-së. Me ata si do të veproni?

Në ato raste kur është kërkuar dorëheqja, ajo iu është miratuar menjëherë.

Ka një situatë pak të çuditshme me një parti që ka qenë në qeverisje e kalon në opozitë: disa anëtarëve të saj, kur japin dorëheqjen, ju u thoni “udha e mbarë”, por nuk i largoni…A ka një pakt Meta-Berisha, a është diskutuar kjo gjë që nuk do preken njerëzit e LSI-së?

Nuk e kam këtë informacion. Është mënyra se si funksionon administrata publike, psh.në ministrinë e Drejtësisë, ku njerëzit nuk janë punësuar se janë të PS-së apo të LSI-së, por janë punësuar përballë një konkurimi korrekt. Në ato raste, kur nuk ka punonjës që i përkasin shërbimit civil, kjo është çështje e performacës së drejtuesve.

Po nëse këta njerëz janë futur për arsye politike, atëherë i bie që edhe për arsye politike të largohen…

Kjo mund të jetë një sajesë që mund të vijë nga zyra politike të caktuara.

E dini pse ua bëj këtë pyetje? Votimi më politik është emërimi i ministrave dhe ai i buxhetit. LSI-ja, kur kaloi në opozitë, abstenoi për emërimet e ministrave por kemi edhe një gjuhë shumë të “kadifenjtë” PD-LSI dhe duam të dimë çfarë po ndodh.

Nuk ka asgjë anormale. Ata u larguan nga qeverisja, ata paraqitën dorëheqjen. Rrugë tjetër përveçse brenda minutes, Kryeministri i vendit të emërojë ministrin tjetër,titullari përkatës të emërojë zëvendësin, nuk ka, sepse nuk mund të ketë vakanza.

Këto tone PD-LSI do të vazhdoni t’i mbani edhe gjatë fushatës elektorale?

Kjo është çështje që i përket fushatës elektorale dhe debateve. Zhvillimet e fundit po trajtohen duke respektuar gërmë më gërmë Kushtetutën dhe ligjet e vendit. Të gjithë ata persona që kanë qënë pjesë e stafit politik, patjetër që do ndryshohen. Edhe unë kur mora drejtimin e ministrit, natyrisht që ndërrova stafin e z.Nishani; kabineti dhe njerëzit e tij dhanë dorëheqjen dhe kjo është e saktësuar në ligj. Kur kjo ndodh brenda së njëjtës shumicë, kjo është normale. Titullari do të punojë me njerëz politikë.

Po këmbëngul për shkak se mund të ketë një rikthim pas të LSI-së. Ekziston ky opsion që mund të jeni sërish bashkë?

Nuk ka përse të krijojmë të tilla gjëra, nuk jemi naivë, ne e kuptojmë se cila është rruga përpara.

Po për bashkëqeverisjen, LSI-ja ishte për ju një kosto në imazhin publik, ulte aksionet tuaja tuaja politike si PD apo një vlerë e shtuar?

Unë ju thashë edhe më parë se gjatë këtyre katër viteve ne kemi pasur një sërë suksesesh, që kanë të bëjnë me rritjen e performancës së vendit, me rritjen ekonomike, me kthimin e taksave dhe me kthimin e parave të qytetarëve në investime publike. Dhe unë besoj se kemi bërë jashtëzakonisht shumë. Nuk e them vetëm unë, por e thonë gjithë qytetarët.

Kush e thotë: e thotë PD-ja apo PD-ja bashkë me LSI-në?

Z.Babaramo! Ju e shihni se mazhoranca është solide.Edhe pa LSI-në, kjo është mazhorancë solide. Të gjithë ata që fjetën me ëndrra se do krojonim qeveri teknike, u mbetën ëndrra.

Pyetja ime është direkte: Edhe LSI-ja është pjesë e këtyre sukseseve apo e vetëm pjesës së dështimeve?

Pjesë e suksesit të qeverisë së drejtuar nga kryeministri Berisha është ndërtimi i 10 mijë km rrugë; pjesë e suksesit të Qeverisë “Berisha” është ndërtimi dhe rindërtimi i 1300 shkollave; pjesë e suksesit është ndërtimi dhe rindërtimi i 400 qëndrave spitalore, futja e internetit, rritja e rrogave, ndërtimi i ujësjellësave, rritja e pensioneve. Kjo është pjesë e meritës e Kryeministrit dhe e qeverisë së drejtuar nga Kryeministri Berisha. Këtë besoj se e kanë të qartë të gjithë qytetarët shqiptarë.

Flasim për përgatitjen e zgjedhjeve. LSI-ja, duke qënë partia e dytë e koalicionit qeverisës, ju mori një anëtar të KQZ-së dhe do ketë përfaqësuesit e saj, për herë të parë, në gjithë piramidën e administratës elektorale. Me konjukturën e re, do t’i ketë këto apo do t’ia merrni?

Ajo që është e rëndësishme është që zgjedhjet të jenë të lira dhe të ndershme dhe kjo është garantuar edhe në konferencën për shtyp të Kryeministrit në lidhje me këtë çështje. Në frymën dhe në gërmën në të cilën funksionon Kushtetuta e këtij vendi, asgjë nuk do ta devijojë nga qëllimi për të kryer zgjedhjet me të lira dhe më të ndershme gjatë gjithë historisë së vendit. Kjo është pjesa më e rëndësishme. Kodi Zgjedhor ka në themelin e vet, në thelbin e vet, balancën. Çështja e balancës së KQZ-së është nja nga çështjet më të rëndësishme, pra, është ky element që e ka vlerësuar gjerësisht si një nga Kodet më të mira, Kodi Zgjedhor Shqiptar. Dhe bashkë me balancën shkon dhe një parim tjetër shumë i rëndësishëm, parimi që shumica nuk bëhet pakicë, që do të thotë se shumica ka shumicën në KQZ.

Pra, sipas këtyre parimeve, ju do t’ia merrni anëtarin e KQZ-së, LSI-së?

Unë po ju them që shumica nuk mund të ndodhë që të bëhet pakicë. Të gjithë ata që thurin ëndrra se do të bënim një qeveri teknike, se do të rrëzonin shumicën e do ta bënin pakicë, dështuan. Kjo shumicë tregoi se ka 72 deputetë në Kuvendin e Shqipërisë.

Po në qoftë se kemi një rrokadë komisionerësh. Nëse PBDNJ-ja bën koalicion me ju, do t’ia hiqni komisionerët PBDNJ-ësë?

Z.Babaramo! Është e rëndësishme që zgjedhjet të jenë të lira dhe të ndershme dhe kjo të garantohet dhe garantohet nga Kodi, nga Qeveria.

Në çfarë klauzole do këmbëngulni që shumica të mos bëhet pakicë, t’i hiqni komisionerin LSI-së, kur ai ka një status dhe është votuar? Nuk ka shkelur ligje, që ju ta shkarkoni. Në cilin nen apo ligj do mbështeteni për t’ia hequr këtë komisioner, LSI-së?

Nga viti 2003, kur u bë Kodi Zgjedhor, parimi i balancës dhe parimi që mazhoranca ka mazhorancën në KQZ, është i pandryshuar. Edhe sot po ta hapni Kodin Zgjedhor, do lexoni të njëjtën gjë. Mazhoranca ka mazhorancën në KQZ, shumica nuk bëhet pakicë. Më qartë se kaq, nuk bëhet.

Por ka disa variante. Një variant është që LSI-ja kaloi majtas dhe PBDNJ-ja mund të kalojë djathtas. Pra, numri i komisionerëve mbetet i njëjtë. Pra, ju do të merrni atë të PBDNJ-së dhe pastaj do të rimerrni edhe atë të LSI-së. Nuk ka një prishje të balancës?

Nuk jam duke thurur dhe as aluduar për ndonjë skenar. Ajo që po them është pikërisht kjo: mazhoranca është mazhorancë. Kushdo që thur ëndrra për të thyer mazhorancën apo për ta kthyer shumicën në pakicë, e provoi para një jave dhe mund ta provojë edhe sërish por mazhoranca mbetet sepse ka dalë nga zgjedhje të ligjshme, nga vullneti i popullit.  Edi Rama i mbush mendjen vetes dhe kërkon t’u mbushë mendjen të tjerëve se ai paska fituar zgjedhjet në 2009-ën. Me sa deputetë? Ai iu drejtua Komisionit të Venecias dhe ODIHR-it dhe Komisioni i Venecias i ktheu raportin, i tha se zëri i çdo qytetari duhet të dëgjohet dhe vota e çdo qytetari duhet të lexohet, ç’ka do të thotë se tha “z.Rama, i ke humbur zgjedhjet në 2011-ën, z.Rama, i ke humbur zgjedhjet në 2009-ën”.
Ky është parlament i dalë nga vullneti i qytetarëve dhe përsa kohë vullneti nuk do ndryshojë, PD-ja është mazhorancë. Kur populli të vendosë ndonjëherë, pas 34 vjetësh apo ku e di unë, vullnet i tij, që PD-ja të mos jetë mazhorancë, atëherë, duke zbatuar në frymë e gërmë Kushtetutën, Kodin Zgjedhor, sigurisht që PD-ja nuk do të jetë mazhorancë.

Thatë “në frymë dhe në gërmë”. Në cilën gërmë parashikohet që LSI-së, partisë së tretë në vend, duhet t’i merret ky komisioner?

Formula e ndërtimit të KQZ-së është e përcaktuar qartë në Kodin Zgjedhor dhe është e njëjta që është përcaktuar në vitin 2003. Me pak ndryshime, edhe në Kodin aktual Zgjedhor.

Thatë që keni shumicën, me votat e tre deputetëve të PS-së, që kanë dalë së fundmi nga PS-ja...

Z. Babaramo, ne lexojmë votat siç lexojmë votat e mijëra qytetarëve si kur votojnë për Parlamentin, për kryetarin e komunës etj. Demokracia është votë, vota është shprehje e vullnetit. Çfarë bëmë ne? Lexuam shprehjen e vullnetit, që është e qartë: PD-ja ka 72 vota në Kuvendin e Shqipërisë.

Intervista e plote


  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës