Lufta ndaj krimit e korrupsionit/ Kim: Arrestimi i politikanëve të korruptuar, vetëm fillimi! Soreca: Krimi mjedisor, fitimprurës sa trafiku i drogës

TIRANË-Synimi i Reformës në Drejtësi nuk është vetëm pastrim i sistemit të drejtësisë nga prokurorë e gjyqtarët të korruptuar, por edhe arrestimi i politikanëve të korruptuar që për më shumë se 3 dekada kanë bërë me vendin çfarë kanë dashur. Këtë paralajmërim nuk nguroi ta përsëriste serish ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim ,e cila tha se largimi i gjyqtarëve, prokurorëve të korruptuar dhe arrestimi i politikanëve është vetëm fillimi i luftës ndaj krimit dhe korrupsionit në Shqipëri. Ajo bëri një apel për më shumë pavarësi për Policinë e Shtetit dhe forcim të institucioneve të pavarura, gjë që sipas saj do të arrihet jo vetëm përmes financave por edhe me rritjen e transparencës dhe llogaridhënies së institucioneve.

Po ashtu një deklaratë të fortë bëri edhe ambasadori i BE, Luigi Soreca i cili tha se krimin mjedisor sjell para njëlloj si tregtia e drogës. Ai tha se ky krim mjedisor është i vështirë për t’u kapur, por që lufta ndaj saj është po aq e rëndësishme sa krimi i organizuar pasi gjeneron shumë fitime.

Lufta ndaj krimit mjedisor është një nga prioritetet e policisë së shtetit kohët e fundit, ku ka intensifikuar edhe kontrollet në gjithë territorit, kjo pas paralajmërimit që kryeministri Edi Rama u bëri kryebashkiakëve se do të ketë masa të ashpra për këdo që kryen krime mjedisore dhe bashkitë që lejojnë bizneset të hedhin plehra në pika të paautorizuara. Edhe ambasadori i BE Soreca i ka bërë apel Policisë së Shtetit që të fokusohen në luftën ndaj krimit mjedisor.

Ndërsa ministri i Brendshëm Bledi Çuçi theksoi se vëmendje të veçantë do t’i kushtohet pastrimit të parave dhe krimi kibernetik. Në 9 muaj janë sekuestruar mbi 18 milionë euro asete kriminale, tha Çuçi, ndërsa shtoi se buxheti 2022 për Ministrinë e Brendshme është 4 % më i lartë, ku pikërisht mbështetja më e madhe do të jetë për sigurinë rrugore dhe luftën ndaj krimit të organizuar.

“Rezultatet e deritanishme tregojnë se falë bashkëpunimit me BE dhe jo vetëm, si dhe me SHBA, është bërë e mundur të rriten kapacitetet kundër krimit, terrorizmit, sigurisë, e më gjerë. Komponent kryesor janë investimet në inteligjencë dhe teknologji moderne, që janë mjeti transformues për të bërë kapërcime madhore. Në buxhetin e vitit 2022 do të jetë 4% më i lartë dhe 80% do të shkoj për Policinë e Shtetit. Pjesa më e madhe për investime, më shumë se gjysma në investime në teknologji. Një komponent po aq i rëndësishëm është edhe trajnimi i kapaciteteve njerëzore dhe roli i Akademisë së Sigurisë mbetet kyç. Për të rritur eficensën për krimin e organizuar është planifikuar riorganizimi i Departamentit të Policisë Kriminale. Kemi në dorë një dokument pune të një prej ekspertëve më të mirë të Policisë Gjermane. Në 2021 u krijua Drejtoria e Hetimit për të luftuar grupet kriminale dhe krimin e organizuar, me objektivin për të zhvilluar hetime proaktive. Janë krijuar nga e para njësi të posaçme në luftën kundër krimit kibernetik, ekonomik e financiar, njësia e kapjes së personave në kërkim e më gjerë. Policia Shkencore do të ndihmohet nga partnerët e Britanisë së Madhe. Fushë tjetër është edhe ajo e pastrimit të parave. Në këtë kuadër, krimi kibernetik dhe transfertat e parave me burim të dyshimtë është në rritje. Gjatë periudhës janar-shtator 2021 janë proceduar penalisht 380 persona në fushën e narkotikëve, krimit ekonomik dhe financiar, kibernetik apo në fushën e krimeve të rënda. Krahasuar me të njëjtën periudhë 2020 kemi rritje me rreth 215%, ku 86 janë raste të proceduara penalisht në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtar. Mesatarisht, 1 në 4 operacione është zhvilluar me partnerët tanë. Policia e Shtetit synon të jetë lider në disa operacione ndërkombëtare. Vetëm për tetë muajt e parë të vitit 2021 janë sekuestruar 18 milionë asete kriminale, me synim fuqizimin e agjencive ligj-zbatuese dhe kthimin në të mira materiale dhe shërbime për komunitetet publike. Bashkë me FRONTEX po punojmë për ruajtjen e kufijve. BE po mbështet po ashtu dhe presim çdo partneritet tjetër për të zgjeruar teknologjinë. Lufta kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm ka qenë dhe mbetet prioritet për ne dhe partnerët. Në sektorin e azilit u hartua ligji për azilin bazuar në modelet e standardeve të BE dhe për hetë të parë është aplikuar mbrojtja e përkohshme e mbrojtjes migratore, instrument i përdorur në fluksin e azilantëve që erdhën nga Afganistani. Prioritet mbrojtja e mjedisit. Sipas ndryshimeve në legjislacion, krimet mjedisore trajtohet si vepër penale nga ana jonë. Dy hetime për shkelësit, administrativ dhe penal. Policia po merr rol të rëndësishëm në luftën kudër krimeve mjedisore. Mbrojtja e burimeve natyrore, sidomos për lumenjtë, liqenet dhe detet, janë në vëmendje të strukturave tona” tha Çuçi.

Këto deklarata u bënë gjatë një konference për Policinë e Shtetit, arritjeve dhe sfidave të saj, që zhvilloi Ministria e Brendshme, ku të pranishëm ishin edhe ambasadorët e BE, Luigi Soreca dhe SHBA, Yuri Kim. 

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:25
Kim: Arrestimi i politikanëve të korruptuar, vetëm fillimi! Institucionet të jenë të pavarura

Ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim tha se institucionet e pavarura, rritja e transparencës dhe financimi i një force policore të pavarur do të ndihmojnë që të rrisë besimin e qytetarëve jo vetëm te policia por edhe tek drejtësia. Kim tha se me pastrimin e sistemin gjyqësor, proces që ende vijon, ka nisur të jap efektin se pandëshkueshmëria nuk ekziston, ndërsa shtroi se policia, prokurorët gjyqtarët dhe politikanët duhet t’i rezistojnë korrupsionit dhe të mos shkurajohen nga krimi i organizuar. Ajo madje paralajmëroi edhe arrestimin e politikanëve të korruptuar.

“Të gjithë kërkojmë një Shqipëri ku të gjithë të jenë të sigurt dhe mbron qytetarët e saj. Njerëzit e ndershëm dhe punëtorë shkurajohen kur shohin se krimi i organizuar nuk kontrollohet. E ardhmja e ndritur e Shqipërisë mbështetet tek qytetari i zakonshëm që beson se sistemi nuk është i ndërtuar kundër tyre. E vetmja mënyrë për të luftuar krimin korrupsionin është të kemi institucione të pavarura. Policia, prokurorët gjyqtarët dhe politikanët duhet t’i rezistojnë korrupsionit. Në vitin 2021 që nga largimi i gjyqtarëve të korruptuar deri tek arrestimi i politikanëve ka arritur shumë. Ky është vetëm fillimi, në po shohim një epokë të re. Ekziston ndjesia se pandëshkueshmëria mundet. Shqipëria është një rrugë kyçe në trafikun e drogës dhe trafikun e qenieve njerëzore. Sipas UNODC rreth 60-65 ton heroinë kontrabandohen në rajon gjatë vitit, kjo nuk është vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë rajonin. Numri i emigrantëve të paligjshëm gjithashtu është rritur.  Me rritjen e trafikimit të qenies njerëzore ka edhe rrezik. Me rritjen e trafikut të qenieve njerëzore , kriminelët do të përdorin fluksin e emigrantëve në favor të tyre. Të rritet transparenca dhe llogaridhënie e institucionet, financimi i një force policore të pavarur, ndjekjen e parave të paligjshme, sekuestrimi i pasurive të kriminelëve që tashmë SPAK po e bën, të përmirësojmë sistemin dhe të punojmë së bashku për të hedhur themelet që besimi i publikut të rritet, të forcojmë bashkëpunimin tonë si donatorë dhe miq e partnerë”, tha Kim.  

Ora 10:16
Soreca: Krimi mjedisor është po aq fitimprurës si tregtia e drogës, i vështirë për t’u kapur

Ambasadori i Shqipërisë në BE, Luigi Soreca kërkoi nga Shqipëria të vazhdojë edhe më shumë përpjekjet kundër krimit të organizuar si dhe të shtojë sigurinë e qytetarëve në rrugë. Fokusin kryesor Soreca e vuri te krimi mjedisor ku tha se edhe ky krimi sjell shumë para dhe është po aq fitimprurës si tregtia e drogës, por është e vështirë për t’u kapur.

Rritja e standardeve në ulje të aksidenteve rrugore, lufta e krimeve mjedisore tha Soreca do të lehtësojë rrugën e integrimit në BE.

“Shtetet anëtare të BE, përmes ekipeve të përbashkëta, Europolit dhe zyrave që mbështesin trajnime si dhe projekte të ndryshme. BE do të vazhdojë mbështetjen ndaj Shqipërisë, si dhe përpjekjet që po bëhen për integrimin Evropian. Do të çojmë përpara bashkëpunimin e vendet e BE dhe Europolin. Do të forcohen ekipet e hetimeve të përbashkëta të policisë dhe do të kemi operacione të përbashkëta të suksesshme. Duhet të bëhen përpjekje për të luftuar korrupsionin, sidomos në fushën e pastrimit të parave dhe korrupsionin publik. Jam i lumtur që kemi folur për sigurinë rrugore. Shqipëria ka prezantuar shumë nisma dhe ende kjo problematikë është shqetësim. Kemi pasur numër të lartë aksidente rrugore vitet e fundit. Do të doja të flisja dhe për krimin mjedisor. Nuk mund t’i shtyjmë më tej angazhimet tona. Krimi mjedisor nuk është pa viktima, sepse krijohen dëme ndaj mjedisit. Krimi mjedisor sjell shumë para dhe është po aq fitimprurës si tregtia e drogës, por është e vështirë për t’u kapur. Shqipëria po përballet në emigracion në rritje. Është i rëndësishëm zbatimi i plotë i legjislacionit. Kjo është e rëndësishme në takimin sot, të ndajmë përgjegjësi e të tregojmë që Shqipëria do të ketë rol të rëndësishëm në promovimin e nismave, e kjo do të thotë që do të çojmë përpara integrimin Evropian”, tha Soreca.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Besa: 24/11/2021 14:00

    I vetmi politikan qe eshte denuar dhe do ti shpetoje denimit' eshte S. TAHIRI. por ai nuk eshte arrestuar ndonjehere. Ai puftja'A. Llalla nuk qe politikan' madje as prokuror. Se per cfare e ka patur llafin kjo zonja' hajde gjeje. Pale Ministri Cuci' paska ngritur nje drejtori Hetimi Krimi' sikur ato mungonin. Po pse BKH per ca e kemi. Kurse Soreka i ben fresk kapjes se pronave me interes turizmi nga Rama' Lluca & Co. Kuptohet' permes aksioneve te tyre patetike per pastrim e ndwrtime paleje. Ca paska qene kjo Shqiperia mor aman' nuk rri njeri pa u bere pjese e kapjes se organizuar te shtetit ne favor te xhepit.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    16 Nëntor, 09:13

    Kush ka pension më të ulët bonus më të madh në fundvit? Si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Zyrtari i lartë rus: Vendimi i Biden për Ukrainën mund të çojë në Luftën e Tretë Botërore

Zyrtari i lartë rus: Vendimi i Biden për Ukrainën mund të çojë në Luftën e Tretë Botërore