Balla porosi drejtuesve të policisë: Arrestoni djalin dhe vëllanë e Rrajës! Deputetin që ndërhyn tek ju adresojeni tek unë! Kush i lejon shkarkohet

TIRANË- Taulant Balla premton një drejtim ndryshe të ministrisë së Brendshme. Pa shumë fjalime publike, ndryshe nga sa ka bërë në 18 vite si deputet i Kuvendit. Prandaj në takimin e parë mbajtur sot paradite (17 korrik 2023) me drejtuesit e Ministrisë së Brendshme - i ulur krah Drejtorit të Përgjithshëm të policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, ndërsa përballë kishte drejtuesit e të gjithë drejtorive të policive në qarqe e komisariate - vendosi pikat me ‘i’. 

Kërkes e parë ishte të mos pranonin ndërhyrjet e deputetëve. Ministri i Brendshëm ua bëri të qartë drejtuesve të policisë se nuk do të tolerojë asnjë ndërhyrje nga deputetë në punën e tyre. Në rast se një deputet ju telefonon, shtoi Balla, u kërkoi që deputetin ta adresojnë tek ai në të kundërt nëse ata do të lejojnë ndërhyrjen do të shkarkohen nga puna. 

"Deputeti ka detyrë t’ju drejtohet për çdo shqetësim, ju keni detyrë t’i dëgjoni me respekt sa herë ju bie telefoni prej deputetëve, por për çdo rast që arsyeja e telefonatës përbën ndërhyrje në kryerjen e detyrës suaj, ju kërkoj që deputetin ta drejtoni tek unë.  Ndërhyrja e kujtdo tjetër është e papranueshme. ..Nëse më parë drejtues e shefa policie kanë çeduar nga ky standard, unë nuk do të çedoj në asnjë rast në masat që do të merren drejt tyre, për çedim ndaj ndikimeve nga jashtë.'

Kërkesa e dytë ishte arrestimi i djalit dhe vëllait të mikut të tij, deputetit të dorëhequr Rrahman Rraja, përgjegjës për ngjarjen shokuese në Fushë Krujë, organizatorë të dhunës së ushtruar me shkopinj gome dhe bejsbolli ndaj Bilbil dhe Jashar Majës vetëm për faktin se ishin ankuar se gurorja e fisit Rraja në Borizanë po shkatërronte shtëpijat.

'Arrestimi sa më parë i vëllait dhe i djalit të deputetit të Fushë-Krujës, i cili është miku dhe ish-kolegu im, Rrahman Rraja, i cili me gjestin e tij të dorëzimit të mandatit bëri detyrën e tij karshi qytetarëve, duke u vetëndëshkuar moralisht, por ndërkohë që Policia e Shtetit ende nuk e ka bërë detyrën e saj për të ndëshkuar ligjërisht dy individët e lartpërmendur, të cilët e kanë vendin para drejtësisë një orë e më parë.'- tha Balla.

Nuk kurseu kritikat për drejtorin e Përgjithshëm të policisë Muhamet Rrumbullaku dhe shefave të komisariateve të cilët kanë bërë veshin shurdh dhe syrin qorr, apo kanë heshtur duke u bërë  bashkëfajtore me të fortët e lagjes.

"Veshi i shurdhër dhe syri qorr, heshtja bashkëfajtore ndaj të fortëve të lagjes dhe mosreagimi i forcave të rendit ndaj denoncimeve të qytetarëve, jane rreshtim i policisë kundër tyre, kundër shtetit' 

Kishte rezerva dhe për Ardi Veliun dhe Agjencinë e Mbikqyrjes Policore që ai drejton.

"Pyetja ime kaq kohë pas krijimit të Agjencisë si një derivat i SHKB-së së dikurshme, sa drejtues a shefa komisariatesh të Policisë së Shtetit janë kapur me presh në duar? Janë goditur shumë keqbërës të vegjël nën uniformë, por keqbërës të mëdhenj më shumë se sa pak, për të mos thënë aspak!” tha Balla.

I qartë ishte dhe kur drejtorëve e shefa komisariatesh u kërkoi të mos ulen në kafe ku mund të përcillen informacione që dekonspirojnë aksionet e policisë, ndërsa policët brenda 10 ditësh duhet të lexojnë Kodin e etikës dhe të mos qarkullojnë nëpër lagje vetëm për gjoba.

Ndryshe nga paraardhësit e tij deklaroi se nuk do ta niste punën me ndërrimin e drejtuesve dhe shefave të policisë, ndërsa do ndihmonte në përmirësimin e jetesës së efektivëve të thjeshtë të policisë. Prandaj nga nesër do të hapet aplikimi për 100 banesat e para për punonjësit e policisë që jetojnë jashtë zonës së vandbanimit të tyre.

Data 

15 korrik 2023 Taulant Balla  mori detyrën e ministrit të Brendshëm 

13 Korrik 2023 Kuvendi miratoi me 75 vota pro, 16 kundër, 1 abstenim emërimin e Taulant Ballës në postin që për 2 vite e gjysmë e kishte drejtuar Bledi Çuçi, i cili u shkarkua më 7 korrik 2023 nga Kryeministri Edi Rama, pas ngjarjes së rëndë që ndodhi në Fushë Krujë dhe Borizanë.  Balla mban dhe postin e kryetarit të Grupit parlamnetar të PS-së dhe është deputet prej 18 vitesh. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:02
"Sa shefa komisariatesh u kapën me presh në duar?' Balla nuk kursen kritikat as ndaj Agjencisë së Mbikqyrjes Policore të drejtuar nga Ardi Veliu

 

Në takimin e parë si ministër i Brendshëm me drejtuesit e policisë së shtetit, Balla nuk kurseu as kritikat ndaj Agjencisë së Mbikqyrjes Policore të drejtuar nga Ardi Veliu

"Lufta kundër korrupsionit nuk nis jashtë nesh, por së pari brenda rradhëve tona. Agjencia e Mbikqyrjes Policore është krijuar me një ligj të punuar bashkë me partnerët tanë ndërkombëtarë, në parlament e kemi konsideruar si një ligj të rëndësisë së veçantë, të cilin e njoh mirë dhe e kam mirë parasysh sa pritshmëri kemi pasur kur e kemi miratuar këtë ligj.

Pyetja ime kaq kohë pas krijimit të Agjencisë si një derivat i SHKB-së së dikurshme, sa drejtues a shefa komisariatesh të Policisë së Shtetit janë kapur me presh në duar? Nuk i vë në diskutim këtu rezultatet e agjencisë, të kuptohemi qartë, por ama nuk mund të mos vë në diskutim faktin se pas statistikave të saj qëndron e vërteta se janë goditur shumë keqbërës të vegjël nën uniformë, por keqbërës të mëdhenj më shumë se sa pak, për të mos thënë aspak!”

Ora 10:59
‘Mos qarkulloni nëpër lagje vetëm për gjoba’ Çfarë u kërkoi Balla efektivëve të policisë

 

Një tjetër porosi e ministrit të ri të Brendshëm Taulant Balla ishte dhe forcimi i policimit të komunitetit

"Policimi në komunitet, bashkëpunimi me ekspertët policorë dhe me institucionet e komuniteteve vendore, bashki e drejtori qendrore, shkolla dhe komunitete fetare, duhet të ngrihet në një nivel te ri. Policia nuk qarkullon në lagje thjesht dhe vetem për të vënë gjoba, apo për tu dukur se është thjesht aty por për të bashkëjetuar me njerëzit, mësuar prej tyre dhe mbështetur zgjidhjen e konflikteve të vogla që mund të kthehen në kusure të mëdha për të gjithë" tha Balla.

Ora 10:51
Brenda 10 ditëve çdo polic do të njihet me Kodin e Etikës! Porosia tjetër e Ballës: Çoni përpara revolucionin digjital në Policinë e Shtetit

 

Brenda 10 ditësh të gjithë punonjësit e policisë së shtetit do të njihen me kodin e etikës ndërsa u kërkoi të ecet sa më përpara revolucioni digjital.

"Brenda 10 ditësh nga sot Kodi Etik i Drejtuesve dhe Punonjësve të Policisë së Shtetit, do t’i lexohet çdo efektivi të policisë dhe do të vendoset në kornizë në çdo hyrje drejtorie dhe komisariati në Shqipëri.

Revolucioni Digjital në Policinë e Shtetit do të duhet të çohet përpara me një ritëm dhe efikasitet shumë më të lartë se deri tani dhe Komisariati Digjital do të marrë një peshë dhe rëndësi të dorës së parë, ai aplikacion duhet të jetë porta ku çdo qytetar jo vetëm mund të hyjë nga çdo smartfon apo kompjuter, por edhe të marrë përgjigje të shpejtë, jo vetëm me fjalë në të gjitha rastet, por edhe me vepra në çdo rast që ankesa është e drejtë.

Në kohën kur qeveria po punon për të futur inteligjencën artificiale në platformën E-albania, në procesin e Integrimit Europian, në procesin e tenderimeve publike dhe të tjerë sektorë dhe kur dikastere të ndryshme kanë bërë kapërcime të mëdha në rrugën e Revolucionit Digjital, Policia e Shtetit nga një pararojë e digjitalizimit është kthyer në bishtin e fundit të kavallit. Të marrim shembull nga Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor Shqiptar, dje një nga simbolet e kaosit dhe korrupsionit në këtë vend, sot ai institucion është një pasqyrë e forcës së modernizimit digjital, falë të cilit lejet shqiptare të drejtimit u njohën deri edhe në Gjermani, ku dihet mirë se sa e vështirë është të kalosh provën e besueshmërise teknike" tha Balla.

Ora 10:38
'Mos u ulni nëpër kafene, u përcillen kriminelëve informacione të aksioneve policore' Taulant Balla porosit drejtorët e policive

 

Ministri i BrendshëmTaulant Balla gjithashtu u kërkoi drejtuesve të policisë së shtetit të mos ulen nëpër kafe e restorante as gjatë dhe as pas pune

Ka një kod etik të kahershëm tanimë, por të pazbatuar deri tani, që thotë se drejtuesit e policisë së shtetit nuk mund të ulen nëpër kafe e restorante as gjatë pune, as pas pune, përveçse për arsye familjare apo arsye të tjera për të cilat kanë vënë më parë në dijeni eprorët. Por jo vetëm kështu nuk ndodh, por ndodh fatkeqësisht që edhe që drejtorë e shefa komisariatesh, të kenë kontakte të papërshtatshme nëpër lokale, ku deri edhe u përcillen kriminelëve informacione sensitive të punës dhe të aksioneve policore.

Natyrisht edhe në rrugë të tjera, po kjo rrugë që po them është përveçse po aq skandaloze sa të tjerat, edhe një karshëllëk poshtërues për gjakun e dëshmorëve të Policisë së Shtetit dhe për çdo qytetar të Republikës së Shqipërisë, përveçëse është edhe shembulli më i keq dhe më demotivues për punonjësit e Policisë së Shtetit në vartësinë e drejtorëve e shefave të këtij profili kaq të ulët moral.

Ora 10:32
'Policia me sy miopë jo vetëm në Fushë Krujë, hapni sytë menjëherë sot, jo nesër!' Balla nuk kursen kritikat për Rrumbullakun e krerët e policive

 

Në takimin e parë publik Ministri i Brendshëm nuk ka kursyer as kritikat sa i takon drejtorit të përgjithshëm të policisë Muhamet Rrumbullaku pro dhe disa drejtuesve të policisë në qarqe.   

Shkaqet e atij dështimi janë ende aty dhe nuk janë vetëm në Fushë-Krujë, po edhe në disa zona të tjera periferike të vendit, ku syri i drejtorisë së përgjithshme apo dhe i drejtorit të qarkut ka qenë miop dhe duhet të hapet menjëherë, sot, jo nesër.

 Qytetarët janë jo vetem arsyeja pse ekziston Policia e Shtetit, po janë edhe partnerët tanë të pazëvendësueshëm në mbrojtjen e vendit dhe të çdo individi, nga çdo lloj paligjshmërie, që nga krimi i organizuar, tek krimi ordiner dhe deri tek krimi ndaj pronës publike dhe asaj private. Veshi i shurdhër dhe syri qorr, heshtja bashkëfajtore ndaj të fortëve të lagjes dhe mosreagimi i forcave të rendit ndaj denoncimeve të qytetarëve, jane rreshtim i policisë kundër tyre, kundër shtetit.

Në territorin e kësaj republike nuk mund të ketë feude ku mbi ligjin dhe mbi qytetarët të jenë të fortët dhe nuk mund të ketë individë më të fortë sesa e bardha e vijave të rrugës apo e kuqja e ngjyrës së semaforëve, në çdo komunitet të Shqipërisë duhet të ketë rend ligjor dhe siguri për të gjithë, nën kujdesin dhe me garancinë e Policisë së Shtetit.

Ora 10:26
Dhuna e Rrajave për guroren, Taulant Balla: Shkrirja e Komisariatit të Fushë Krujës përgjigjja e duhur, shkaqet e dështimit ende aty

 

 Ministri i Brendshëm Taulant Balla deklaroi se dhuna e Rrajave për guroren nxorri në pas situatën e majisur në komisariatin e policisë së Fushë Krujës ku policia nuk ishte me të dobëtin por me të fortin.

"Në takimin e parë që kam zhvilluar me Drejtorin e Përgjithshëm dhe atë të Tiranës, kërkesa ime e parë ishte arrestimi sa më parë i vëllait dhe i djalit të deputetit të Fushë-Krujës, i cili është miku dhe ish-kolegu im, Rrahman Rraja, i cili me gjestin e tij të dorëzimit të mandatit bëri detyrën e tij karshi qytetarëve, duke u vetëndëshkuar moralisht, por ndërkohë që Policia e Shtetit ende nuk e ka bërë detyrën e saj për të ndëshkuar ligjërisht dy individët e lartpërmendur, të cilët e kanë vendin para drejtësisë një orë e më parë.

Por ajo skenë e shëmtuar në Fushë-Krujë ka një përmbajtje shumë më domethënëse për Policinë e Shtetit se sa kapja autorëve të saj.  Sepse ajo skenë flet për një situatë të mahisur më parë, nga toleranca e papranueshme e policisë së asaj zone, e cila nuk i dëgjoi ankesat e banorëve dhe për pasojë zgjodhi të bëhej mburojë e paligjshmërisë, duke u sjellë si e fortë me të dobëtit dhe e dobët me të fortët. Shkrirja e komisariatit të Fushë-Krujës ishte përgjigja e duhur ndaj një dështimi shumë më të gjerë dhe më të thellë, se sa gurorja e konfliktit që e nxorri dështimin në sipërfaqe.

Ora 10:16
Dhuna për guroren, Taulant Balla drejtuesve të policisë: Miku im Rrahman Rraja u vetëndëshkua por ju ende nuk keni bërë detyrën të arrestoni djalin dhe vëllanë e tij

 

Ministri i Brendshëm Taulant Balla kritikoi policinë pse ende nuk kanë arrestuar djalin dhe vëllain e ish deputetit socialist Rrahman Rraja

"Në takimin e parë që kam zhvilluar me Drejtorin e Përgjithshëm dhe atë të Tiranës, kërkesa ime e parë ishte arrestimi sa më parë i vëllait dhe i djalit të deputetit të Fushë-Krujës, i cili është miku dhe ish-kolegu im, Rrahman Rraja, i cili me gjestin e tij të dorëzimit të mandatit bëri detyrën e tij karshi qytetarëve, duke u vetëndëshkuar moralisht, por ndërkohë që Policia e Shtetit ende nuk e ka bërë detyrën e saj për të ndëshkuar ligjërisht dy individët e lartpërmendur, të cilët e kanë vendin para drejtësisë një orë e më parë" tha Balla.

Ora 10:16
Balla: Nga nesër nis trajtimi i çështjes së banimit për efektivët që jetojnë jashtë vendbanimit! Do hapet aplikimi për 100 banesat e reja

Ministri i Brendshëm Taulant Balla në një deklaratë për mediat tha se që nga nesër do të hapet aplikimi për 100 banesat e para për punonjësit e policisë që jetojnë jashtë zonës së vandbanimit të tyre. Balla vuri theksin tek mbështetja financiare dhe ajo për strehimin për punonjësit e Policisë së Shtetit.

'Ky është standarti i kërkuar nga Kryeministri qysh në mbledhjen e parë te Grupit Parlamentar në vitin 2013, me theks të posaçëm tek Policia e Shtetit, ky është standarti i kërkuar nga të gjithë kolegët që më kanë pararendur, po ky është një standart që duhet aplikuar 100% dhe nëse më parë drejtues e shefa policie kanë çeduar nga ky standard, unë nuk do të çedoj në asnjë rast në masat që do të merren drejt tyre, për çedim ndaj ndikimeve nga jashtë. Nga ana tjetër, unë do të kujdesem posaçërisht për rritjen e standartit të jetesës të punonjësve të policisë dhe përmirësimin e kushteve të shërbimit të çdo punonjësi policie, që nga kushtet financiare deri tek kushtet e strehimit kur shërbejnë jashtë vendbanimit apo krijojnë familje të reja, pa harruar që nga sot sistemimin përfundimtar të të gjitha familjeve të policëve të vrarë në krye të detyrës, fëmijët e të cilëve janë fëmijët tanë. Prandaj nga nesër do të fillojmë të trajtojmë problemin e banimit për ata që shërbejnë në qytete të ndryshme nga qyteti ku kanë familjen dhe do të hapim rrugën e aplikimeve për 100 banesat e para për vitin 2023, të cilat do t`u jepen familjeve të reja të punonjësve të policisë. Kriteret do të përcaktohen në ditët në vijim.'- tha Balla.

Ora 10:07
Balla porosi efektivëve të policisë: Asnjë deputet nuk duhet të ndërhyjë në punën tuaj, kush e lejon shkarkohet! Emrat e tyre adresojini tek unë

Taulant Balla ka mbajtur deklaratën e parë si Ministër i Brendshëm ku dha porositë për drejtuesit e policisë së Shtetit. Balla u bëri të qartë drejtuesve të policisë se kush deputet ndërhyn në punën e tyre, nuk do të ketë asnjë tolerim, ndërsa u sugjeroi që emrat e tyre ti adresojnë tek ai.

'Unë vij nga një jetë e tërë tanimë si deputet dhe mes deputetëve. Besoj se nëse do bëhej një garë se kush e kupton dhe e vlerëson më shumë rolin e deputetit, do të isha një pretendent serioz për ta fituar. Por asnjë deputet nuk duhet dhe nuk mund të ndërhyjë në punën tuaj, prandaj kush do të pranojë ndërhyrje nga deputetët për çfarëdo lloj aspekti konkret në dinamikën e kryerjes së detyrës së vet, nuk do të mund të paraqesë asnjë justifikim për të qëndruar më tej në detyrë. Deputeti ka detyrë t’ju drejtohet për çdo shqetësim, ju keni detyrë t’i dëgjoni me respekt sa herë ju bie telefoni prej deputetëve, por për çdo rast që arsyeja e telefonatës përbën ndërhyrje në kryerjen e detyrës suaj, ju kërkoj që deputetin ta drejtoni tek unë. Besoj vetëkuptohet që kur them këtë për deputetin, ndërhyrja e kujtdo tjetër është e papranueshme. Respekt maksimal në komunikim me këdo, mirësjellje dhe durim për këdo, po përzierje të kujtdo në detyrën tuaj në asnjë rast apo mënyrë.

Ky është standarti i kërkuar nga Kryeministri qysh në mbledhjen e parë te Grupit Parlamentar në vitin 2013, me theks të posaçëm tek Policia e Shtetit, ky është standarti i kërkuar nga të gjithë kolegët që më kanë pararendur, po ky është një standart që duhet aplikuar 100% dhe nëse më parë drejtues e shefa policie kanë çeduar nga ky standard, unë nuk do të çedoj në asnjë rast në masat që do të merren drejt tyre, për çedim ndaj ndikimeve nga jashtë.'- tha Balla.

Ora 10:05
Ministri Balla: Nuk do të ndërroj drejtuesit dhe shefat e policisë

1689583445_balla.jpg

Ministri i Brendshëm Taulant Balla në daljen e tij të parë për mediat pas marrjes së detyrës si ministër, u shpreh se nuk do të ndërrojë drejtuesit dhe shefat e policisë. Balla tha se është aty për t’i udhëhequr, shtoi se do të jetë aty për të mësuar prej tyre duke zbritur në çdo nivel të veprimtarisë së kësaj ministrie, në çdo zyrë e komisariat, nga Tropoja deri në Konispol.  

'Ka ndodhur në të shkuarën që paraardhës të nderuar të mitë në këtë detyrë e kanë nisur punën e tyre duke ndërruar drejtuesit dhe shefat. Unë nuk e ndjej sot veten më të zotin se askush nga ju dhe nuk e shoh të udhës që të gjykoj asnjërin prej jush nga lartësia e detyrës sime. Jam këtu për t’ju udhëhequr, duke ju dëgjuar, duke ju mbështetur, duke mësuar prej jush dhe duke zbritur në çdo nivel të veprimtarisë së kësaj ministrie, në çdo zyrë e komisariat, nga Tropoja deri në Konispol.

Natyrisht fakti që unë e marr stafetën nga një koleg dhe shok i mirënjohur për seriozitetin dhe për korrektesën e tij, në një fazë kur reformimi i sektorit ka tanimë 10 vite që ka nisur, ma bën më të lehtë se sa sikur të më duhej të nisja gjithçka nga e para.

E sotmja s’ka krahasim me të shkuarën dhe gur pas guri ndërtimi i murit të shtetit në këtë sektor ka avancuar në mënyrë të dukshme dhe të padiskutueshme. Por e ardhmja nuk duhet të ketë krahasim me të sotmen dhe unë jam këtu me detyrën për të vazhduar me ju ndërtimin e murit, edhe më mirë, edhe më shpejt, duke përmirësuar çdo gjë, në çdo drejtim.

Kush do të jetë i gatshëm për ta bërë këtë në pozicionin që ka në vijën e këtij fronti të përbashkët, do të ketë mbështetjen time pa rezerva në çdo hap dhe derën time të hapur pa orar për çdo nevojë. Ndërsa kush nuk do të tregojë gatishmërinë për të shkuar përtej vetes, duke e rritur kontributin për kauzën e përbashkët, do ta ketë të pamundur të qëndrojë në pozicionin që ka.’- tha Balla.

S.G/SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • e drejta: 18/07/2023 10:44

    SHPRESOJ QE KETO FJALE TE MOS I MARRE ERA...

    Përgjigju
  • Iris: 18/07/2023 03:14

    Balla thote, po t'ju nderhyje ndonje deputet, me lajmeroni mua!Keshtu i bie qe /deputeti/ t'ua gjeje anen policeve nepermjet Balles dhe ky i fundit pastaj t'ju telefonoje policeve-/Shikoheni pak ate punen!/,ashtu sic e gjeti Rraja e djali i tij nepermjet Balles kur ndodhi ngateresa me ate vajzen.Per te shpetuar djalin,babai deputet erdhi me /perforcime/ nga Tirana!

    Përgjigju
  • Grupi: 17/07/2023 19:25

    Qe kur thua jam Miku i Rrajava qofte edhe vetem i Rrahmanit ju tregon njerezve se cili eshte synimi yt i vertete. Je mik famoljar dhe e ke deklaruar ne parlament me E. Begon, trafikantin nderkombetar te droges qe u denua nga italia 20 vite dhe beri vetem 2 ne shqiperi. E di ti zoti minister se cfare do te thote 20 vite denim ne itali? Financieri i bandes se lushnjes. Rrahman Rraja me nje sy pasi tjetrin e ka lene neper konflikte eshte fis kriminelesh i perfshire ne vrasje, zhvatje, vjedhje, trafik nderkombetar droge dhe perdhunime. Ti thua publikisht qe i ke miq. Shqiptaret e ndershem duhet te kene frike nga policia e shtetit. Besueshmeria 0.

    Përgjigju
  • Alma: 17/07/2023 15:52

    E para fakti qe thua qe je mik me rrajen te ben ty po aq fajtor sa rraja. Sepse rraja perveç djalit qe e ka kriminel bashke me vellezerit e fis e farefis eshte dhe vete sa nuk e di se si ka perfunduar ai deputet. Dardha bie nen dardhe zoti minister. E dyta meti dhe ardi dy kryefelliqesirat e policise , ndyresira, felliqesira qe mos e bofshin hajrin te cilet duhet ti kisha shkarkuar menjehere E treta shpresojme qe te besh ndonje gje te mire e te vendosesh oficere policie te afte e jo te paafte siç kane qene deri me sot se ne zakonisht keshtu funksionojme te paaftet i sulmojme

    Përgjigju
  • Shoku: 17/07/2023 14:52

    Po kur shkove dhe ja vute armen ne koke ish shefit te krimeve ne Fushe Kruje me cunat e Rrahman Rrajes dhe prishe videot e kamerave.

    Përgjigju
  • Mali: 17/07/2023 14:01

    Nje dalje publike tipike kriminale. Perkrah nje te korruptuari tipik si Rrumbullaku, qe skandali i vjeter me Rafaisen dhe "qiraja" mjaftojne per nje vend tek 313, Balla ashtu si dallkauket e tjere te Rames, i duket vetja kryekapo i policise. Por injoranca eshte kaq e rende kur urdheron ose deklaron "arrestoni" ate apo kete. Pasiqe idioti ende nuk kupton qe nuk ka asnje autoritet te kerkoje arrestime. Sepse ose kryhen ne flagrance nga operimi i ligjit, ose te autorozuara nga Gjykata. Sja vlen te merresh me te tille injorante.

    Përgjigju
  • Çeliku: 17/07/2023 13:36

    Pse eshte merzitur Rrumbullaku apo nuk po i shtuhet me. Jep doreheqjen o Met se edhe ti e di se me nje minister si tao tao nuk e ke te gjate.

    Përgjigju
  • Suada: 17/07/2023 13:24

    Krimi ka kap hallkat me te larta te shtetit,policia nuk ka cfar te bej.Peshku esht qelbur nga koka.Polici kapet me fukarenjt dhe ul breket para kriminelve pasi e din qe drejtuesit jan me krimin.Si esht katandis ky vend nuk zgjidhet asgje me ndrrime karrigesh.Kulmi pastaj esht qasja e policise me emigrantet,te ndalojn ne cdo vend,jan ber si policia e Berishes qe duan lek,na jep nje kafe.Po ku ti denoncosh,hajdutin tek hajduti?

    Përgjigju
  • Lorenc vangjeli: 17/07/2023 12:39

    Bravo Tao

    Përgjigju
  • LORA: 17/07/2023 12:05

    Me Rrumbullakun ne krye te Policise se Shtetit ,mjaft i vjeter dhe pa talent, eshte i sigurt degradimi i rendit publik.

    Përgjigju
  • Klodi: 17/07/2023 11:12

    Te njejtat fjal dhe premtime prej 15 vitesh dhe policia katandiset cdo dit e me keq.Kjo polici esht fytyra e shtetit,nuk ka besushmeri ne popull dhe tani njerzit kan dhe frik te bashkpunojn pas asaj qe ndoshi.Zoti na rujt se policia esht per te marr rrogat dhe asgje me shum

    Përgjigju
  • Lenci: 17/07/2023 11:06

    ORE KA BA NA I PUNE ME PARA KY TAO TAO... APO THJESHT KA BA TELLALLIN NE PARLAMENT....

    Përgjigju
  • Keno: 17/07/2023 10:24

    Ja kane varur ujkut melcit e qengjit ne qafe.

    Përgjigju
  • Zjarr: 17/07/2023 10:11

    Ra shqiperia ne zot me taulant ballen zjarr vlla perpara zagaret qe bejn terror ne ke vend kaq te bukur bjeru zagareve..

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

10 kuriozitete rreth Krishtlindjes të zgjedhura nga National Geographic

10 kuriozitete rreth Krishtlindjes të zgjedhura nga National Geographic