Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, zhvilloi këtë të premte një takim me Kryetarët e Bashkive, prefektët dhe Drejtuesit e lartë të Policisë së Shtetit ku në qëndër të diskutimit ka qënë përgatitja për zgjedhjet e ardhshme lokale të qershorit të vitit 2019.
Gjatë bashkëbisedimit që pati me drejtuesit vendorë, ministri Lleshaj adresoi detyrat kryesore duke ndarë opinione për çështje e shqetësime, që lidhen me përmirësimin e shërbimit ndaj qytetarëve.
Ministri Lleshaj, që në krye të herës, e konsideroi procesin e ardhshëm të zgjedhjeve lokale, me rëndësi të dyfishtë: për mirëqeverisjen nga njëra anë dhe për të dhënë një dëshmi të fortë të pjekurisë, që duhet të tregojë vendi për të qenë gati për hapjen e negociatave me BE-në.
Gjithashtu bëhet e ditur se ndër detyrat e lëna nga Ministri i Brendshëm për njësitë vendore, veçohen: afishimi në vende të dukshme i listave zgjedhore; zgjedhja në kohë e ambienteve për qendra votimi, për të shmangur në maksimum ambientet private; përditësimi i Adresarit; shtimi i zyrave të Gjendjes Civile përgjatë 2019, vit kur duhen rinovuar rreth 1.4 milion karta identiteti, të cilave u skadon vlefshmëria. Ministri u kërkoi kryetarëve të bashkive, të tregojnë kujdes të shtuar, për të shmangur lëvizjet dhe regjistrimet fiktive të shtetasve, para periudhës elektorale duke theksuar se do të ketë kontrolle dhe do të merren masa për shkeljet.
Në funksion të nismës së “Policimit në Komunitet”, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, njësitë vendore do të krijojnë zyra për Zonat Policore, duke ofruar shërbimet më pranë qytetarëve.
Komente










